Hapet Kabineti i Reis’ul-Ulemasë në Strugë

Hapet Kabineti i Reis’ul-Ulemasë në Strugë

Myftinia e Strugës më 4 nëntor, 2019, ka hapur Kabinetin e Reis’ul-Ulemasë në qytetin buzë Drinit. Me këtë rast është mbajtur edhe Mbledhja e rregullt e Myftinisë, në të cilën ka marrë pjesë edhe Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi.
Anëtarët e Myftinisë kanë shqyrtuar raportin e Haxhit të sivjetmë, çështjen e rikonstruktimit të lokalit të Vakëfit dhe të Hamamit; legalizimin e objekteve fetare; përgatitjet për t’i çuar në pension dy imamët: h. Akim efendiun dhe h. Zijadin efendiun, si dhe sekretarin e Myftinisë, h. Mushteba efendiun.
Në përshëndetjen drejtuar struganëve, Kryetari i BFI-së, Sulejman ef. Rexhepi, ka theksuar: “Celula fetare e Strugës është njëra prej 13 myftinive sa ka BFI e RMV gjithsej, e cila në vazhdimësi ka punuar dhe po punon në frymën e Kuranit famëlartë, të Sunnetit të Pejgamberit (a. s.) dhe të Kushtetutës së Bashkësisë Fetare Islame. Në këtë vazhdë, ne jemi të sigurt që edhe në të ardhmen nuk do të mungojnë rezultatet, ndërsa bashkëpunëtorëve që shkojnë në pension iu dëshiroj jetë të gjatë dhe ditë të lumtura si pensionistë.”
Raportin rreth Haxhit e ka paraqitur Myftiu i Myftinisë, mr. Salim M. Sulejmani, i cili ka thënë se Myftinia e Strugës e ka realizuar me sukses Haxhin 2019, gjithnjë në kuadër të planit të përgjithshëm të Rijasetit të BFI-së dhe të trupave dhe të sektorëve të tij.
Edhe pikat tjera të rendit të ditës kanë kaluar në frymën e bashkëpunimit e të respektimit të ndërsjellë, gjithnjë me qëllim që puna e Myftinisë së Strugës, arritjet dhe rezultatet e saj, të jenë nxitje për në të ardhmen.
Në fund, Kryetari i BFI-së, h. Sulejman ef. Rexhepi, ulemasë së pensionuar strugane i dhuroi nga një komplet prej librave të tij “Për Fe dhe Atdhe”.

Comments are closed.