Hapet solemnisht Xhamia e Opajës (Kumanovë)

Hapet solemnisht Xhamia e Opajës (Kumanovë)

Në një atmosferë shumë gazmore, me tekbire, më 1 janar, 2020, është hapur Xhamia e Opajës, komuna e Likovës (Kumanovë).
Kanë qenë të pranishëm: Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut; Myftiu i Kumanovës, hfz. Abedin ef. Imeri; i Shkupit, dr. Qenan ef. Ismaili; i Tetovës, prof. dr. Qani ef. Nesimi; i Gostivarit, hfz. Shaqir ef. Fetahu; i Strugës, hfz. Salim ef. Sulejmani; i Kërçovës, hfz. Murat ef. Huseini; i Maqedonisë lindore të Veriut, me seli në Shtip, hfz. Nasir ef. Rexhepi, bashkë me myftiun e mëparshëm të kësaj zone, hfz. Isa ef. Ismaili; pastaj: Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame, prof. dr. Shaban ef. Sulejmani; Kryetari i Komunës së Likovës, z. Erkan Arifi; hoxhallarë të tjerë dhe më shumë mysafirë e kurbetçinj të Likovës, të Kumanovës e më gjerë.
Manifestimi i përurimit të xhamisë së re ka filluar me një ashere nga Kurani i shenjtë, kënduar nga Ismet Selimi.
Në emër të Këshillit për ndërtimin e Xhamisë ka folur Vedat Rexhepi, duke thënë se për ndërtimin e këtij tempulli të shenjtë islam donacion kanë dhënë 400 besimtarë myslimanë. Pa ndihmën e tyre – ka thënë ai – do të ishte i pamundur ndërtimi i kësaj shtëpie të Zotit, duke shtuar se “atyre u takojnë të gjitha falënderimet”.
Xhamia – ka thënë Myftiu i Myftinisë së Kumanovës, hfz. Abedin ef. Imeri – nuk do të ndërtohej pa përkrahjen e parezervë të Kryetarit të BFI-së, h. Sulejman ef. Rexhepi. Në të njëjtën kohë, ai ka falënderuar edhe donatorët, të cilët nuk kanë kursyer asgjë për ngritjen e tempullit të Zotit në Opajë.
Pastaj ka folur Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, i cili ka falënderuar Këshillin për ndërtimin e Xhamisë dhe ka shpalosur njohuritë për rëndësinë e ndërtimit të xhamive, për vlerën e tyre, duke potencuar pjesët nga Kurani në të cilat thuhet se “xhamitë i ndërtojnë ata që besojnë në Zot, që i besojnë Ditës së Gjykimit”.
Kryetari i BFI-së, Sulejman ef. Rexhepi, ka thënë se “shpërblimi i atyre që marrin pjesë në ndërtimin e xhamive janë pallatet e Xhenetit”. Ai ka thënë se kjo xhami është ndërtuar për një kohë rekord: për 9 muaj e 10 ditë, “prandaj me mburrje them se xhemati i Kumanovës është xhemat i artë”.
Kryetari i myslimanëve të Maqedonisë së Veriut fjalën e tij përshëndetëse e ka mbyllur me lutjen drejtuar Allahut (xh. sh.) “që donatorët t’i shpërblejë me të mirat e Tij në këtë botë dhe në botën tjetër”.
Në fund, një ashere nga Kurani famëlartë ka kënduar hoxhë Shaban ef. Neziri, ndërsa duanë e ka bërë Myftiu i Myftinisë së Gostivarit, hfz. Shaqir ef. Fetahu. Namazin e drekës e ka udhëhequr Myftiu i Myftinisë së Tetovës, prof. dr. Qani ef. Nesimi.

Comments are closed.