Islami dhe paqa globale

sulejman-rexepi-640x396 (1)Bota e civilizuar nuk guxon të zhvillojë vetëm fushatën luftarake kundër terroristëve që po manipulojnë në emër të islamit. Bota e civilizuar duhet të zhvillojë edhe fushatën mbi Islamin si fe qiellore, si fe që nuk ka asgjë të përbashkët me terroristët

Nga H. Sulejman Rexhepi

Esselamu alejkum! Të dashur besimtarë, po ju drejtohem me këtë përshëndetje islame, e cila, anekënd botës, brenda ditës, shqiptohet me miliarda herë! Paqa e Zotit qoftë mbi ju! Kjo është uratë që del nga thellësia e shpirtit prej çdo muslimani në botë. Kjo është motoja sipas të cilës detyrimisht duhet të veprojnë e të mendojnë të gjithë përkatësit e fesë islame. Të nisin ditën me paqe, të angazhohen për paqe, të veprojnë për paqe dhe të përfundojnë ditën duke ia lënë hapur të gjitha shtigjet paqes. Sepse, vetë feja islame është paqe, është mëshirë, është dashuri, është dije. ”Nëse e pranojnë Islamin, atëherë kanë gjetur udhën e drejtë. Por, nëse refuzojnë, detyra jote është vetëm që t’ua përcjellësh dijen. Allahu i vrojton robërit e Vet”. (20, Ali Imran)

Nisur nga ky postulat kuranor dhe jo vetëm, Bashkësia Fetare Islame në RM, jo një herë i është shmangur provokimeve që në esencë kanë pasur shkaktimin e konflikteve me karakter ndërfetar dhe krijimin e perceptimit të gabueshëm mbi muslimanët e vendit dhe mbi fenë islame. Ne, si institucion por edhe si komunitet, kemi zgjedhur rrugën e kultivimit të paqes, të përafrimit dhe të njohjes së ndërsjellë në mes të besimtarëve të ndryshëm. Ky hap ka ndikuar që të vlerësohemi si faktor stabiliteti dhe jo një herë si të tillë jemi vlerësuar edhe nga faktorët ndërkombëtarë, në veçanti, nga Ambasada Amerikane në Maqedoni.

Politikat shoviniste maqedonase jo njëherë, përmes Kishës Ortodokse Maqedonase, kanë ushtruar përdhosje mbi objektet fetare islame, kanë uzurpuar xhami duke i shndërruar ato në kisha, kanë përdhosur objekte fetare islame duke vënë mbi to kryqe gjigante, kanë ngritur kryqe gjigante me qëllim që Maqedonisë t’i japin karakter ekskluziv ortodoks maqedonas, na kanë diskriminuar në aspekt të denacionalizimit të pronës, janë përpjekur të na përçajnë duke futur nën kupolën e pushtetit lloj-lloj fraksionesh e lëvizjesh të dyshimta të cilat gjithnjë i kemi denoncuar dhe refuzuar si subjekte të dyshimta antisilame dhe kundër bashkëjetesës ndërfetar. Përkundër të gjitha këtyre politikave diskriminuese, ne si Bashkësi Fetare Islame gjithnjë kemi inicuar dialog ndërfetar, projekte e ide që trasojnë rrugën e bashkëpunimit, të bashkëjetesës, të mirëqenies. Shpesh edhe kemi qenë fare pranë marrëveshjeve të sinqerta derisa në moment të fundit nuk ka ndërhyre politika e pushtetarëve.

Në shtetin e brishtë të Maqedonisë, pa dyshim, veprojnë shërbime e interesa të ndryshme, të cilat mezi presin destabilizimin e vendit dhe të tërë rajonit pikërisht duke shkaktuar probleme ndërfetare. Kjo është fare e mundshme dhe e lehtë por, njëkohësisht dhe shumë rëndë e kontrollueshme, sidomos në mjedise me popullsi të përgjysmuar siç është popullata në Maqedoni: gjysma ortodokse (sllavo-maqedonase) dhe gjysma tjetër myslimane e cila, në mbi 80 për qind përfaqësohet nga shqiptarët.

Historinë e kemi dëshmitare se, kombi ynë, pra, shqiptari, qoftë si i krishterë, qoftë si ortodoks apo si mysliman, nëpër shekuj ka kaluar pushtues, plane e projekte shfarosëse. Dhe po kështu,

nëpër shekuj kanë qenë të lidhur shpirtërisht njëri me tjetrin dhe kjo lidhje vëllazërore ka ngelur aseti më i rëndësishëm kombëtar i shqiptarëve.

Sot, mburremi me këtë vlerë ndërsa bota mbarë na vlerëson me të drejtë si shembull unikal i tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare. Populli shqiptar di ta çmojë besimin e çdo njeriu në botë, di të bashkëjetojë dhe ta ruajë çdo besimtar në rast rreziku. Provat janë dhënë! Asnjë konflikt dhe asnjë urrejtje ndërfetare kurrë nuk e ka shprehur ndonëse ka qenë përjetues i tmerreve si pasojë e urrejtjes fetare. Gjatë luftës së Dytë Botërore asnjë hebre i strehuar nga shqiptarët nuk u dorëzua dhe nuk u vra nga nazistët. Shqiptarët nuk mund të shprehin urrejtje kundër asnjë feje dhe kundër asnjë besimtari, sepse, i përkasin të gjitha feve, shumë religjioneve dhe besimeve më të vonshme. Çdo urrejtje eventuale ndaj një besimtari tjetër në fakt do të përkthehej si urrejtje ndaj një feje të cilës i përket edhe bashkëkombësi i vet, vëllai i vet.

Fatmirësisht sot shqiptarët kanë dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën dhe, këta dy shtete, përveç punëve të tjera kanë obligim që ta ruajnë këtë aset kombëtar si gjënë më të shenjtë, si vlerën më të lartë kombëtare. Kjo vlerë shpirtërore ruhet dhe kultivohet pandërprerë vetëm përmes bashkëpunimit institucional në mes të institucioneve shtetërore dhe institucioneve fetare.

Fatkeqësisht, sot, edhe shqiptarët si bota mbarë, jemi dëshmitarë të imazheve dhe inçizimeve që reprodukojnë barbarinë më të tmerrshme antinjerëzore të kriminelëve që janë, pa dyshim, kategoria më e urryer e Krijuesit të Plotfuqishëm si dhe kategoria absolutisht e përjashtuar nga çdo fe e religjion. Këto pamje rrëqethëse po na vijnë nga disa vise myslimane në të cilat shumë rëndë po baltoset fytyra e vërtetë e Islamit, në të cilën vegjetojnë e veprojnë qenie monstruoze të cilat në asnjë moment nuk arrijnë kurrfarë pikëtakimi me Islamin e vërtetë. Asnjë shoqëri nuk është imune nga kjo kategori njerëzisht lehtësisht të manipulueshëm e të epur pas veprimeve monstruoze. Kjo kategori njerëzish, pastaj, lehtësisht mund të sigurohet nëpër shtresat sociale që ngelin pa kurrfarë përkrahje shoqërore e shtetërore.

Ndonëse jo zyrtarisht, megjithatë flitet për një numër të konsiderueshëm shqiptarësh të cilët i janë përgjigjur kësaj lufte monstruoze. Askush nuk di se sa janë por, sikur edhe dhjetë të tillë të ishin ky numër do të hidhte njollë mbi shpirtin fisnik e paqedashës të shqiptarëve.

Është për t’u vlerësuar qëndrimi unik i shqiptarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare, që këta individë i kanë definuar si të manipuluar, te rekrutuar nga mercenarë të ndryshëm për të siguruar kafshatën e gojës. Këto ditë dikush shkroi se, shqiptarët i përgjigjen kësaj lufte në kundërvlerë prej 20-30 mijë dollarë. Pra, pikënisja e tyre është për të siguruar lekë, bukën e gojës dhe jo për t’u angazhuar për ndonjë “shtet islamik” sipas modelit të terroristëve dhe kriminelëve.

Për ta demistifikuar, për ta lakuriqësuar tërë këtë aktivitet terrorist të kriminelëve të mbledhur nga mbarë bota në një territor të disa shteteve myslimane, për t’i zhveshur politikat djallëzore dhe synimet monstruoze të misionarëve dhe të mercenarëve të ndryshëm, për ta përhapur sa më shumë të vërtetën për Islamin si fe e paqes, me qëllim për ta kultivuar edhe më shumë bashkëjetesën ndërfetare duke u lëshuar së bashku në luftë kundër terroristëve por njëkohësisht edhe në fushatë pozitive për fenë islame, ne, si Bashkësi Fetare Islame në RM, siç e di tashmë mbarë opinion, kemi dalë me një Projekt konkret i cili ka bërë një jehonë të madhe duke siguruar përkrahje të parezervë sidomos nga faktori ndërkombëtar. Madje jemi vlerësuar si Institucion model për shumë organizma botërore me relevancë. Ky projekt përfundon me komponentin që ngelë në tentativë e që përfshinë aktivitetet e gjithëmbarshme shoqërore e shtetërore për risocializimin dhe riintegrimin në shoqëri të të gjithë atyre pjesëmarrësve në këto vatra lufte të cilët eventualisht do të ktheheshin të gjallë. Nëse të pandershmit dhe manipuluesit i përdorin njerëzit e tillë mish për top, institucionet shtetërore dhe mbarë shoqëria duhet të dëshmojnë se jeta e tyre është më e rëndësishme se sa gatishmëria e tyre për t’u flijuar për një grusht lekësh.

Me këto qëndrime njerëzore nuk jemi kundër masave ligjore, nuk jemi për amnisti nga aktivitetet e kryer kriminele. Edhe ne, si komunitete fetare, jemi rreshtuar në anën e botës së civilizuar që po tronditet nga aktet terroriste që po i ndërmarrin kriminelët e ISIS-it.

Nuk guxojmë të lejojmë që terroristë të regjur të kryejnë akte makabre në emër të fesë islame. Ata duhet të luftohen, sepse janë munafikë, pa dyshim. Në suren El Munafikun, në ajetin 3 dhe 5 Allahu Fuqiplotë thotë: “Ata i përdorin betimet e tyre si maskë dhe i largojnë (njerëzit) prej rrugës së Allahut. Vërtet, shumë të mbrapshta janë punët e tyre!“ dhe, “Kur i shihni ata, pamja e tyre e bukur ju mahnit e, nëse flasin, ju i dëgjoni fjalët e tyre. E megjithatë, ata janë si trungje të mbështetura. Ata kujtojnë se çdo thirrje që dëgjojnë është kundër tyre. Ata janë armiqtë e vërtetë, andaj ruajuni prej tyre! Allahu i vraftë! Sa shumë që janë larguar (nga e vërteta)?!”

Megjithatë, kam një brengë: kam përshtypjen se terminologjia politike që po përdoret nga bota në raport me fenë islame, po na lëndon edhe ne. Bota e pranon islamin si fe qiellore. Së këndejmi, si mund të ketë islam që prodhon terrorizëm, apo si mund të emërtohet një e keqe e njerëzimit me termin “islamik”. “Terrorizmi islamik”, “Islami radikal”, “Krimet islamike”, etj. janë sintagma të cilat e dëmtojnë më shumë islamin se sa aktet monstruoze të aradheve të mallkuara nga vetë Zoti Fuqiplotë. Nuk ka besim në botë, nuk ka fe qiellore që e motivon terrorizmin, dhunën. Islami është paqe dhe vetëm si i tillë duhet të përkthehet dhe të trajtohet. Fetë janë shpallje nga Zoti dhe të gjitha janë të Tij. Ne duhet t’i besojmë dhe t’i praktikojmë si urdhra të Zotit. Zoti nuk urdhëron në krime! Zoti urdhëron paqe, tolerancë, dashuri, bashkëjetesë, mirëqenie. Bota e civilizuar nuk guxon të zhvillojë vetëm fushatën luftarake kundër terroristëve që po manipulojnë në emër të islamit. Bota e civilizuar duhet të zhvillojë edhe fushatën mbi Islamin si fe qiellore, si fe që nuk ka asgjë të përbashkët me terroristët. Kjo luftë duhet të ketë edhe karakterin e luftës së përbashkët, luftës së botës së civilizuar kundër terroristëve që përpiqen ta njollosin fenë e Allahut, Islamin. Të luftohen ngjashëm siç u luftuan në shekullin X, “Djemtë e djajve”, të cilët vite me radhë kishin zhvilluar një nga luftërat më të tmerrshme në historinë e njerëzimit në emër të njëfarë “Paqe të Zotit”. Ndonëse kjo luftë u udhëhoq nga priftërinjtë dhe murgjit e tyre, kurrë nuk u kualifikua si luftë krishtere kundër njerëzimit por, thjesht, si luftë e, siç i quajti Papa Sergi i 2-të, “djemve të djajve”. Kur’ani Famëlartë thotë: “…mjerë ata që e kanë zemrën të pandjeshme, kur përmendet Allahu! Njerëz të tillë janë në humbje të qartë!” (22, Ez zumer)

Kujdesi ndaj fesë islame dhe luftimi i të gjithë atyre që mundohen ta njollosin islamin veçse e ruan dhe e shton harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare si urdhër i të Plotfuqishmit. Kushdo që nuk e respekton këtë urdhër kaq të shenjtë për mbarë njerëzimin, ai nuk i përket njerëzimit.

Të krishterët, myslimanët, ortodoksët, ithtarët e budizmit e të religjioneve të tjera – të gjithë janë krijesa të Zotit dhe si të tillë duhet të respektohen. Kur kjo e vërtetë do të mbisundojë si parim universal, vetëm atëherë do ta arrijmë atë harmoni të përgjithshme ndërfetare anekënd globit. Askush asgjë nuk humb nga ky parim. Fiton Paqa, dashuria, mirëqenia.

Paqa dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ju! Esselamu alejkum, të dashur besimtarë!

(Autori është Kryetar i BFI në RM)

 

Comments are closed.