“Xhamitë nuk i bëjnë njerëzit që kanë pasuri. Xhamitë nuk i bëjnë njerëzit që u ka dhënë Zoti zhvillim ekonomik. Xhamitë i bën një cilësi që gjendet në mendjen dhe zemrën e besimtarit.
Ajo cilësi është imani i besimtarit. Ideali dhe besimi i ngushtë tek Allahu Fuqiplotë” ishte porosia e Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, në ceremoninë e hapjes së xhamisë Nexhat Shahini në lagjen Vizbeg zona industriale, në Shkup, që u zhvillua të mërkurën më 14.07.2021, nën organizimin e Myftinisë së Shkupit.
Me këtë rast, Reisul Ulema përshëndeti të pranishmit dhe donatorët të cilët kanë kontribuar në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e kësaj xhamie dhe i uroi të gjithë për këtë vepër madhore.
“Këta njerëz aktivistë paskan folur me zemrat e tyre, me mendjen e tyre dhe me imanin e tyre. Ne si Bashkësi Fetare Islame e kemi për obligim që të themi disa fjalë. I Madhi Zot thotë: Veprat e mira që i shihni, flitni për ato. Sepse sado pak do tu tregojmë edhe të tjerëve që janë pak më larg veprave madhore, që të marrin shembull dhe model nga njerëzit që bëjnë vepra të këtilla.
Dikush më tha, do ta bëjnë xhaminë e bukur dhe do ta bëjnë shpejt, se atje janë njerëz që Zoti u ka dhënë pasuri. Është e vërtetë, por xhamitë nuk i bëjnë njerëzit që kanë pasuri. Xhamitë nuk i bëjnë njerëzit që u ka dhënë Zoti zhvillim ekonomik. Xhamitë i bën një cilësi që gjendet në mendjen dhe zemrën e besimtarit. Ajo cilësi është imani i besimtarit. Ideali dhe besimi i ngushtë tek Allahu Fuqiplotë. Njeriu që e ka kuptuar se veprat e të madhit Zot, e në veçanti Xhamia, janë vepra të madhit Zot dhe i Madhi Zot gëzohet për këto vepra” tha mes tjerash Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili vlerësoi lartë edhe punën e vazhdueshme të Myftinisë së Shkupit dhe imanin e palëkundur të xhematit të këtij qyteti, i cili prin në çdo drejtim dhe po e rikthen këtë qytet në qendër fetare, kulturore e shpirtërore të shqiptarëve të Maqedonisë, duke e bërë atë një vatan të mirëfilltë. “Ky vatan është vatan i zhvillimit të islamit dhe muslimanëve, ndërsa kjo Xhami ka një domethënie të jashtëzakonshme, për të kaluarën, për të tashmen dhe për të ardhmen tonë”.
Në një organizim të mirëfilltë të Myftinisë së Shkupit, përveç Reisul Ulemasë të BFI H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, prezent ishin edhe Sekretari Gjeneral i BFI H. Irsal ef. Jakupi, Shefi i Kabinetit të Reisul Ulemasë Dr. Abdilkerim ef. Iseni, Myftiu i BFI Manastir H. Amit ef. Rasimi, Kryetari i Këshillit iniciativ Fatmir Emini, Drejtorë të Sektorëve të Rijasetit të BFI, hoxhallarë nga Shkupi e rrethina si dhe mysafirë të shumtë. Moderator i këtij evenimenti ishte Shefi i Kabinetit të Myftiut të Shkupit z. Bujar Muça.
Si nikoqir i kësaj ceremonie, Myftiu i Shkupit Dr. Qenan ef. Ismaili përshëndeti të gjithë të pranishmit, të cilët edhe përkundër temperaturave të larta, janë prezent në inaugurimin e kësaj shtëpie të Zotit.
“Punët e mira bëhen bashkë. Punët e mira nuk munden të bëhen vetëm. Ashtu siç jemi bashkë sot në këtë xhami, bashkë… Ishte imperativ i kohës dhe më se e nevojshme për banorët e kësaj ane, të cilët gjithmonë kanë pasur nevojë për të falur namazin dhe xhumanë. Nuk kemi pasur për qëllim të ndërtojmë një xhami të madhe, por të mjaftueshme për banorët e kësaj lagje zonë industriale, ku të mund ti kryejnë obligimet e tyre fetare”, tha mes tjerash Myftiu i Shkupit.
Ai foli për nevojën e banorëve të kësaj lagje si dhe kapacitetin e xhamisë të ndërtuar e cila tanimë do ti përmbushë nevojat e banorëve të kësaj lagje. Myftiu i Shkupit Dr. Qenan ef. Ismaili gjithashtu tregoi edhe për vendimmarrjen e Këshillit të xhamisë që t’ia lënë emrin Xhamia Nexhat Shahini, sipas aktivistit të ndjerë, me vlera të larta fetare dhe njerëzore që me punën e tij dhe përkushtimin ka lënë gjurmë shembullore jo vetëm nw atw zonë, por nw twrw territorin e Myftinisw sw Shkupit.
Myftiu i Shkupit Dr. Qenan ef. Ismaili gjithashtu tregoi se kjo xhami është e re, në një lagje të re, ku akoma nuk ka anëtarësi e cila do të kujdeset për mirëmbajtjen. “Falë dy biznesmenëve të kësaj ane, të njohur nga ne për mirësitë e tyre, kanë vendosur që të bëjnë pagesën e hoxhallarëve derisa të krijohet anëtarësia e xhamisë” tha ai.
Edhe Kryetari i Këshillit të Xhamisë Fatmir Emini foli rreth vendimit për nisjen e kësaj xhamie dhe ecurisë së punëve, duke falënderuar të gjithë kontribuuesit që kanë dhënë pjesë nga koha dhe pasuria e tyre për ta ndërtuar këtë xhami.
Për sa i përket donatorëve kryesorë për ndërtimin e xhamisë dhe mirëmbajtësit, iu ndanë mirënjohje në emër të Bashkësisë Fetare Islame nga Reisul Ulema H. Hfz. Shaiqr ef. Fetai dhe Myftiu i Shkupit Dr. Qenan ef. Ismaili, për familjet: Shahini, Imeri dhe Kadriu, si dhe për Haxhi Beqir Azizi, mërgimtar nga Belgjika. Ndërsa Kryetarit të Këshillit të Xhamisë z. Fatmir Eminit iu nda mirënjohje për kontribut të veçantë në mbikëqyrjen e punëve të kësaj xhamie.
Poashtu, solemnisht iu dorëzua autorizimi nga bashkësia Fetare Islame edhe Ali ef. Shabanit si hatib i xhamisë, ndërsa Hfz, Ferat ef. Plakaj imam dhe mualim i xhamisë.
Më pas ashere u kënduan nga Hfz. Avni ef. Asani, ndërsa në fund duanë e bëri Kryetari i Kuvendit të BFI Fejsal ef. Kadriu, ndërsa namazit të Iqindisë i priu Myftiu i Myftinisë së Manastirit Amit ef. Rasimi.
Comments are closed.