Halili: Do ta rimëkëmbim partinë e parë shqiptare në RM

IMG_0334Sot, BFI-në e vizitoi kryetari i këshillit iniciativ për rimëkëmbjen e PPD-së, z. Muhamet Halili, i cili u prit nga Reisul Ulema, H. Sulejman ef. Rexhepi.

Gjatë kjëtij takimi, z. Halili e informoi Reisul Ulemanë lidhur me ecurinë e punëve, me problemet si dhe me mundësitë reale për rimëkëmbjen e partisë së parë shqiptrare në RM, Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD). “PPD duhet të rimëkëmbet, patjetër, sepse, është historia e vetë shqiptarëve të Maqedonisë së periudhës post-komuniste. Është vlerë kombëtare dhe nuk guxojmë që ta heshtim këtë fakt. Do të na gjykojë historia nëse bijmë pre e shantazheve dhe e projeksioneve për ta vdekur përgjithmonë PPD-në”, është shprehur kryetari i këshillit nismëtar për rimëkëmbjen e PPD-së, z. Muhamet Halili.

Nga ana e vet, Reisul Ulema ka theksuar se sistemi plural i një shoqërie multietnike dhe multikonfesionale është i domosdoshëm siç është i domosdoshëm edhe pluralizmi politik në vetë kampusin e bllokut musliman. “Diversiteti politik, shumëllojshmëria e ideve politike, ofertat partiake gjatë lidhjes së kontratët me popullatën shqiptare duhet të konsiderohet si e drejtë legjitime e gjithësecilit dhe si e drejtë që detyrimisht duhet të gëzojë respect. Askush nuk guxon që të mendojë në monopolizimin e çështjeve të hapura kombëtare. Secili që ka mundësi dhe kapacitet për ta dhënë kontributin e vet duhet respektuar, ashtu siç duhet respektuar edhe rrugët dhe modalitetet që gjithësecili i zgjedh përgjatë veprimtarisë politike”, është shprehur Reisul Ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi.

Comments are closed.