Intervistë Ekskluzive: Efendi Rexhepi: Për BFI-në nuk mund të ketë pengesa drejt zhvillimit të jetës fetare islame
Në kapërcyell të vitit të ri, Agjencia e Lajmeve ZHURNAL, zhvilloi një bisedë me Reisul Ulemanë e BFI në RM, H. Sulejman ef. Rexhepin, me të cilin shpalosëm sukseset e këtij Institucioni përgjatë vitit që e lamë pas por edhe problemet që e karakterizuan gjatë këtij viti. Po ashtu, diskutuam edhe lidhur me luftërat e pakuptimta që po zhvillohen nëpër vendet e ndryshme arabe, për pjesëmarrjen e shqiptarëve nëpër ato luftëra; biseduam edhe për bashkëpunimin dhe nivelin e këtij bashkëpunimi në mes të komuniteteve islame respektive të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë
Intervistoi Ejup Berisha
Zhurnal: I nderuari Reisul ulema Efendi Rexhepi, cilat ishin aktivitetet dhe punët më karakteristike të BFI-së dhe të organeve të këtij institucioni shumë të rëndësishëm fetar Islam në Republikën e Maqedonisë gjatë vitit 2015?
Efendi Rexhepi: Më lejoni të shpreh konsideratat e mia për Agjencinë tuaj të lajmeve. Keni qenë, në njëfarë forme, dritarja më e kthjellët prej nga janë përcjellë të gjitha aktivitetet e Bashkësisë Fetare Islame përgjatë tërë vitit. Pjesa e parë e vitit që sapo e lamë ishte periudhë e një goditje shumë të papritur dhe të pakëndshme prej një grupi të vogël individësh të cilët, Zoti e di se me çfarë qëllimesh, deshën të zhvillojnë aventurën e shkatërrimit të Institucionit. Kam thënë mijëra herë që, BFI-a, si Institucion i vetëm fetar islam në vend, përgjatë këtyre gjashtë-shtatë shekujve ekzistence, ka përjetuar lloj-lloj perandorish, carësh, sistemesh antinjerëzore dhe, ka dalë gjithnjë e më e fuqishme. Edhe kësaj radhe, falë Zotit, ia dolëm fare lehtë ta tejkalojmë atë turbulencë, e cila na erdhi papritur. Pas asaj, iu kthyem normalitetit, zhvilluam sërë aktivitetesh, madje duke shënuar edhe suksese historike. Aktivitetet më të rëndësishme vjetore dhe jetike të BFI-së janë kryesisht ato të cilat edhe e gjenerojnë buxhetin vjetor të BFI-së, të organeve dhe institucioneve të saj arsimore. Aktivitete tepër të çmueshyme për ne janë edhe zhvillimi dhe avansimi i jetës fetare islame në vend. Këtë e ushtrojmë përmes edukimit dhe arsimimit të kuadrit tonë por edhe përmes aktiviteteve nëpër mektebet e xhamive tona si dhe nëpërpjet zhvillimit të institucionit të hifzit. Këto janë vlera, këto janë shtyllat që garantojnë zhvillimin permanent të islamit në vendin tonë. Përpjekjet tona, angazhimi ynë si dhe këmbëngulja jonë më në fund rezultoi edhe me një të arritur historike: akredituam Fakultetin e Shkencave Islame të Shkupit.
Zhurnal: Do me thënë, janë krijuar kushtet për mbarëvajtje të punës së Bashkësisë Fetare Islame pas, kushtimisht thënë, grusht shtetit të kryer nga ana e një grupi njerëzish të udhëhequr nga ish-myftiu i Myftinisë së Shkupit dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm?
Efendi Rexhepi: Pa dyshim! Ajo që ndodhi do të ngelë vetëm si një njollë e zezë dhe e pashlyeshme nga ndërgjegjja e njollosur e atyre që i caktuan vetes obligim për ta detronizuar BFI-në. Në fakt, opinioni i gjerë ishte dëshmitarë se, jo vetëm që nuk pati efekt negativ te ne, por, u demonstrua një unitet i paparë më parë në mes të teologëve të vendit, të organeve dhe institucioneve të BFI-së. Të gjithë, njëzëri, e dënuan atë aventurë të dy-tre njerëzve të papërgjegjshëm dhe përçuan një mesazh se, nuk ka forcë dhe skenar që mund ta dëmtojë BFI-në. Të gjithë ata që ia nisin kësaj aventure, kalojnë nëpër një ëndërr të tmerrshme e cila, në fund, ngelë vetëm ëndërr e tyre që vetë ata nuk i ka lënë të bëjnë gjumë të qetë. Falë Allahut xh.sh., falë strukturave të mirëfillta që u dëshmuan dashamirë të fesë e të kombit, falë intelektualëve tanë, falë unitetit të fuqishëm të organeve dhe të institucioneve të BFI, por edhe të kapitalit të gjithëmbarshëm intelektual që e ka ky Institucion brenda dhe jashtë vendit, u demonstrua një unitet si asnjëherë më parë, me të vetmin qëllim që ta paralizojë projektin e nëntokës dhe për ta mbrojtur Institucionin shekullor, Bashkësinë Fetare Islame në RM. Falë Zotit të Plotfuqishëm, ia dolëm fare lehtë që në fund t’i tejkalojmë pa kurrfarë pasoje ato turbulenca të cilat të papritura dhe të pabesueshme që u shkaktuan nga ana e një grupi të udhëhequr nga ish-sekretari i përgjithshëm i BFI-së dhe ish-myftiut të Shkupit, si vegla më duart e huaja, si në aspektin shpirtëror po ashtu edhe në aspektin kombëtar. Kam bindje të plotë se, Allahu i Plotfuqishëm, I Cili është njohës i të fshehtave dhe super sekreteve, do t’i mallkojë, ndërsa edhe historia e Institucionit tonë dhe e këtij vatani do t’i llogarisë si tradhtar të shpirtit dhe të kombit. Uniteti ynë, forca jonë, sinqeriteti dhe besnikëria e shumicës absolute na ka dhënë motiv që të ecim përpara duke i shtyrë me përbuzje të gjitha pengesat e vogla që na dalin para.
Zhurnal: Si po zhvillohet jeta fetare islame në Republikën e Maqedonisë. Në skenë kemi paraqitjen e shumë grupacioneve fetare që po mundohen të promovohen dhe afirmohen me idetë e tyre në opinion për praktikimin e fesë islame sipas parimeve dhe ideve që dallojnë apo nuk janë në përputhje me islamin tradicional. Ju jeni ithtar i praktikimit të islamit tradicional! A po ngushtohet rrethi për zbatimin e kësaj mënyre të praktikimit të islamit në vendin tonë?
Efendi Rexhepi: Fatkeqësisht, përpjekje të këtilla ka, madje vende-vende shprehën në mënyrë më agresive, diku-diku në mënyrë më të sofistikuar. Një gjë duhet të qartësohet këtu: identiteti fetar i çdo komuniteti mbështetet në traditën përkatëse, në vlerat e larta të trashëgimisë kulturore e shpirtërore që ruhen brenda asaj tradite si në një kasafortë të pahapur nga asnjë forcë. Pra, imponimi i një mentaliteti të ri, me qëllim për ta ndërruar atë identitet fetar, kalon nëpër procesin e shkatërrimit të traditës, të shpëlarjes së trurit, të tjetërsimit shpirtëror. Proces absolutisht i pamundshëm! Prandaj, të gjitha përpjekjet e tyre në xhematin tonë vetëm që i nxjerrin qesharakë ata misionarë që mundohen të veprojnë në emër të fesë islame. Ata sot përfolen nëpër ndeja e nëpër vakitë tona. Përfolja nënkupton ngritjen e barrierës së refuzimit. Pra, në mënyrë shumë të kulturuar e të civilizuar këta misionarë (besa edhe mercenarë) po refuzohen dhe ndikimi i tyre po ngjanë si pesha e një pendle të korbit në fluturim. Myslimanët e Maqedonisë, në veçanti shqiptarët e këtushëm, kanë një traditë disa shekujsh të kultivimit të islamit autokton e tradicional. Ky islam autokton shqiptarët e vendit i ka bërë më dinjitozë, më nacionalistë, më patriotë dhe, këto vlera shpirtërore i kanë të ndërlidhura aq fort sa, sikur edhe të hiqte dorë nga ky islam ai automatikisht do ta lidhë këtë me tradhti të rëndë kombëtare, me veprim kundër vendit, familjes, farefisit, kombit. Ky mentalitet i shëndoshë dhe i ngjizur në ndër dijen tonë na garanton se islami tradicional, autokton, islami me të cilën shqiptarët e këtushëm u ushqyen dhe u kalitën për kaq kohë, pra ky islam është përjetë i pazëvendësueshëm dhe i pakërcënuar prej asnjë misionari, mercenari apo “teologu” të diskutueshëm.
Zhurnal: I nderuari Reis, që nga shpërthimi i konflikteve të armatosura në Lindje të Mesme dhe të Afërt, në Afganistan, Irak, Libi në Siri kemi kyçje të personave të ndryshëm, shumica e moshave të reja nga Maqedonia, për të luftuar në radhët e formacioneve të ndryshme luftarake në këto shtete. A mund të na thoni, a ekziston një shifër e saktë se sa njerëz nga vendi për momentin janë të angazhuar në fushëbetejat e shteteve të Lindjes?
Efendi Rexhepi: Jo, sepse ne nuk jemi as organizator i këtyre kyçjeve por as nuk posedojmë me mekanizma shtetëror që përcjellin hyrje-daljet e qytetarëve si dhe itinerarin e udhëtimit të tyre. Njerëzit janë të lirë të lëvizin, por duhet të jenë shumë të kujdesshëm se çka veprojnë. Ne kemi vetëm një forcë dhe një kompetencë shumë profesionale! Më mirë se ne askush nuk mund ta dijë se çka thonë mësimet islame për luftërat e tilla dhe për kyçjen e njerëzve nëpër ato luftëra. Ne, si Institucion fetar por, personalisht edhe vetë unë, jo një herë kam deklaruar se, nëpër ato vatra lufte nuk ka asgjë as islame por as shqiptare. Ato luftëra janë të pakuptimta, zhvillohen për vëllavrasje dhe, si të tilla janë aventura kriminale të njerëzve që duhet të dënohen dhe jo të përkrahen në misionin e tyre antiislam dhe të kundërt nga mësimet e shenjta kuranore si dhe nga tradita e begatë e Pejgamberit tonë, Muhamedit s.v.a.s. Nuk ka gjë më të shenjtë se të “shkrihesh” për zhvillimin e jetës fetare islame në vendin tënd. Aty ka dobi prej teje islami, familja, shoqëria, vatani. Jashtë këtij rrethi, je një kandidat potencial për t’u manipuluar, për t’u kriminalizuar, për ta njollosur islamin dhe, si rrjedhojë, je në anën e të ndëshkuarve nga Krijuesi i gjithçkait.
Zhurnal: Kur jemi te angazhimi i personave nga Maqedonia në fushëbeteja të shteteve të jashtme, pra më konkretisht të Shteteve të Lindjes, ata sigurisht se në disa raste joshen me para por edhe me ideologji dhe propagandë se nëse shkojnë të luftojnë atje ata nga Perëndia e Madhëruar do të shpërblehen me parajsë. A është angazhimi i tyre atje luftë e shenjtë apo jo dhe çfarë do t’i porositnit ju këta persona?
Efendi Rexhepi: Sapo thashë, nuk mundet që në “luftë të shenjtë” të thërrasin horrat e kriminelët, ata që luftërat i nisin për përfitime materiale. Të gjithë ata që u bashkëngjiten këtyre “formacioneve” janë, thjesht, mercenarë, njerëz që me qejf i lyejnë duart me gjakun e krijesave të Zotit. Shpërblimi i tyre në këtë botë është refuzimi dhe masat ligjore që ndërmerren kundër tyre, ndërsa në botën tjetër, do të jetë ndëshkimi meritor nga ana e Allahut xh.sh.. Krijuesi Fuqiplotë nuk ndëshkon me Xhenet asnjërin, por, dihet se ku i vendos mëkatarët e këtij lloji. Unë të gjithë ata persona që ëndërrojnë të kyçen nëpër vatrat e huaja do t’i kisha porositur vetëm me një gjë: të ngrihen intelektualisht dhe shpirtërisht në vendin ku janë lindur, sepse vetëm aty ka kuptim kontributi i tyre për të cilën aq shumë ka nevojë popullata jonë. Kur ke popullatën tënde në nevojë, kontribuo aty dhe jo gjetiu, jo aty ku vlera e jote është e barabartë me një vdekje të kotë!
Zhurnal: I nderuari Reis Ulema, që nga ardhja e juaj në krye të BFI-së ju jeni angazhuar për kthimin të pronave të BFI-së të nacionalizuara nga shteti? A është arritur ndonjë marrëveshje konkrete në drejtim të kthimit të këtyre pronave BFI-së dhe sa prona u janë kthyer deri tani?
Efendi Rexhepi: Mjerisht, kjo është një plagë që po kullon akoma, që assesi të mbyllet. Gjithandej dhe pa reshtur jemi ankuar se pushteti aktual ndaj nesh po sillet si njerkë ndërsa ndaj KOM-it si nënë. Kam përshtypjen se kërkesat tona madje as që po shqyrtohen, sepse nuk kemi kurrfarë përgjigjesh ndaj tyre. Nuk dimë se pse po vonohet ky proces dhe pse nuk na kthehen pronat tona. Kam përshtypjen se kështu do të shkojë derisa nuk do të ketë kushtëzime politike për kthimin e pronës sonë. Por, po druaj se, neve si Institucion, po na humbet durimi! Nëse ndodhë kjo, kushtëzimet politike do të jenë edhe më detronizuese për cilindo pushtet. Ne nuk po kërkojmë asgjë që është e huaj, nuk po kërkojmë asgjë që i përket shtetit, po e kërkojmë pronën tonë të cilën e kemi amanet prej të parëve tanë. Moskthimi i pronës nënkupton uzurpim, ndërsa me termat politikë nënkupton okupim! Ky fakt po na brengos shumë dhe uroj që sa më parë të vetëdijesohen të gjithë ata që vendosin për zvarritjen e këtij procesi.
Zhurnal: A mund të na thoni se si është gjendja e objekteve fetare islame ku njerëzit i kryejnë obligimet e tyre fetare: A ka objekte të mjaftueshme islame në Republikën e Maqedonisë apo është e nevojshme që të ngrihen objekte të reja?
Efendi Rexhepi: Mirëmbajtja e objekteve islame që kanë vlerën e trashëgimisë kulturore janë të mbrojtura me ligj dhe janë nën “përkujdesit” shtetëror, ndërsa objektet e më vonshme, të rejat, gjithësesi që mirëmbahen nga vetë ne, nga këshillat respektive të xhamive. Në asnjë vend nuk kemi ndonjë objekt të tepërt dhe, të gjitha ndërtohen varësisht nga shtimi dhe zgjerimi i vendbanimeve. Ato objekte ngrihen për nevoja shpirtërore, kështu që, nuk mund të vlerësojmë se a janë të mjaftueshëm apo duhet edhe më shumë. Pra, ndërtimi i këtyre objekteve është në përputhshmëri të plotë me nevojat shpirtërore të komunitetit të një vendbanimi. Varësisht prej dinamikës së zgjerimit të atij vendbanimi apo të themelimit të ndonjë vendbanimi të ri, ashtu edhe shtohet nevoja për objektet e reja fetare.
Zhurnal: Sa po arrin BFI-ja që të sigurojë mjete për kryerjen e aktiviteteve të domosdoshme fetare?
Efendi Rexhepi: Mjetet e domosdoshme financiare BFI-ja i siguron ekskluzivisht nga popullata myslimane e vendit. Aksionet si, fitri, zekati, anëtarësia, kurbanet, donacionet dhe kontributet vullnetare përbëjnë buxhetin vjetor të BFI-së e cila mban llogari për zhvillimin e jetës fetare islame, përmes organeve të veta, përmes teologëve të vet, përmes nxënësve të Medresesë Isa Beu dhe të FSHI-së. Të nënvizoj këtu se, kohëve të fundit jemi zgjeruar duke dispersuar paralele të Medresesë sonë nëpër shumë qendra të vendit por edhe duke hapur paralele për femra. Kjo nënkupton zgjerim të aktiviteteve, punësime të shumta, shtim të shpenzimeve marramendëse por, falë Zotit, deri në këto momente nuk kemi pasur as më të voglin problem. Dhe kjo falë ekskluzivisht shpirtgjerësisë së myslimanëve të vendit, falë vetëdijes së lartë islame, humane e kombëtare të pjesëtarëve tanë. Me shpirt lutem që Allahu xh.sh. t’ua shtojë shumëfish më tepër. Natyrisht, një mbështetje e konsiderueshme na vjen edhe nga diaspora jonë anekënd Evropës ku i kemi, kemi ngritur me qindra qendra islamike dhe, sado që janë etabluar dhe integruar nëpër shoqëritë përkatëse, megjithatë, nuk harrojnë të kontribuojnë edhe për nevojat e bashkëkombasevë të tyre në Maqedoni. Zoti i ruajt dhe ua shtoftë të mirat materiale!
Zhurnal: Cili është bashkëpunimi i juaj me Bashkësitë Fetare Islame në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë! A bashkëpunoni më ngushtë me ta me qëllim që t’i kryeni sa më lehtë dhe bashkërisht aktivitetet që janë të karakterit dhe natyrës fetare?
Efendi Rexhepi: Bashkësitë tona respektive kanë autonominë e plotë të tyre dhe, secila vepron në bazë të planeve zhvillimore që i ndërtojnë përgjatë vitit. Pa tjetër që jemi në kontakt permanent, jemi të përfshirë në shumë aktivitete shkencore, kulturore e fetare që i ndërmarrim. Në fillim të vitit që e lamë pas ne kemi nënshkruar një marrëveshje për ngritjen e një komisioni të përbashkët që do të merrej me hartimin e një ilmihali të përbashkët si përpjekje shumë serioze për ta unifikuar terminologjinë arabe që tashmë na është bërë terminologji e rregullt e gjuhës shqipe. Hiç më larg se para dy-tre muajve kemi ngritur iniciativë të përbashkët, të të tri komuniteteve që, të formojmë këshill të përbashkët botues dhe ta financojmë botimin e Kolonës së revistës së parë fetare islame në gjuhën shqipe, Zani Naltë, komplet ky që përbëhet nga dhjetë vëllime të kësaj reviste të periudhës 1923-1939.
Zhurnal: Këtyre ditëve është shum aktuale çështja e festimit të vitit të ri. Nëpër xhami të shumta të vendit u debatua dhe ligjërua në formë të apeleve që viti i ri të mos festohet assesi sepse është gjynah, mëkat. I nderuari Reis, a është me të vërtetë mëkat festimi i viti i ri të cilin e festojnë edhe disa myslimanë nëpër botë?
Efendi Rexhepi: Mësimet islame na thonë se, çdo bidat, çdo risi që mëton t’i cenojë këto mësime, është haram. Një e kemi të qartë të gjithë: viti i ri si dhe festimi i tij është, të shprehem me terminologjinë islame, bidat! Nga ana tjetër, si bidat tashmë ka kaluar në traditë te shumë popuj, pra, edhe ndër popujt e vendeve të ndryshme turko-arabe. Është shumë problem që të ndërhysh në një traditë. Traditat, gradualisht, por sigurt, futen në thesarin e trashëgimisë shpirtërore dhe, pastaj, çdo luftim i kësaj vlere merr konotacionin e luftimit të të drejtave të individit apo të kolektivit. Unë edhe njëherë nënvizoj se, festimi i vitit të ri është bidat, si i tillë i ndaluar. Me imponime nuk arrihet asgjë, por as me përzierje në traditat e ndryshme. Tashmë jemi vullnetarë të integrimeve nëpër organizata e asociacione ndërkombëtare, në po atë gji ku e ka vendin edhe populli ynë. Duhet të mësohemi me vlerat dhe traditat e gjithsecilit, dhe t’i respektojmë ato, qoftë edhe duke manifestuar formalisht ndonjë bashkëfestim. Djegia publike e një peme të stolisur të vitit të ri në një metropol perëndimor, sado që për ne është stolisje e kotë, megjithatë akti i djegies konsiderohet primitivizëm. Ne duhet të dëshmojmë se jemi popull me kulturë dhe civilizim të lashtë. Sido qoftë, ju uroj një vit të mirë, me mbarësi e shumë suksese!
Comments are closed.