INTERVISTË EKSKLUZIVE/ REXHEPI: Puçistët “i rrita” unë që të më kafshojnë?! aktuale.mk

Në Bashkësinë Fetare Islame në RM, edhe sot situata është e njëjtë, ndonëse gjykata së fundmi ka lëshuar urdhër të prerë që të “pakënaqurit” menjëherë të lëshojnë hapësirat e uzurpuara. Se si, çka dhe pse ndodhi kjo, për më gjerësisht zhvilluam një bisedë më Reisul Ulemanë, efendi Rexhepin. Nga ai morëm edhe prononcimin mbi situatën e nderë që u krijua në Kumanovë dhe rrethinë

“Aktuale”: Nga pamjet që u shfaqën në media, u pa një ndërhyrje e “të pakënaqurve” ndaj institucionit të BFI-së. Të punësuarit aty thanë se kanë përjetuar një tmerr të vërtetë, kinse të urdhëruar nga ish pjesëtarë të BFI-së. Cila është e vërteta?

Rexhepi: Të vërtetën e pa mbarë opinioni ynë dhe më gjerë. Ato pamje që u transmetuan në ALSAT dhe që po qarkullojnë nëpër rrjetet sociale, vërtetë janë rrëqethëse, të turpshme por edhe pamje që flasin për një rrezik para të cilit u ndodhën të punësuarit në BFI. Dy bashkëpunëtorët e mi janë rrahur, të tjerëve janë kërcënuar dhe me dhunë i kanë marrë vulat e BFI-së si dhe i kanë uzurpuar zyrat. Jashtë, në oborrin e Institucionit gjenden me dhjetëra huliganë, jashtë rrethojës së BFI gjenden qindra huliganë e njerëz të paguar të këtyre “puçistave”, të cilët po vëzhgojnë, po përcjellin, fotografojnë e incizojnë çdo lëvizje të të punësuarve, të cilët, edhe në barnatore e afërt kur po shkojnë nuk i po lihen të qetë. BFI, praktikisht, është në “shtetrrethim”, i rrethuar nga një grup i madh huliganësh e individësh me precedentë kriminale. Ja, derisa po e zhvillojmë këtë intervistë, informohem se gjykata paska sjellë vendim që urgjentisht t’i braktisin zyrat e BFI-së dhe të mos tentojnë ta uzurpojnë asnjë zyre të asnjë prone të BFI-së. Ata, por dhe huliganët, sa më parë duhet “të pastrohen” dhe të na lenë të qetë që t’i kryejmë obligimet tona. Është mirë të përfundojë ky skenar i turpshëm, të paktën për hir të situatës shumë të vështirë nëpër të cilën po kalon sidomos popullata jonë.

sulka

“Aktuale”: Fraksioni që kërkon largimin e juaj vazhdon të qëndrojë në zyrat e BFI-së. Ata kanë deklaruar se një numër i madh myftinjsh dhe udhëheqësish të tjerë ushtrojnë detyrën prej vitesh me legjitimitet të skaduar dhe kanë kërkuar edhe një herë largimin e juaj nga detyra. Sa qëndron kjo?

Rexhepi: Mosrespektimi i vendimit gjyqësor nga ana e tyre flet edhe për një cilësi që e kanë: janë anarkistë! Nuk duan jetë institucionale, nuk respektojnë as ligje, as vendime e as Kushtetutë. Për çfarë ilegjitimiteti flasin këta dështakë kur vetë janë ilegjitimë, janë qytetarë të rëndomtë me dëshirë djallëzore për t’u bërë reis, qoftë edhe një minutë! Ata e kanë të ndaluar të flasin për Kushtetutë e për akte normative, jo nga unë, por nga sjelljet e tyre; po dëshmohet se Kushtetutën e BFI-së e kanë vetëm si alibi për ta zbatuar skenarin e huaj, i cili mbase edhe mund të jetë hartuar nëpër laboratorët serbo-ruse e gjetiu. Po si më shërbyen “dip” për gjitha këto vite nëse paskam qenë “ilegjitim”? Si nuk e theksuan me gojën e tyre njëherë, qoftë ndër xhemat, qoftë nëpër forume, organe, apo edhe media? Në momentin kur Rijaseti i shkarkoi nga pozita e tyre, ndërsa unë ua nënshkrova vendimet, menjëherë del puna që qenkam “ilegjitim”! Po unë me dhjetëra bashkëpunëtorëve të mi ua kam ndërruar vendin e punës, pozicionet, sepse kështu mendoj se “shkunden” nga përgjumja e pozitës dhe dalin më produktivë duke shënuar suksese në avancimin e jetës fetare islame. Deri më tani askush nuk ka bërë problem, ndërsa këta 3-4 karrieristë u turrën të uzurpojnë kabinetin e BFI-së! Edhe, çka siguruan? Me gjasë nga një hapësirë dy me dy, atje ku e kanë vendin si anarkistë e si dhunues të selisë së një Institucioni që mbrohet me Kushtetutën e vendit. Mos i paskam futur unë në këtë aventurë? I kam lutur, i kam lutur që të ecin rrugës së sinqeritetit e të besnikërisë, e cila është përplot me sfida por që në fund kurorëzohet me suksese, me suksese të cilat ta freskojnë shpirtin dhe të bëjnë të ndjehesh krenar.

Sa i përket Myftinive si dhe të organeve të tjera por edhe të institucioneve të BFI-së, kjo u dëshmua edhe në mbledhjet urgjente të Rijasetit ku është debatuar mbi situatën e krijuar. Në të dy rastet, por ju i keni prononcimet e organeve edhe në media dhe nëpër rrjetet sociale, pra në të gjitha rastet janë që me çdo kusht të ruhet uniteti i BFI-së, të respektohet personaliteti i Reisul Ulemasë aktual dhe të vazhdohet edhe më fuqishëm drejt realizimit të planeve e të projekteve që synojnë kultivimin dhe avancimin e jetës fetare. Nuk kam dëgjuar që, një organ, një institucion, një sektor a njësi e BFI-së të jet solidarizuar me këta “puçistë” e të ketë kërkuar dorëheqjen time. Fëmija që rebelohet kundër prindërve e thenë qafën. E të gjithë e dinë se unë “i kam rritur”, unë ju kam dhënë poste e mundësi për t’i shprehur afinitetet e tyre kah e mbara! Duan anarki e shkatërrim – e thefshin qafën! Ata nuk mund të jenë më në mesin e xhematëve tonë që i kemi aq shumë të devotshëm.

“Aktuale”: Nga Myftinia ju akuzojnë, madje për shkelje të Kushtetutës dhe akteve normative të BFI-së, pasi me kushtetutën e re (pas skadimit të mandatit 5 vjeçar), ende nuk është kryer rizgjedhja e juaj?

Rexhepi: Nuk janë Myftini dy të shkarkuar dhe një grup huliganësh të manipuluar e të paguar. Myftini janë imamët. Ju e patë shumë mirë përkrahjen e imamëve të Myftinisë së Shkupit. Asnjë imam, absolutisht asnjë teolog i kësaj Myftinie nuk u solidarizua me këta “puçistë” dhe as me pretendimet e tyre anarkiste. Ndërsa prapa Institucionit të BFI-së dhe prapa organit legjitim të Myftinisë së Shkupit u rreshtuan i vogël e imadh. Myslimanët e këtushëm e duan jetën institucionale, kështu janë mësuar të punojnë dhe jo mbi baza të anarkisë. Ka pasur edhe më herët aty-këtu ndonjë individ që ia ka marrur mendja se mund të funksionojë si “anarchist” a “fraksionist” por, në fund, pasi ka ngelur tek, është penduar. Do të pendohen edhe këta “puçistë”, të jeni shumë të sigurt por, druaj se janë vonuar tepër shumë për pendesë. Mjerë ata!

“Aktuale”: Ju ende nuk jeni shfaqur në seli, ndërsa zgjodhët që të mblidhni myftinjtë në Kondovë. Pse?

Rexhepi: Sepse BFI është e rrethuar dhe e uzurpuar nga individë të armatosur. Nuk ka kushte minimale për t’u tubuar aty apo për të punuar për momentin. Natyrisht, për asnjë sekondë nuk kam dashur të provokoj situatën, sepse, kam mundur të kërkoj ndihmë sigurie nga shteti dhe aty, në zyrat e mia, në seli, të jem edhe unë. Por, nuk dua që të kontribuoj madje as në thyerjen e një thoi e lëre më të irritoj “masën e çartur”! Kemi konsideruar se BFI gjendet në gjendje të jashtëzakonshme dhe në të tilla situata shfrytëzohen objektet e organeve apo të institucioneve të tjera të BFI-së. Ne duhet të funksionojmë, kemi me qindra studentë e nxënës të cilëve duhet t’ju prijmë e t’ju sigurojmë jetë normale për funksionim. Nuk do të merremi tani me anarkistët, sepse kjo është punë e organeve të shtetit. Kam bindjen time të paluhatshme se këto organe shumë shpejtë do ta zgjidhin situatën duke na i krijuar sërish kushtet për jetë dhe funksionim normal.

Sulejman-ef.-REXHEPI

“Aktuale”: A duhej të ndodhte shkarkimi i myftiut i Shkupit, tani në këtë situatë?

Rexhepi: Unë e shtroj ndryshe pyetjen? Pse pikërisht në këtë situatë provokoi dhe doli jashtë binareve të normales Ibrahim Shabani me “kompaninë” e tij! Do të komprementohej tërë Organi i Muftinisë sikur mos të merrja menjëherë masën e shkarkimit, sepse veprimi i tij ishte tepër refuzues dhe anarkik. E kam lutur, i kam folur, kam pasur takim tet-a-tet, ju kam thënë që të qëndrojnë larg shantazheve dhe rebelimeve, sepse do të digjen vetë. Shembuj kanë pasur, kështu janë djegur të gjithë ata që janë ngritur, jo kundër meje por, kundër VAKËFIT!

“Aktuale”: A ka gjasa për dialog mes palës së “pakënaqur” dhe institucionit të juaj dhe të vazhdojnë normalisht punët në BFI?

Rexhepi: Në asnjë mënyrë! Punët kanë shkuar aq larg sa, për “puçistët” ka ngelur vetëm masa e ndëshkimit nga ana e organeve përkatëse shtetërore, dialogun e shqelmuan më herët. Është përdhosur tërë BFI, janë torturuar bashkëpunëtorët e mi, është kërkuar që të bijmë në ujdi për ta shkatërruar jetën institucionale islame! Sa të më rrahë një damar nuk do ta toleroj një projekt të tillë. Dialogu me ta ka marrë fund. Me ne si Institucion fetar nuk kanë se çka të bisedojnë!

“Aktuale”: A jeni duke zhvilluar kontakte apo takime me përfaqësues të trupit diplomatik për të tejkaluar situatën dhe cili është opinioni i tyre lidhur me gjendjen e krijuar në BFI?

Rexhepi: Po po, pa dyshim që kemi kontakte të vazhdueshme dhe, të gjithë janë të çuditur e të mërzitur me gjestin e këtyre “puçistëve”. E dënojnë dhe kërkojnë nga ne që me maturi dhe ekskluzivisht në frymën islame t’i qasemi këtij problemi. Të ruhemi dhe të mos provokohemi prej “puçistëve” dhe t’i lëmë ata që të ngelin lëndë e organeve të hetuesisë. Thënë shkurt, ndjejnë trishtim nga kjo që ka ndodhur dhe solidarizohen me ne duke na përkrahur në të gjitha hapat në zgjidhjen e këtij problem sa më qetë dhe sa më mbarë. Shfrytëzoj rastin që, në emrin tim dhe në emrin e tërë popullatës myslimane t’ju shpreh falënderimet e sinqerta për përkrahjen që po na japin në këto çaste të rënda për të gjithë ne.

11

“Aktuale”: A është i rastësishëm incidenti në BFI, pas disa incidenteve tjera që kishim në pjesët shqiptare e që janë të njohur për opinionin vendor?

Rexhepi: Nuk dua të spekuloj, ndonëse të gjitha faktet çojnë te një “mosrastësi”, te një koordinim i veprimeve për të shkaktuar mega -huti në popullatën mbarë në këto kohë të rënda për të gjithë ne. Preferoj t’ia lë kohës dhe, të merren vetë analistët tanë me këtë dukuri kaq të shëmtuar dhe aspak as kombëtare e as fetare. Druaj se rezultati i analizave do të jetë i trishtueshëm dhe tepër në disfavor të “puçistëve”.

“Aktuale”: Krejt në fund, në Kumanovë kishte një përleshje të armatosur në lagjet që janë të banuar ekskluzivisht me shqiptarë. Keni informata se çka po ndodhë?

sulejman-rexepi-640x396-1

Rexhepi: Fatkeqësisht, deri në këtë moment jemi të privuar nga informatat burimore dhe të paanshme. Spekulime plot! Situatë jo shumë e mirë. E dënueshme! Apeloj deri te Institucionet shtetërore që të kenë kujdes me përdorimin e armatimit dhe sa më të kujdesshëm të jenë me qytetarët e rëndomtë. Janë nën një rrethim të tmerrshëm, këtë nuk e bën as okupatori klasik! Aty ka gra, pleq, fëmijë, që të gjithë qysh në orët e hershme të mëngjesit janë të rrethuar. Po a kanë nevojë për bukë, për ilaçe? Po ata fëmijë a kanë nevojë për qumësht? Kush atje kërkon “terroristë” edhe në mesin e grave, pleqve e foshnjave? Kur është në pyetje shkelja e shqiptarëve çuditërisht justifikohen të gjitha metodat dhe të gjitha mjetet. Apeloj deri te faktori ndërkombëtar që të ndërhyjë dhe të mos lejojë shkaktimin e ndonjë katastrofe humanitare. Çdo njëri nga “banditët” mund të zihet veç e veç, dhe jo të pritet dhe të përdoret aksioni frontal: “fshi ç’të gjesh”! Me këtë luftë nuk demonstrohet kujdesi për rend dhe siguri por, demonstrohet urrejtja institucionale kundër shqiptarëve dhe, përgjithësisht, kundër myslimanëve. Si Institucion çdo herë kemi qenë kundër individëve apo grupeve të armatosura. Shteti i di se kush mund të jenë dhe mund t’i kapë një nga një, pa kurrfarë trysnie mbi situatën e përgjithshme. Po spekulohet se ka të vrarë e shumë të plagosur në të dy palët. Kujt i duhen këto aventura? Pse kjo bindje e djallëzuar mbi jetën e njeriut si mbi një leckë të pavlerë?! Politikanët tanë gjenden para një sprove shumë të madhe: duhet t’i lënë manash të gjitha interesat, të gjitha kapriciet e mosmarrëveshjet dhe të bëhen një në qetësimin e situatës, në përpjekjet për ta qetësuar dhe për ta shpëtuar popullatën tonë. Nuk guxojmë që të bëhemi pre e skenaristëve dashakëqij. E lus Zotin Fuqiplotë që nga kjo situatë të dalim me sa më pak viktima dhe të keqtrajtuar. Zoti e ndihmoftë popullin tim dhe i dhëntë mend atyreve që kanë ngelur pa to. Amin!

Comments are closed.