Në prani të një numri të madh të besimtarëve mysliman u lëshua në përdorim xhamia e re në fshatin Cërnilisht të komunës së Prilepit. Dihet se xhamia në gjithë historikun e saj ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën e besimtarit dhe komunitetit. Ajo ka shërbyer jo vetëm si vend adhurimi, por edhe si institucion ku janë kultivuar vlerat më të mira morale e njerëzore.
Iniciativa për ndërtimin e xhamisë së re, erdhi si nevojë se fshati u përhap shumë në ndërtimin e shtëpive, sidomos për lagjet në fund të fshatit, domethënë se përveçse nuk ishte e mjaftueshme xhamia aktuale për xhematin e gjithë fshatit, por edhe për disa banorë xhamia aktuale dhe shkolla u bë e largët.
Në emër të këshillit të xhamisë së fshatit Cërnilisht, foli kryetari i saj Mustafa Aliu, i cili bëri të ditur se mërgimtarët e këtij fshati gjithnjë kanë dhënë kontribut në ndërtimin e xhamive si në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri dhe për këtë u shpreh tepër i sigurtë se ata edhe gjatë ndërtimit të minares do të japin kontributin e tyre për ndërtimin e kësaj xhamie.
Në emër të kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame, Reis ul Ulema, Haxhi Sulejman ef Rexhepi, të pranishmit i përshëndeti, Jakup ef. Selimovski i cili ka vlerësuar vendin që kanë xhamitë në jetën e besimtarëve dhe rolin e tyre në edukimin e brezave me dashurinë për Allahun dhe vlerat e fesë së Tij. Ai ka uruar besimtarët për këtë xhami të re dhe ka kërkuar që ajo të frekuentohet me përkushtim dhe dashuri për Zot.
“Xhamia duhet të kuptohet edhe si vend ku formulohen personalitete të pastërta njerëzore, sepse ajo është shtyllë kryesore që e orienton njeriun kah përsosmëria e shpirtit dhe personalitetit. Ajo është gjenerator Hyjnor. Në të ka vend si për të varfrin ashtu edhe për të pasurin”, theksoi Selimovski.
Ndërsa atasheu për çështje fetare pranë ambasadës Turke në Maqedoni, njëhokësisht anëtarë i Dianetit të Turqisë, Seyfetin Ersoy, ka shprehur kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen në këtë ceremoni. Ai është lutur që besimtarët e Cërnilishtes të kenë një mundësi më shumë për t’u kthyer nga Zoti dhe dyert e mëshirës së Tij. Të gëzuar për këtë objekt aq shumë të dëshiruar të pranishmit kanë mbushur faltoren e re islame. Nën drejtimin e Jakup ef. Selimovski, ata kanë falur namazin e mesditës.
Comments are closed.