Bashkësia Fetare Islame në Republiken e Maqedonisë së Veriut
Bashkësia Fetare Islame e Republiken së Maqedonisë së Veriut

Inaugurohet xhamia në fshatin Gornjan

Të premten, më datë 14.08.2020, në mënyrë solemne u inaugurua Xhamia e Re në fshatin Gornjan – Komuna e Vapçishtit, në praninë e një numri të madh mysafirësh. Pjesëmarrës në hapjen solemne ishte Kryetari i BFI, u.d. Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, Kryetari i Komunës së Vrapçishtit z. Isen Shabani, Myftiu i Strugës Mr. Salim ef. Sulejmani, Muftiu i Ohrit, Samet ef. Hajdari, Myftiu i Manastirit Hamit ef. Rasimi, Koordinatori i Myftinisë së Dibrës, Reshat ef. Kaçallniku me operativë, përfaqësues nga Myftinia e Kërçovës, banorë të fshatit Gornjan, hoxhallarë dhe mysafirë të tjerë.
Shiriti i inaugurimit u pre nga Reisul Ulemaja në shoqërinë e Kryetarit të Komunës dhe më pas programi solemn filloi me këndimin e ashereve nga Prof. Imer Alili, ndërsa të pranishmit u përshëndetën edhe nga Kryetari i Këshillit Iniciativ, Myftiu i Manastirit, Kryetari i Komunës ndërsa fjalën kryesore e mbajti Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, për të cilin kjo është paraqitja e parë publike pasi dy herë rezultoi negativ në testin CRP, ndaj kovid 19.
Në Fjalën e rastit, u.d. Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai përshëndeti përzemërsisht të pranishmit në këtë akt solemn, duke folur fillimisht rreth historikut të xhamisë së këtij fshati. Ai me plot kënaqësi kujtoi fillet dhe hapat e para të ndërtimit të kësaj xhamie. “Çdo një fshat ku banojnë besimtarë, pa një xhami, sado e madhe apo e vogël ajo, ai fshat mbetet i shkretë” tha Reisi. “Kjo xhami është si një nënë që i do fëmijët e saj pa masë dhe gjithmonë do ti kujtojë bijtë e saj, se unë jam këtu, në fshatin Gornjan. Keni për obligim të vizitoni, pavarësisht se ku jeni… Sot e tutje, kjo xhami do të jetë shkak që Gornjanasit të vijnë ta vizitojnë vendlindjen e tyre, vendin ku përmendet emri i Allahut Fuqiplotë”.
Reisi me plot kënaqësi foli edhe për momentin, për ditën që erdhi për hapjen e një xhamie kaq të bukur, kaq domethënëse për popullatën vendase dhe besimtarët, të cilët kanë iman të paluhatshëm në Allahun Fuqiplotë. (Fjalimi i plotë është publikuar në faqen oficiale të Bashkësisë Fetare Islame në FB).
Me pas Hutben e xhumasë e mbajti Myftiu i Strugës Mr. Salim ef. Sulejmani, namazin e xhumasë e fali Myftiu i Ohrit, Samet ef. Hajdari. Programin e organizuar nga Myftinia e Gostivarit e moderoi Hfz. Jusuf ef. Xheladini ndërsa duanë e bëri Prof. Sherif ef. Deari, referent të Myftinisë.

Merr përditësime në kohë reale në pajisjen tënde, Abonohu tani.

Ju gjithashtu mund të lexoni