Interesim i madh i besimtarëve për Haxh

Haxhi është një nga pesë shtyllat e Islamit.  Sipas normave islame, Haxhi është obligim një herë në jetë për secilin musliman që është i pasur,  psiko-fizikisht  i shëndoshë, i moshës madhore, i lirë dhe i sigurt.
Intervistë:  h. Afrim ef. Tahiri
Intervistoi: Valbona ZUNÇE
afr1
Në Maqedoni interesimi për kryerjen e kushtit të pestë të Islamit është gjithnjë e më i madh. Ministria e Haxhit e Mbreterisë Saudite, duke e marrë parasysh këtë realitet, ka mundësuar kuotë të mjaftueshme për nevojat tona. Andaj, BFI  si institucion me i lartë i fesë islame në Maqedoni është në radhët e vendeve të cilave Ministria e Haxhit iu lejon kuotë në bazë të interesimit të madh dhe për këtë iu jemi shumë mirënjohës-shprehet Sekretari i përgjthshëm i BFI-së.
Hëna e Re: Cila është rëndësia e Haxhit? Pse duhet kryer dhe kush duhet ta kryejë?
Afrim ef. Tahiri: Haxhi është një nga pesë shtyllat e Islamit.  Sipas normave islame, Haxhi është obligim një herë në jetë për secilin musliman që është i pasur,  psiko-fizikisht  i shëndoshë, i moshës madhore, i lirë dhe i sigurt. Lidhur me obligimin e Haxhit, mes tjerash,  Kur’ani thotë: “Dhe, thirr ndër njerëz për haxh…”  (El Haxh, 27)
“Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabesë) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo…”  (Ali Imran, 97) Ndërkaq, Pejgamberi (a. s.) ka thënë: “Njerëz, haxhin e keni të urdhëruar, andaj vizitojeni Qabenë.”
Hëna e Re: Cilat janë kushtet që duhet t’i plotësojë një person për të kryer Haxhin nëpërmjet BFI-së?
Afrim ef. Tahiri: Fillimisht,  do të kisha thënë se krahas kushteve fetare, Rijaseti i BFI si organizator i vetëm i Haxhit ka për obligim respektimin e Marrëveshjes me Ministrinë e Haxhit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, respektimin e normave ligjore të atij shteti dhe respektimin e të gjitha normave që parashihen në vendin tonë.  Për një organizim sa më të mirë të Haxhit, Rijasetit,  pra,  i duhet koordinim i mirëfilltë me institucionet vendore,  si dhe ato të vendeve të tjera që lidhen me Haxhin,  si dhe koordinim i përditshëm me organet e tij bazë, pra me myftinitë,  të cilat drejtpërdrejt bëjnë regjistrimin e haxhilerëve dhe me kohë i njoftojnë të interesuarit për kushtet e tjera apo për përgatitjet e domosdoshme, si p.sh. vaksinimi, afatet e dorëzimit të dokumentacioneve për vizat për në vendet e shenjta, pastaj lidhur me vizat dalëse etj.
Hëna e Re: Si do të jetë organizimi i Haxhit? E kam fjalën për udhëtimin, akomodimin dhe ritet që duhen të realizohen në Meke?
Afrim ef. Tahiri: Rijaseti i BFI-së ka vendosur që edhe këtë vit,  sikurse vitin e kaluar, haxhilerët që udhëtojnë përmes vijës ajrore së pari të kryejnë Haxhin dhe më pas të vizitojnë Medinen, ndërsa haxhilerët që udhëtojnë përmes vijës tokësore përmes bashkëpunëtorëve teknikë-agjencive turistike së pari të qëndrojnë në Medinë dhe më pas,  ditëve të Haxhit, të nisen për në Meke.
Rijaseti i BFI është kujdesur me kohë që haxhilerët të kenë akomodim të mirë, në vende sa më të reja dhe  të pastra. Në çdo 25-30 haxhilerë ka nga një udhëheqës grupi,  të cilët kanë për obligim të japin udhëzime fetare,  si dhe të kujdesen edhe për çështje të tjera lidhur me ta. Udhëheqësit e grupit përgjigjen para koordinatorit të tyre, kurse koordinatorët i përgjigjen  Kryesisë së Haxhit. Për një realizim sa më të mirë të Haxhit, çdo myftini organizon takim me haxhilerët e tyre, më pastaj nga udhëheqësit e Haxhit në vendet e shenjta organizohen ligjërata dhe këshilla lidhur me ibadetet që duhen të kryhen atje, shto këtu edhe materialet që iu jepen në formë të shkruar.
Gjithashtu, vlen të theksohet se në vendet e shenjta edhe këtë vit do të kemi një ekip mjekësor dhe në hotelet tona do të ketë ambulanca,  ku haxhilerët do të mund të kërkojnë shërbime 24 orë.
Hëna e Re: Vitin e kaluar angazhuat një teologe që të kujdeset për femrat haxhilere,  që t’i udhëzojë  për çdo nevojë. A prakitikohet edhe sivjet kjo iniciativë ose do të bëni ndonjë ndryshim?
Afrim ef. Tahiri: Duke marrë parasysh se nga viti në vit numri i grave që po regjistrohen për të kryer Haxhin po shtohet – në fakt,  këtë vit 41.8 %  e haxhilerëve janë të gjinisë -andaj angazhimi i  teologeve është doomosdoshmëri.  Vitin e kaluar iu sugjeruam disa myftinive, kështu që Myftinia e Shkupit ishte e para që në mesin e udhëheqësve të Haxhit caktoi edhe teologe. Këtë vit shembullin e kësaj myftinie po e ndjek edhe Myftinia e Tetovës dhe shpresojmë se viteve të ardhshme këtë do ta ndjekin edhe myftini të tjera. Vitin e kaluar isha dëshmitar se kërkesa për angazhim të teologeve ka edhe nga haxhilere që na vijnë nga myftinitë e tjera, siç isha dëshmitar se teologia e angazhuar nga Myftinia e Shkupit në shumë raste ishte e angazhuar edhe me haxhileret e myftinive të tjera.
Hëna e Re: Duke marrë parasysh krizën ekonomike që ka kapluar botën, a ka interesim të mjaftueshëm nga popullata e këtushme për të shkuar në Haxh?
Afrim ef. Tahiri: Haxhi,  siç thamë,  është një nga shtyllat e fesë, është obligim për ata që kanë mundësi materiale dhe në një shoqëri për aq sa njihet feja, është edhe interesimi për kryerjen e ibadeteve. Mund të ketë shumë shoqëri që gjendjen financiare e kanë shumë më të mirë se tonën, mirëpo jo edhe interesimin për kryerjen e këtij obligimi.  Në vendin tonë interesimi për kryerjen e kushtit të pestë të Islamit është gjithnjë e më i madh. Ministria e Haxhit e Mbretërisë Saudite,  duke e marrë parasysh këtë realitet,  ka mundësuar kuotë të mjaftueshme për nevojat tona. Jemi në radhët e vendeve të cilave Ministria e Haxhit iu lejon kuotë në bazë të interesimit të madh dhe për këtë iu jemi shumë mirënjohës.
Hëna e Re: Interesimi më i madh është për të vajtur me linjë ajrore apo tokësore?
Afrim ef. Tahiri: Për kryerjen e Haxhit interesimi është gjithnjë e më i madh. Këtë vit,  në dallim nga viti i kaluar,  interesimi ka qenë shumë më i madh përmes vijës ajrore dhe,  si rezultat i kësaj, kemi një rritje prej mbi 50 %, kurse si rezultat i gjendjes jostabile në Siri, gjatë këtij viti kemi një rënie shumë të madhe të të interesuarve për vijën tokësore.
Hëna e Re: Cila është porosia juaj në cilësi të Kryetarit të Haxhit 2011 drejtuar haxhilerëve të sivjetëm?
Afrim ef. Tahiri: Të shfrytëzojnë kohën e tyre në përgatitje sa më të mirë për kryerjen e Haxhit, të kërkojnë sqarime për çdo gjë që ndjejnë nevojë, t’i shfrytëzojnë udhëheqësit e tyre në dobi të ibadetit të Haxhit, t’i respektojnë udhëzimet dhe sugjerimet e tyre dhe të kenë durim për hir të Allahut. Lus Allahun (xh. sh.) që me lehtësi t’i kryejnë të gjitha obligimet dhe shëndoshë e mirë të kthehen në gjirin e tyre familjar dhe me haxh të pranuar.

Comments are closed.