Hapet Instituti i Hivzit në Gostivar

Hapet Instituti i Hivzit në Gostivar

Më 25 shtator, 2019, në Gostivar është hapur instituti i hivzit dhe i bukurleximit të Kuranit “Hfz. Hasan ef. Zendeli”. Të pranishëm kanë qenë Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, myftilerë të më shumë myftinive, hoxhallarë, profesorë, nxënës dhe të ftuar të tjerë.
Instituti është hapur me një ashere të kënduar nga hfz. Xhemail ef. Nuhiu, ndërsa fjalën e përshëndetjes e ka paraqitur myftiu i Myftinisë së Gostivarit, Shaqir ef. Fetahu. Para të pranishmëve me fjalë përshëndetëse është paraqitur edhe Atasheu për Çështje Fetare i Ambasadës Turke në Shkup, z. Murat Alkan dhe z. Besim Memeti kryetar i këshillit tē Komunës së Gostivarit.
Kryetari i BFI-së, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, ka folur për personalitetin e hafëz Hasan ef. Zendelit – emrin e të cilit e mban Instituti, duke e vlerësuar lart punën dhe kontributin e tij në çështje të fesë në rrethinat e Gostivarit e më gjerë. Ne si BFI, ka thënë ai, jemi duke shkuar në hap me trendet e kohës dhe ky institut është vazhdimësi e këtij trendi, kështu që në këtë institucion do të mësohet Kurani dhe bukurleximi i tij. Ky institucion është forca më e re e Bashkësisë Fetare Islame. Dhe thotë Zoti në një ajet: “Ne e zbritëm Kuranin dhe ne do ta ruajmë.” Kështu, i uroj punë të mbarë hfz. Eljesa Hasanit dhe i dëshiroj suksese të njëpasnjëshme – ka thënë Kryetari i BFI-së, Sulejman ef. Rexhepi.
Manifestimi është mbyllur me një ashere, të kënduar po ashtu nga hfz. Egzon Ibrahimi Duanë e hapjes së Institutit të Hivzit dhe të Bukurleximit të Kuranit në Gostivar e ka bërë prof. dr. Qani Nesimi, myfti i Myftinisë së Tetovës.
Instituti i Hivzit dhe i Bukurleximit të Kuranit ka për qëllim memorizimin e Kuranit famëlartë, leximin e bukur të Kuranit famëlartë, pastaj shkencën e texhvidit (- shqiptimin e saktë të fjalëve të Zotit), kultivimin dhe trajnimin e zërit të bukur, mënyrat e bukurleximit – mekametet, organizimin e kurseve të leximit të drejtë të Kuranit famëlartë për mosha të ndryshme etj. Instituti është i pajisur me zyrën e pranimit dhe të testimit të kandidatëve, me mësonjëtoren e kultivimit të bukurleximit, mësonjëtoren e memorizimit të Kuranit famëlartë – hivzit, zyrën për mysafirë dhe bibliotekën.

Comments are closed.