25-vjetor
Revista ndoqi një rrugë të hapur edhe në aspektin e trashëgimisë. Ajo integroi pena, pikëpamje, koncepte të autorëve të ndryshëm si shqiptarë, ashtu dhe të tjerë, duke ofruar gjuhë më të pasur, përmbajte të ndryshme dhe horizonte të reja.
Mbi të gjitha, përmbajtja e saj integruese e jokonfliktuoze, rruga e dashurisë e jo e anatemës ndaj tjetrit dhe të ndryshmit,e bën revistën të veçantë. ‘Hëna e Re’është, ekziston dhe do të ekzistojë; ajo është domosdoshmëri e kohës”, theksoi publicisti i letrave islame, Nexhat Ibrahimi
Përgatiti: Valbona ZUNÇE
Në kohën e ndryshimeve të mëdha shoqërore, politike e kulturore në Ballkan në fund të shekullit XX, në kohën e relativizimit të dimensionit fetar dhe moral të jetës, në kohën e thellimit të dallimeve ndërmjet dijes (profanes) dhe të shenjtës (sakrales), në kohën e mbijetimit fizik dhe shpirtëror, në Shkup, në kuadër të Bashkësisë Islame të Maqedonisë, në vitin 1987 para 25 viteve ‘lindi’ një gazetë me emrin El-Hilal, e cila më vonë do të quhet Hëna e Re. Mbase në sytë e dikujt kjo revistë ishte më tepër trend kohe, mbase për dikë një referencë për raporte vjetore, megjithatë në sytë e lexuesit ajo zuri vend të rëndësishëm. Filloi të rritet, të zë vendin i cili prej moti i përkiste, madje edhe të bëhet e dashur dhe e kërkuar, fillimisht ndër vetë besimtarët active, e më vonë edhe në mesin e intelektualëve të ndryshëm.
Revista “Hëna e Re”, përveç që ka kontribuar në zgjimin e dëshirës për të njohur të vërtetën hyjnore dhe absolute, ajo gjithashtu zgjonte dhe interesin për dijen, jetën shoqërore, kulturore, arsimore e më gjerë në vend.
Revista “Hëna e Re” sivjet po kremton 25-vjetorin e saj.
“Hëna e Re” ishte dritare e vetme për shumë vite në këtë nënqiell, që mundësoi shumë dashamirë të fjalës së shkruar të gjejnë bashkëbiseduesin dhe të bëjnë dialog për shumë çështje, ide, mendime, opinione dhe konteste.Hëna e Re ishte mundësi ku shumë mendimtarë të mëdhenj të islamistikës dhe lëmenjve të ndryshëm të ndërtojnë opinione dhe qëndrime tek lexuesit lidhur me tema të rëndësishme fetare, shkencore dhe shoqërore.
“Hëna e Re” sot ka një bekgraund të pasur me botimin e 258 numrave, fakt që na flet për një histori dhe traditë të rrallë, e cila nuk mund të krahasohet në asnjë mënyrë me shtypin tjetër jofetar dhe me atë të vonshëm fetar. Themi të vonshëm fetar, ngase shumë revista kanë filluar të shtypen në hapësirat tona më vonë se “Hëna e Re”, e cila filloi të botohet dhe të dalë në dritë në vitin 1987, në një periudhë kur ishte vështirë fjala fetare e shkruar të shtypet për qytetarët muslimanë, ngase sistemi antiislam dhe jodemokratik nuk toleronin që të botoheshin gazeta dhe materiale të tilla. Këtë të kaluar “Hëna e Re” e bën shumë të afërt, të mos themi shumë të freskët, si agimi i një mëngjesi pranveror, ngase njëkohësisht ishte burim i gjallë dhe shumë i pasur në sferën e krijimtarive të atyre që kishin lidhur jetën e tyre me penën dhe letrën, fjalët e të cilëve janë vlera dhe kanë peshë të jashtëzakonshme dhe lirisht mund të themi nuk kanë qenë fjalë shterpe dhe letër pavlerë. Autorët e teksteve tamam i përgjigjeshin asaj kategorie ku shprehja me shkronja e hartuar me ngjyra, botë e cila ngjan sikur trupat qiellorë me ngjyrën e kozmosit në galaktikë, të frymëzuar nga fjala hyjnore e Allahut Fuqiplotë, i cili në Kuranin Fisnik thotë: “Nun, pasha pendën dhe në atë që shkruhet”.
Revista “Hëna e Re” që në fillimin e jetës së saj zuri vend të rëndësishëm në shoqërinë e këtushme, duke tubuar mendjet dhe zemrat e njerëzve të dijes, shprehet Nexhat Ibrahimi, kolos i publicistikës islame.
“Edhe pse për shkaqe objektive nuk kam mundur ta përcjell në vazhdimësi ‘jetën’ e revistës, megjithatë, ajo ishte një vravashkë rreth së cilës tuboheshin mendjet dhe zemrat e njerëzve. Ajo jo vetëm që mësonte të tjerët, por edhe trasonte ide, mesazhe e madje nxiste edhe projekte. Nëpër faqet e saj Hëna e Re njëmendësoi raportin Zot-njeri, inicoi vetëdijesimin emocional, shpirtëror dhe racional.”Hëna e Re” çdoherë e kishte parasysh lexuesin e saj, andaj para tij prezantoi Islamin që kultivon paqe, dashuri, bashkëjetesë-si brenda vetvetes, ashtu edhe jashtë tij dhe nuk prezantoi ide rigjide, të ngurta e agresive. Politika redaktuese ishte e hapur përballë frymës njerëzore, përballë shenjave të kohës. Ajo donte të edukojë e të kultivojë si teologë intelektualë, ashtu edhe lexues konstruktivë, të cilët do të dinë të integrojnë vlera etike, estetike e aksiologjike të Islamit, të cilat vlera njeriu modern i ka të pakta në rrugëtimin e tij”, duke shtuar: “Po ashtu, revista ndoqi një rrugë të hapur edhe në aspektin e trashëgimisë. Ajo integroi pena, pikëpamje, koncepte të autorëve të ndryshëm si shqiptarë, ashtu edhe të tjerë, duke ofruar gjuhë më të pasur, përmbajtje të ndryshme dhe horizonte të reja. Mbi të gjitha, përmbajtja e saj integruese e jokonfliktuoze, rruga e dashurisë e jo e anatemës ndaj tjetrit dhe të ndryshmit, e bën revistën të veçantë. Hëna e Re është, ekziston dhe do të ekzistojë; ajo është domosdoshmëri e kohës”, theksoi publicisti i letrave islame, Nexhat Ibrahimi.
Analistit Abdi Baleta vlerëson se “Hëna e Re” ka dhënë dhe jep kontribut të madh në çështjen kombëtare në të gjitha hapësirat shqiptare.
“Mendoj se ‘Hëna e Re’ ka dhënë kontribut të madh në mbarë hapësirat shqiptare, që i trajton me besnikëri problemet e Islamit, me të cilin botim shoqëria njihet me problemet e besimtarëve muslimanë;gjithashtu, është dhe kontribut i madh edhe për çështjen kombëtare, qoftë në Maqedoni, Shqipëri, Kosovë, apo edhe më gjerë. Duke u nisur nga ajo se Islami ka shumë rëndësi për shqiptarët, në veçanti për historinë e formësimit të kombit shqiptar dhe të politikës së mbrojtjes së çështjes kombëtare, armiqtë tanë apo forcat antiislame synojnë të shkatërrojnë dy identitetet kryesore të shqiptarëve, përkatësisht të këtij populli: identitetin kombëtar dhe identitetin fetar musliman të shumicës dërrmuese të shqiptarëve. Albanofobinë dhe islamofobinë i kanë shkrirë në një strategji që godet shqiptarët në Ballkan, përballë kësaj strategjie është detyrë e shqiptarëve të mbrojnë identitetet e tyre-atë kombëtar dhe fetar. Duke i mbrojtur këto dy identitete, kemi kryer detyrën tonë. Islami luan rol vendimtar në këtë përpjekje të ruajtjes së vlerave kombëtare dhe fetare të shqiptarëve”, thekson analisti Abdi Baleta.
Kryeredaktori i revistës “Hëna e Re”, Abaz Islami,thekson se kjo revistë deri në ditët e sotme ka qenë dhe do të mbetet arkiv i pazëvendësueshëm i klasës intelektuale.
“Betimi i Allahut te surja el Kalem d.t.th. betim në penë, përkatësisht në atë përmes së cilës shkruajmë dhe në atë që i nxjerrim shkronjat dhe hartojmë idetë. ‘Hëna e Re’ është arkiv i pazëvendësueshëm i klasës intelektuale, akademike dhe hulumtuese, ngase shërbimet e kësaj reviste janë të pazëvendësueshme. ‘Hëna e Re’ në kontinuitet ka qenë arma më e fortë dhe elementi më i përshtatshëm mobilizues i klasës intelektuale, përmes së cilës me shkrime kanë ekzekutuar çdo iftira, çdo të pavërtetë dhe çdo trillim në adresë të fesë, Islamit, Bashkësisë Fetare Islame dhe çallmës së hoxhallarëve. Tematikat e saj janë të ndryshme ngase mund të hasim punime, opinione, qëndrime, studime dhe qasje të klasës së shquar intelektualenë sferën e fikhut, akaidit, tefsirit, hadithit, por gjithashtu edhe të filozofisë, sociologjisë, mjekësisë etj., kështu që kontributi i kësaj reviste vërtet ka qenë dhe është i madh, frytdhënës në ruajtjen, kultivimin e kulturës dhe të artit islam. ‘Hëna e Re’ është karakterizuar me punime të kulturës dhe të artit islam për vetë faktin se edhe natyra karakterizuese e saj është e tillë, në të janë demonstruar shumë punime lidhur me kulturën islame, artin dhe të bukurën e kësaj feje dhe shoqërie. Monumentet dhe objektet e trashëgimisë kulturo-historike islame kanë pasur hapësirë të veçantë dhe se përmes artikujve të ndryshëm janë prezantuar kohë pas kohe, duke i operacionalizuar në të gjitha aspektet. Megjithatë, nuk mund të paramendojmë që të botohet revista e të mos përfshihen punime lidhur me figurat dhe personalitetet e shquara të popullit musliman, të cilët kishin kontribuar në aspektin e ngritjes së vetëdijes dhe të kulturës fetare islame, si dhe të edukimit të shoqërisë muslimane. Në këtë revistë janë prekur tema të ndjeshme shpirtërore-si ato fetare, po ashtu edhe ato të indetitetit, të gjuhës, të traditës dhe të kulturës qytetare të shoqërisë myslimane si për shqiptarët, turqit, boshnjakët e kështu me radhë”, tha Abaz Islami, kryeredaktor i revistës “Hëna e Re”.
Mr. Rejhan Neziri, kryetar i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër, vlerëson se te kjo revistë njerëz të të gjitha profileve kanë gjetur përgjigjet dhe çdo gjë në këtë revistë e kanë ndjekur me kureshtje.
“Njëzet e pesë vjet Islam në gjuhën shqipe, njëzet e pesë vjet kulturë dhe frymë islame në gjuhën shqipe…; ushqim shpirtëror për shumë nxënës, studentë, intelektualë, hoxhallarë, haxhilerë… Njerëz të të gjitha profileve kanë gjetur përgjigjet e tyre, kanë qetësuar kureshtjen e tyre për shumëçka islame-shqiptare… Më kujtohen numrat e parë të gazetës (tanimë revistë) ‘El-Hilal’ (sot “Hëna e Re”) që me padurim priteshin nga xhematlinjtë e xhamive tona në ditë xhumaje kur shpërndaheshin nga imamët dhe kryesitë e tyre… Lexohej çdo imtësi, madje pa lëshuar as edhe ndonjë reklamë të mundshme… Lexohej çdo rubrikë e saj, pasi vërtet ushqente, frymonte dhe frymëzonte… Këtë e ka realizuar brenda gjithë kohës; edhe sot bile ajo lexohet me kërshërinë më të madhe edhe në diasporë, falë publikimit online të revistës, si dhe falë angazhimit të atyre që u shkruan dora shqip dhe islamisht edhe pse jetojnë në diasporë”, tha mr. Rejhan Neziri, kryetar i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër.
Prof. Dr. Qani Nesimi, ligjërues në Universiteti Shtetëror të Tetovës, Fakulteti Filozofik për përvjetorin e “Hëna e Re” deklaroi Kjo gazetë lexuesit të vet i ofroi mundësinë që të njoftohet edhe me emrat eminentë të shkencës, kulturës dhe fesë, në rangun botëror, si Rozhe Garody, Sejjid Husejin Nasr, Murat Hoffman, Ebul Ala el-Mevdudi, Husein Gjozo etj.
Hëna e Re paraqitet në opinion në kohën më delikate, mu pas viteve 80, gjegjësisht në vitin 1987. Kjo gazetë ofron njohuri të llojllojshme në fusha të ndryshme religjioze, kulturore, historike, për shqiptarët si shumicë në mesin e grupeve me përkatësi religjioze islame. Pra kjo ishte një mbushje e baterive me spiritualitet dhe me kulturë për të gjithë muslimanët në Republikën e Maqedonisë. Hëna e Re lexuesit të Maqedonisë, muslimanit për të njohur fenë e tij, kurse një jomuslimanit për tu njohur me fenë e tjetrit, i solli një mundësi që të mund të ofrohet me njëri tjetrin. Ajo poashtu solli një model të kontekstit pluralist, me përdorimin e tri gjuhëve në shkrimet dhe përkthimet që botoheshin në të: shqip, turqisht e maqedonisht. Kjo gazetë lexuesit të vet i ofroi mundësinë që të njoftohet edhe me emrat eminentë të shkencës, kulturës dhe fesë, në rangun botëror, si Rozhe Garody, Sejjid Husejin Nasr, Murat Hoffman, Ebul Ala el-Mevdudi, Husein Gjozo etj. Kjo gazete poashtu ishte, dhe vazhdon të jetë edhe në të sotmen, një atrakcion për talentët e rinjë, të cilët me shkrimet, vjershat si dhe me përkthimet e tyre mund që të tregojnë dhe manifestojnë vetveten.
Ai dhe gjithë të tjerët revistës “Hëna e Re” kanë uruar që të vazhdojë të jetë kandil i dijes, kulturës, edukimit dhe frymëzimit edhe për shumë Njëzetepesëvjetorë të tjerë, ndërsa ata që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në publikimin e kësaj reviste Zoti t’i bekojë, t’u falë shëndet e mirësi në të dyja botët.
Struktura që ka qenë e angazhuar për përgatitjen e revistës “Hëna e Re”, në krye me botuesin- Bashkësinë Fetare Islame, kanë nxjerrë në dritë revistën në disa gjuhë me të vetmin qëllim që çdo institucion, klasë shoqërore apo etnitet të gjejë vetveten dhe realitetin në formë të shkruar dhe të arkivuar. “Hëna e Re” aktualisht botohet në katër gjuhë: shqip, anglisht, turqisht dhe maqedonisht. Kjo është mundësi reale që lexuesit edhe më tej të jenë të lidhur me këtë revistë dhe në një mënyrë të mishërojnë çdo ndjenjë dhe përjetim fetar.Deri më sot kemi një numër të madh edhe të lexuesve në diasporë, gjë e cila ka mundësuar që edhe bashkatdhetarët tanë të jenë në dijeni për zhvillimet fetare në vendlindje, por gjithashtu edhe opinioni i kësaj ane të njoftohet me organizimin dhe kultivimin e jetës fetare në një shtet perëndimor që ka traditë dhe kulturë krejtësisht tjetër.
Prej botimit të parë në vitin 1987 deri në 25-vjetorin e saj, dhjetor 2012, revista “Hëna e Re” ka botuar 258 numra. Revista është respektuar nga emra të mëdhenj të penës, intelektualë dhe akademikë të shquar, puna e të cilëve do të përkujtohet në shumë përvjetorë.
Comments are closed.