Bashkësia Fetare Islame në Republiken e Maqedonisë së Veriut
Bashkësia Fetare Islame e Republiken së Maqedonisë së Veriut

Hapen xhamitë në Maqedoninë e Veriut

Hapen xhamitë në Maqedoninë e Veriut

Mbi bazë të vendimit nr. 02-186 të datës 7 maj 2020 të Rijasetit të Bashkësisë Fetare Islame, më 12 maj janë hapur të gjitha xhamitë në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Hapja solemne është bërë në Saraj të Shkupit, në Xhaminë me Dy Minare, ku ka qenë i pranishëm edhe Kryetari i BFI-së, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, i shoqëruar nga myftiu i Shkupit dr. Qenan ef. Ismaili dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

Kreu i myslimanëve u ka bërë thirrje besimtarëve që faljen ta bëjnë me dy reqatë më tepër, në nderim të xhamisë (“tehijetul-mesxhid”), për mungesën e imponuar shkaku i pandemisë së koronavirusit që ka përfshirë pothuajse tërë botën.

Sot u vu në praktikë vendimi i Rijasetit të BFI-së për hapjen e xhamive për falje të namazeve kolektive, në kuadër të urdhëresave dhe rekomandimeve në fuqi – ka thënë Reis’ul-Ulemaja, duke kërkuar nga Allahu (xh. sh.) “shpëtim nga xhehenemi dhe nga e keqja e ardhur nga Covid-19”. Ai është shprehur optimist se në 10 ditët në vijim, që nga sot, problemi me pandeminë të marrë fund dhe të gjithë – pra, edhe besimtarët – t’i kthehen normalitetit.

Ne myslimanët e Maqedonisë së Veriut, ka thënë ai, i kemi respektuar të gjitha normat islame të sheriatit, po edhe ato lokale dhe ndërkombëtare, prandaj edhe kemi vendosur që t’i hapim dyert e xhamive për namaz. Kuptohet, duke respektuar në përpikëri masat për mbrojtjen e besimtarëve gjatë hyrjes, gjatë faljes dhe në dalje nga tempujt e Zotit.

Sulejman ef. Rexhepi me këtë rast ka falënderuar imamët, këshillat e xhamive dhe gjithë xhematin për durimin që kanë pasur dhe për kujdesin që kanë treguar në rihapjen e xhamive, duke respektuar një për një rekomandimet e Rijasetit. Nga BFI po ashtu informojnë se protokolli për punën e rregullt të xhamive është respektuar në të gjithë territorin e RMV, duke shpresuar se kështu do të shkojë edhe në ditët në vazhdim, deri sa të hiqen plotësisht masat e organeve shtetërore për luftimin e pandemisë Covid-19.

Merr përditësime në kohë reale në pajisjen tënde, Abonohu tani.

Ju gjithashtu mund të lexoni