Viti i ri shkollor si shkas
Editorial
Viti i ri shkollor si shkas
Si çdoherë, edhe këtë vit shkollat fillore dhe ato të mesme në vendin tonë në fillim të shtatorit i hapin dyert për nxënësit e tyre. Viti i ri shkollor, respektivisht nxënësit dhe mësimdhënësit do të ballafaqohen me shumë probleme, të cilat me vite nuk gjejnë zgjidhje nga organet kompetente, gjë e cila ndikon në suksesin e procesit edukativo-arsimor.
S`ka dyshim se problemet apo defektet e pazgjidhura në fushën e shkollimit e kanë ndikimin e vet në ndjekjen e mësimit nga ana e nxënësve. Në kohë të fundit gjithnjë e më shumë po flitet për mosinteresimin dhe neglizhencën e nxënësve dhe studentëve për të mësuar, respektivisht nxënien e diturisë në përgjithësi. Ky shqetësim ka bërë që hulumtuesit e kësaj fushe të merren me shkaqet që e nxisin mosinteresimin për dituri dhe arsimim.
Në rrethanat aktuale, hulumtuesit e kësaj sfere kanë identifikuar disa shkaqe, të cilat janë të natyrës subjektive dhe të asaj objektive. Në këtë drejtim, sado pak të japim ndihmën dhe kontributin tonë, mendojmë se shkaku kryesor i neglizhencës për nxënien e diturisë është lënia pas dore e urdhrit të Krijuesit të Gjithësisë për të mësuar, urdhër ky që u shpall jo rastësisht në ajetin e parë kuranor e që është: “Mëso, në emër të Zotit tënd…”
Për rëndësinë e të mësuarit apo të nxënies së dijes flasin edhe shumë ajete të tjera kuranore, ku dijes dhe dijetarëve u jepet një rëndësi e madhe. Mes tjerash, Kurani na e bën të qartë se nuk kanë vlerë të njëjtë ata që dinë dhe ata që nuk dinë, duke thënë: “…Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë!?…”
Po ashtu, edhe shumë hadithe të Muhamedit (a. s.) porosisin për nxënien e dijes, prej të cilave po i përmendim në vijim: “Të mësuarit është obligim për çdo besimtar, qoftë mashkull apo femër.”
Nga kjo thënie e të dërguarit të Allahut (xh. sh.) shihet qartë obligueshmëria e të mësuarit për çdo besimtar pa dallim gjinie apo ndonjë përkatësi tjetër. Pra, për çdo mysliman apo myslimane është detyrë obligative të mësojë dhe të zotërojë dituri rreth obligimeve të domosdoshme që lidhen ngushtë me përditshmërinë e njeriut, me moralin dhe dispozitat themelore të jetës.
Thënie e Muhamedit (a. s.) “kërko diturinë nga djepi deri në varr”, tregon qartë se të kërkuarit e diturisë nuk kufizohet sipas moshës, ndonëse të mësuarit në moshën rinore është sikur të gdhendësh në gur.
Ndërsa hadithi “kërko diturinë qoftë edhe në Kinë”, tregon se të kërkuarit e diturisë nuk është i kufizuar sipas largësisë apo vendit. Të përkujtojmë së në Kinën e atëhershme nuk ka pasur myslimanë, po me këtë Muhamedi (a. s.) ka pasur për qëllim kërkimin e diturisë në përgjithësi, qoftë ajo edhe në Kinën e largët, duke marrë parasysh se me çfarë komunikacioni kanë udhëtuar në atë kohë.
Vlerën e të mësuarit e tregon edhe ky hadith: “Kush merr rrugë për kërkim të dijes, Allahu ia lehtëson atij rrugën për në xhenet.” Nga hadithi kuptohet se prej punëve më të mira është nxënia e diturisë; përpjekja për kërkim të diturisë është njëra prej rrugëve që e shpie njeriun në xhenet.
Duke marrë parasysh porositë e Kuranit dhe të haditheve të lartpërmendura, mund të konstatohet se nxënia e diturisë është obligim fetar dhe praktikimi apo zbatimi i këtij obligimi, me siguri do të zhduk të gjitha shkaqet tjera të cilat ndikojnë në zbehjen e interesimit për të mësuar.
Qufli Osmani
Për çdo mysliman apo myslimane është detyrë obligative të mësojë dhe të zotërojë dituri rreth obligimeve të domosdoshme që lidhen ngushtë me përditshmërinë e njeriut, me moralin dhe dispozitat themelore të jetës. Përpjekja për kërkim të diturisë është njëra prej rrugëve që e shpie njeriun në xhenet.
Comments are closed.