“I`tikafi” – lidhja shpirtërore me krijuesin

135

logo-1
“I`tikafi” – lidhja shpirtërore me krijuesin

I`tikafi është praktikuar nga Pejgamberi i Zotit (xh. sh.), nga bashkëshortet e tij, nga shokët e tij, si dhe nga shumë besimtarë të devotshëm gjatë historisë islame dhe ai vazhdon të praktikohet edhe nga shumë besimtarë të vendit tonë, por mjerisht jo në nivelin e duhur; kjo, si pasojë e mosnjohjes së rëndësisë së I`tikafit

Shkruan Qufli OSMANI

Në dhjetë ditët e fundit të muajit Ramazan i dërguari i Allahut (xh. sh.), Muhamedi (s.a.v.s.), i ka shpeshtuar dhe i ka shtuar ibadetet – adhurimet duke falur namaz dhe duke e madhëruar Krijuesin e Gjithësisë, sepse në dhjetë ditët e fundit të këtij muaj fillon zbritja e Kuranit famëlartë dhe në to është e fshehur nata më e vlefshme, Nata e Kadrit. Madje, ai, në dhjetëshin e fundit të Ramazanit është izoluar në xhami për të kryer ibadetin e quajtur “I`tikaf”.
Në kuptimin gjuhësor shprehja “I`ikaf” do të thotë: qëndrim, ndenjje, mbyllje, izolim, kurse në terminologjinë e jurisprudencës islame (sheriatit), me shprehjen “I`tikaf” kuptohet ibadeti – adhurimi duke ndenjur në xhami (ditë e natë), në të cilën falen namazet me xhematë, duke qenë agjërueshëm, me qëllim që të madhërohet Allahu (xh. sh.). Me fjalë të tjera, ky ibadet mund të definohet kështu: “I`tikafi është të vetmuarit me vullnet të mirë në xhami apo mesxhid, në të cilën falen pesë kohë namaz apo së paku falet namazi i xhumasë dhe atë prej namazit të sabahut të ditës së njëzetë të muajit Ramazan, deri në namazin e akshamit të ditës së fundit të këtij muaji.”
I`tikafi është një ibadet apo rregull islam të cilin e vërteton edhe Kurani famëlartë, ku Allahu (xh. sh.) thotë: “Mos iu afroni atyre (bashkëshorteve) kur jeni të izoluar (në I`tikaf) në xhami.” Po ashtu, I`tikafi vërtetohet edhe me hadithin të cilin e transmeton Abdullah ibni Omeri, i cili ka thënë: “Pejgamberi (a. s.) izolohej (hynte në I`tikaf) dhjetë ditët e fundit të muajit të Ramazanit.”
Pra, I`tikafi është praktikuar nga Pejgamberi i Zotit (xh. sh.), nga bashkëshortet e tij, nga shokët e tij, si dhe nga shumë besimtarë të devotshëm gjatë historisë islame dhe ai vazhdon të praktikohet edhe nga shumë besimtarë të vendit tonë, por mjerisht jo në nivelin e duhur; kjo, si pasojë e mosnjohjes së rëndësisë së I`tikafit. Për të parë vlerën që ka I`tikafi, në vijim do të sjellim disa hadithe të Muhamedit (s.a.v.s.), të cilat flasin për rëndësinë dhe vlerën e këtij ibadeti:
“Kush hyn në I`tikaf në emër të Allahut (xh. sh.), duke besuar se Allahu do ta shpërblejë, Allahu (xh. sh.) do t`ia falë mëkatet e mëparshme.”
“Aishja (r. a.) thotë se Pejgamberi (s.a.v.s.) bënte I`tikaf në dhjetë ditët e fundit të muajit Ramazan, derisa ndërroi jetë; pastaj, pas vdekjës së tij, I`tikaf bënin bashkëshortet e tij.”
“Transmetohet nga Ebu Hurejrja (r. a.) të ketë thënë: “Pejgamberi (s.a.v.s.) për çdo Ramazan ka qëndruar në I`tikaf nga dhjetë ditë, ndërsa në vitin e fundit të jetës së tij, në I`tikaf ka ndenjur njëzet ditë.”
“Ibni Abbasi thotë se e ka dëgjuar Pejgmaberin e Zotit (xh. sh.) duke thënë: “Kush i ndihmon vëllait kur ai ka nevojë, është më mirë se sa dhjetë vjet t`i kalosh në I`tikaf; e kush kalon një ditë në I`tikaf duke kërkuar kënaqësinë e Allahut (xh. sh.), Allahu (xh. sh.) mes tij dhe zjarrit të xhehenemit do të vendosë tri hendeqe, largësia e të cilave është më e madhe se largësia mes lindjes dhe perëndimit.”
I`tikafi si adhurim për t`u afruar tek Allahu (xh. sh.) ka dobitë dhe urtësinë e tij, ndër të cilat po veçojmë:
-Pastrimin shpirtëtor dhe mendor nga anomalitë aksidentale, me të cilat njeriu ballafaqohet gjatë përditshmërisë së tij;
-Largimin nga interesat e jetës së kësaj bote, duke u përqendruar fuqishëm në adhurim dhe dashuri ndaj Allahut (xh. sh.);
-Të shprehurit e gatishmërisë për të flijuar interesat e kësaj bote për hir të kënaqësisë së Allahut (xh. sh.);
-Gjatë qëndrimit në I`tikaf, besimtari është pranë derës së pendimit;
-I`tikafi është një ndër veprat më të ndershme dhe më të dashura tek Allahu (xh. sh.), nëse ai kryhet me sinqeritet, devotshmëri dhe bindje tek Allahu (xh. sh.);
Si çdo ibadet tjetër fetar, edhe I`tikafi ka rregullat apo kushtet, të cilat duhet zbatuar, sepse në të kundërtën ai nuk do të vlejë. Nga parimet themelore që duhet praktikuar janë edhe këto:
-Besimtari që hyn në I`tikaf duhet të jetë i moshës së rritur, psikikisht i shëndoshë;
-I`tikafi të bëhet në xhami, ku shërben Imami dhe Myezini;
-Duhet bërë nijet për kryerjen e I`tikafit;
-Meshkujt I`tikafin e bëjnë vetëm në xhami apo mesxhid, ndërsa femrat e bëjnë në shtëpi. Kurse gruaja e martuar në I`tikaf mund të hyjë me lejen e bashkëshortit.
Sipas dijetarëve të shkollës juridike hanefite, llojet e I`tikafit janë tri, edhe atë:
I`tikaf i premtuar, dispozita e të cilit është vaxhib (obligim).
I`tikafi në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, dispozita e të cilit është sunnet i fortë, i mjaftueshëm, që do të thotë, nëse këtë ibadet e realizojnë disa besimtarë, shkarkohen të gjithë të tjerët nga ky sunnet.
I`tikafi jashtë muajit të Ramazanit, dispozita e të cilit është e preferuar.
Në përcjellje e sipër të muajit të Ramazanit, ndërkaq, Muhamedi (s.a.v.s.) mes tjerash ka thënë: “Po ta dinte ummeti im vlerën e Ramazanit, do të dëshironte që tërë jeta të ishte Ramazan.” Prandaj, çdo minutë në dhjetë ditëshin e fundit e Ramazanit ka rëndësi të madhe për ne, andaj duhet bërë përpjekje që të shtojmë adhurimin tonë në të gjitha fushëveprimet e obligimet fetare, qoftë ajo duke falur namaz, duke dhënë zeqatë, duke madhëruar Allahun (xh. sh.), duke ndarë lëmoshë etj.