ILMIHALI I ZGJERUAR

ILMIHALI I ZGJERUAR; (autor: Ali Zaimi, Resul Rexhepi, Jusuf Zimeri; botues: Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës. Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë, Tiranë -Prishtinë – Shkup 2018, f. 340).

Ky libër u përgatit nga një grup punonjësish prej tri bashkësive islame shqiptare, përkatësisht Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Bashkësisë Fetare Islame të Maqeonisë, pas vendimit të marrë nga prijësit e këtyre institucioneve për hartimin e një ilmihali të përbashkët. Ilmihali i zgjeruar përmban njohuri themelore të fesë islame, synon të ndihmojë myslimanët shqiptarë dhe ata shqipfolës që të njohin e mësojnë fenë islame dhe praktikat e saj në jetesën e përditshme.
Duke marrë parasysh të gjitha elementet që i bashkojnë myslimanët shqipfolës në trojet e tyre dhe më gjerë, bashkësitë tona islame, për të ruajtur vijueshmërinë e mësimeve islame, për të ruajtur njësinë e tyre dhe pastërtinë e shpjegimeve elementare islame, me të drejtë dhe në kohë të duhur, ndërmorën këtë hap konkret për realizimin e këtyre synimeve.
Ilmihali i zgjeruar, në të vërtetë, paraqet leksikonin e bazave themelore fetare dhe të udhëzimeve për përshtatshmërinë e myslimanëve dhe, si i tillë, ka për qëllim që t’i ofrojë besimtarit informacion të për- mbledhur në lidhje me çështjet e besimit dhe adhurimit. Ilmihali i zgjeruar është produkt i një pune të përbashkët e të gjatë, që është mbështetur mbi bazën e në një literature shumë të gjerë dhe mbi rezultatet e mendimet e rrahura ndër shekuj, por që këtu këto mendime janë dhënë, – e natyrshme për një ilmihal, në mënyrë sa më të thukët dhe më të qartë.
Çështjet e fesë janë shumë të gjera, por në këtë vëllim trajtohen në mënyrë të detajuar dy tema madhore: ajo e besimit dhe ajo e adhurimit. Ndërkohë, temat që kanë në fokus marrëdhëniet civile dhe ato të moralit, sigurisht që do të jenë objekt i një ndërmarrjeje tjetër në të ardhmen e tri komuniteteve tona. Kjo, sepse besimi është çelësi i xhenetit dhe se çështjet e tjera të adhurimit apo ato civile ndërtohen mbi themelet e besimit. Zemra e pranon në brendësi besimin dhe e përforcon atë edhe me arsyen. Në fenë islame besimi është vepra e mendimit, e arsyes, e ndjenjës dhe e dashurisë; është punë e zemrës dhe e mendjes.
Pas çështjeve të besimit, në këtë punim, janë trajtuar çështjet e adhurimeve, të namazit, agjërimit, zekatit dhe haxhit. Mirëpo, krahas shpjegimeve sa më të kuptueshme të dispozitave adhurimore, herë-herë, është bërë fjalë shkurtimisht edhe mbi urtësinë e këtyre adhurimeve. Adhurimet, në esencë, kërkojnë bindje dhe përkushtim ndaj urdhrit hyjnor me të cilin korrespondojnë, ndërkohë, përpjekja për të kuptuar urtësinë e këtyre urdhrave nuk është çështje e ndaluar sepse është natyrshmëri e besimit në to, porse duhet pasur parasysh gjithmonë se mendja, logjika apo arsyetimi ynë është i kufizuar për të kuptuar tërësinë e urtësive në një adhurim të caktuar.
Gjatë tërë punës në këtë ndërmarrje, autorët kanë zgjedhësh mendimin e saktë të juristëve, kolosëve të fikhut për një çështje të caktuar, qoftë edhe brenda së njëjtës shkollë juridike (medhheb), aq më tepër kur dihet se për shumë tema, ose më saktë për shumë mesele (çështje) të fikhut, ekziston më shumë se një men dim.
Mirëpo, me gjithë respektin e thellë për të gjitha shkollat juridike islame, ky Ilmihal është bazuar në medhhebin (shkollën juridike) hanefi. Kjo për faktin se kjo shkollë ka shtrirje të madhe dhe mbizotëruese në trojet tona, ndër besimtarët tanë dhe për faktin se ajo, njëherazi, është edhe shkolla juridike zyrtare e tri bashkësive tona islame. Pikërisht për këtë, është bërë përpjekje maksimale që të gjitha dispozitat ligjore të shtjellohen sipas metodologjisë dhe parimeve të kësaj shkolle juridike.

Comments are closed.