HIDHET GURRTHEMELI I XHAMISË “DËSHMORËT E VITIT 2001” NË MATEÇ TË KUMANOVËS

 

“Xhamitë i ndërtojnë, meremetojnë dhe mirëmbajnë, vetëm ata që kanë iman të paluhatur në Allahun Fuqiplotë”, ishte mesazhi i Reisul Ulemasë të Bashkësisë Fetare Islame, gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e gurrthemelit të ndërtimit të xhamisë së re në fshatin Mateç të Kumanovës, e emëruar “Dëshmorët e vitit 2001”, e cila u mbajt të dielën më 06.06.2001, për nder të dëshmorëve të rënë gjatë konfliktit të vitit 2001.

Në këtë manifestim të organizuar nga Myftinia e Kumanovës, të pranishëm ishin: Kryetari i BFI-së, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, Myftiu i Muftinisë së Kumanovës Abedin ef. Imeri, Kryetari i Komunës së Likovës z. Erkan Arifi, drejtorë të sektorëve udhëheqëse në Rijasetin e BFI, profesorë nga FSHI-ja, hoxhallarë nga Kumanova me rrethinë, mysafirë dhe banorë të fshatit Mateç.

Me një program modest të udhëhequr nga h. Rexhep ef. Ismaili teolog nga ky fshat, filloi ceremonia e vënies së gurit themeltarë të xhamisë.

Në fillim hapja e programit u bë me leximin e disa ajeteve Kur`anore nga h. Abdullah ef. Shaqiri dhe pastaj fjalën përshëndetëse e mori kryetari i Këshillit Inicues, njëherit edhe profesor në FSHI, Prof. Dr. Naser ef. Ramadani, i cili i përshëndeti të pranishmit dhe u dëshiroi mirëseardhje në fshatin Mateç me rastin e vënies së gurrthemelit të xhamisë së re. Në vazhdim në pika të shkurtra i njoftoi të pranishmit për rrjedhën e kësaj iniciative duke thënë se kjo ishte edhe një nevojë e kësaj pjese të fshatit.

Me fjalë përshëndetëse u paraqitën hoxhë Enver ef. Azizi imam i xhamisë së Mateçit dhe Kryetari i Komunës së Likovës z. Erkan Arifi, i cili në emër të Komunës së Likovës i përshëndeti të pranishmit dhe uroj punë të mbarë deri në përfundimin e punimeve.

Në vazhdim fjalën përshëndetëse e mori Muftiu i Muftinisë së Kumanovës H. Abedin ef. Imeri, i cili mes tjerash tha: “Të nderuar të pranishëm, më lejoni që në fillim ta përshëndes Kryetarin të BFI-së, Reisul Ulemanë H. Hfz.Shaqir ef. Fetai, Kryetarin e Komunës së Likovës dhe të gjithë të pranishmit në këtë eveniment historik për fshatin Mateç dhe për Myftininë e Kumanovës.

I nderuari Reisul Ulema dhe ju të pranishëm, xhamitë janë vend ku adhurohet Allahu i Madhërishëm dhe kurrë nuk janë të shumta, prandaj sipas informatave që i kam në këtë fshat do të ketë edhe një gurrthemel tjetër të një xhamie të re. Prandaj i falënderoj Prof. Dr. Naser Ramadanin me vëllezërit e tij të cilët e dhanë vendin ku po ndërtohet xhamia e re falas. Allahu i shpërbleftë me të mirat e Tij të pafund.

Të nderuar të pranishëm e shfrytëzoj rastin që në emër të Muftinisë së Kumanovës dhe të punësuarve në të dhe në emër të të gjithë teologëve ua bëj për hajër vënien e gurrthemelit të shtëpisë së Zotit dhe lus Allahun që sa më shpejtë të përfundojnë punimet dhe bashkërisht të bëjmë hapjen e saj.

Në vazhdim fjalën e rastit e mbajti Kryetari i BFI-së H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili në fillim e përshëndeti Muftiun e Muftinisë së Kumanovës Abedin ef. Imerin, Kryetarin e Komunës së Likovës dhe të gjithë të pranishmit duke thënë se xhamitë gjithmonë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në shoqërinë njerëzore që nga fillimi e deri sot.

Xhamitë kanë qenë vend adhurimi ku është madhëruar Krijuesi i gjithësisë Allahu i Madhërishëm si dhe vend edukimi dhe shkollimi, prej saj kanë dalë njerëz të mëdhenj mirë të përgatitur në të gjitha aspektet. Këtë që e themi është vërtetuar në të kaluarën në kohërat më të vështira që i ka përjetuar kjo popullatë. Allahu i Madhërishëm ka thënë se xhamitë i ndërtojnë besimtarët e devotshëm me besimin e tyre të paluhatur. Pra xhamitë i ndërtojnë, meremetojnë dhe mirëmbajnë, vetëm ata që kanë iman të paluhatur në Allahun Fuqiplotë.

Të nderuar të pranishëm, shfrytëzoj rastin që në emër të BFI-së në RMV dhe të punësuarve në të, ne emër të profesorëve të FSHI- dhe të gjithë teologëve t`ua uroj këtë gurrthemel të kësaj shtëpie të Allahut.

Dhëntë Zoti që sa më shpejt ta përfundoni dhe bashkërisht e solemnisht të bëjmë hapjen e saj.

Në fund të programit u lexuan disa ajete Kur`anore nga hfz. Seid Imeri dhe lutjen e bëri h. Eljasa ef. Mamuti vaiz i Xhamisë së Re në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

 

Comments are closed.