Islami fortifikata e mbrojtjes së identitetit tonë

Restaurimi i xhamisë “Mustafa Çelebi” në Strugë
Më 24 maj 2012 ( enjte), në xhaminë “Mustafa Çelebi” në qendër të Strugës, filloi rekonstruimi dhe zgjerimi i kësaj xhamie, si rezultat i bashkëpunimit të BFI dhe Dijanetit të Turqisë.
Në manifestimin e organizuar me rastin e hedhjes së gurthemelit morën pjesë kryeari i BFI-së, Reis ul Ulema, H. Sulejman ef. Rexhepi, myftiu i Muftinisë së Strugës, dr. Ferat Polisi, kryetari i komunës së Strugës Ramiz Merko, përfaqësues nga Dijaneti i Turqisë, Haki Kiliç, ambasadori i Turqisë në Maqedoni z. Gurol Sokmensuer, Shejma Arslantash, përfaqësues i Dijanetit turk, Algjyn Gjoren, përfaqësues i Drejtoris së Vakufit të Turqisë, atesheu për çështje fetare pranë ambasadës turke në Shkup, Sejfetin Ersoy, imam, personalitete dhe xhemat.
mqelebi1
Në fjalën përshëndetëse,myftiu i Muftinisë së Strugës, dr. Ferat Polisi fillimisht dërgoi ngushëllime për familjarët e studentëve të cilët e humbën jetën nga aksidenti në Himarë, dhe më pas theksoi se idenë për zgjerimin e xhamisë në fjalë e kanë shqyrtuar dhe konsultuar edhe me ambasadën turke në Maqedoni.
“Muftinia e Strugës është nga ata që do të ndërton dhe nuk do të rrënon. Ne ramë dakord me ambasadorin e Turqisë, me kryetarin e BFI-së dhe kryetarin e Komunës, që të gjitha pjesët vitale e kësaj pasurie historike, Minarja, do të ngelin të paprekura sepse nuk mund të shkelim mbi historinë 500 vjeçare, por ne duke dashur ta mbrojmë atë histori dhe atë në vazhdimësi ju bëjmë me dije se edhe në momentin kur flasim po bashkëpunojnë dy arkitektët, ai nga Maqedonia dhe arkitekti nga Turqia. Tani do të kemi një gërshetim apo një binjakëzim të dy kulturave, pjesa e arkitekturës osmane dhe pjesa e arkitekturës së mirëfilltë shqiptare”- tha Polisi.
Kryetari i Strugës, Ramiz Merko theksoi se i bashkëngjitet kësaj iniciative sepse: “siç e shohim se qyteti po zgjerohet, feja çdo ditë e më tepër po përkapet edhe nga mosha më të reja”.
“Të gjithë ata që janë këtu dëshirojnë të kenë edhe shenjat e veta, shenjat kombëtare i shihni para komunës, por ky mes i qytetit të bukur të Strugës i kërkon edhe shenjat fetare të cilat në një periudhë të gjatë në të kaluarën na i kanë lënë prapa të tjerët sepse na kanë ngushtuar fushën e veprimit tonë. Sot ne jemi të lirë të shprehim kombësinë tonë, fenë tonë dhe këtë do ta bëjmë vazhdimisht në jetën tonë të përditshme. Struga qytet multietni, multifetar dhe multikulturor ka ekzistuar dhe do të ekzistojë edhe më tutje por, gjithmonë duke respektuar të tjerët dhe duke dashur të na respektojnë të gjithë. Komuna e Strugës do të mbështes gjithmonë që ky objekt fetar në qendër të Strugës të realizohet sa më shpejtë duke iu ngjitur këtu afër edhe sahat kulla në mes të Strugës dhe duke u riparuar edhe hamami i Strugës”, ka theksuar Merko.
Kryetari i BFI-së në Maqedoni, Reis ul Ulema, H. Sulejman ef. Rexhepi, në fjalën e tij të rastit nënvizoi se në këtë ditë pranvere ka kënaqësi të veçantë që ndodhet në Strugë dhe sidomos me arsyen e hedhjes së gurthemelit.
“Ky shkas me jep kënaqësi të veçantë siç është hedhja e gurthemelit për rekonstruimin e xhamisë, të këtij tempulli të shenjtë të njohur me emrin “Mustafa Çelebi”. Duke i përjetuar të gjitha peripecitë nëpër sistemet shoqëroro-politike të cilat sisteme kanë tentuar të bëjnë gjenocidin dhe spastrimin etnik në këto troje, islami e ka mbrojtur fenë tonë, islami ka qenë fortifikata e mbrojtjes së identitetit tonë, por ma merr mendja jo vetëm e shqiptarëve por të gjithë atyre që e kanë përqafuar islamin e kanë ruajtur edhe identitetin e vet, për ndryshe të gjithë do të asimiloheshin si në aspektin shpirtëror ashtu edhe kombëtar, prandaj kjo nuk është një ceremoni formale por esenciale që duhet ta kuptojmë në bërthamën e vet, sepse ne si mysliman përmes xhamive duhet të zhvillojmë aktivitetin tonë”, nënvizoi Rexhepi.

Comments are closed.