Bashkësia Fetare Islame në Republiken e Maqedonisë së Veriut
Bashkësia Fetare Islame e Republiken së Maqedonisë së Veriut

Gurrthemeli i “Qendrës për Kulturë dhe Arsim”

Të Hënën më 03.05.2021, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në RMV Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai udhëhoqi delegacionin e BFI të përbërë nga muftinj të BFI, anëtarë të Rijasetit të BFI dhe shumë mysafirëve nga vendi e nga jashtë të cilët kishin ardhur në Manastir që së bashku me Myftininë e Manastirit, Myftiun Amit ef. Rasimi të hedhin gurrthemelin e “Qendrës për Kulturë dhe Arsim”.

Manastiri historikisht është njohur si qyteti i Alfabetit, qyteti i dijes dhe arsimit. Pikërisht në këtë drejtim ishte edhe porosia e Reisul Ulemasë H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, në fjalimin e tij para të pranishmive të shumtë, për të cilin, edukimi dhe arsimi në islam kanë luajtur një rol të rëndësishëm që nga kohërat e hershme, e që më pas të transferohej në tërë Botën.

Dihet botërisht se para epokës moderne, islami ishte burim i dijes dhe arsimimit, vendi ku edukimi i nxënësve fillonte që në moshë të re me mësimin e gjuhës amtare dhe studimit të Kuranit Fisnik. Më pas disa nxënës vazhdonin arsimin duke studiuar interpretimin Kuranor (Tefsirin) dhe jurisprudencën islame (fëkëhun) e cila në atë kohë konsiderohej veçanërisht e rëndësishme. Për shekujt e parë të Islamit, ambientet arsimore ishin tërësisht joformale, por duke filluar në shekujt XI dhe XII, elitat qeverisëse filluan të themelojnë institucione të organizuara të mësimit dhe arsimit të lartë fetar, të njohur si medrese, në përpjekje për të siguruar mbështetje dhe bashkëpunim të Ulemave. Medresetë së shpejti u shtuan në të gjithë Botën islame, e të cilat ndihmuan edhe në përhapjen e mësimit islam përtej qendrave urbane dhe bashkimin e bashkësive të ndryshme fetare islame në një projekt të përbashkët kulturor.

Kontinuiteti i dijes dhe arsimit të shëndoshë në ambijentet dhe kohën që jetojmë sot, është domosdoshmëri e cila duhet avancuar nga Bashkësitë Fetare Islame, të cilat edhe pse mund të jenë shumë larg nga qendra e burimit të Islamit, duhet që me përkushtim dhe dedikim të investojnë në arsimimin e brezërave të rinj, në dijen dhe kulturën.

Pas përshëndetjeve dhe fjalimeve të Reisit dhe Myftiut të Manastirit, delegacioni i Bashkësisë Fetare Islame i udhëhequr nga Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili shoqërohej nga muftinj të BFI, anëtarë të Rijasetit të BFI, nikoqirit Myftiut Amit ef. Rasimi dhe operativës të kësaj Myftinie si dhe mysafirëve të shumtë, hodhën gurthemelin e “Qendrës për Kulturë dhe Arsim”, e cila në të ardhmen do të shërbejë pikërisht për të avancuar dijen dhe kulturën në qytetin e lashtë të Manastirit.

Merr përditësime në kohë reale në pajisjen tënde, Abonohu tani.

Ju gjithashtu mund të lexoni