Editorial
Gjithçka gati për në Qabe
Gjendemi në muajin e njëmbëdhjetë hixhri, Dhul-Kade, gjatë të cilit besimtarët që e kanë bërë nijet për ta kryer haxhin bëjnë përgatitjet e fundit për të marrë rrugën për në Qabe, me qëllim që t`i përgjigjen thirrjes së Allahut (xh. sh.): “Thirri njerëzit të vijnë në haxh…”
Duke marrë parasysh mënyrën e kryerjes së këtij obligimi, mund të konstatohet se Krijuesi i Gjithësisë i thirr besimtarët pavarësisht se nga cili vend janë, pavarësisht se cilës përkatësi etnike apo racore i takojnë, që mundësisht një herë në jetë të jenë mysafirë të Qabesë, për t`iu dhënë rasti për faljen e mëkateve.
Pra, pikërisht vizita Qabesë, apo shkuarja në haxh, është përgjigje e kësaj thirrje. Haxhi, si njëri prej pesë kushteve themelore të fesë islame, i takon grupit të ibadeteve, kryerja e të cilave ndërlidhet me mundësinë materiale dhe shëndetësore të besimtarëve. Allahu (xh. sh.) e bëri obligim të domosdoshëm, në ditë dhe në vend të caktuar, për çdo besimtar që i plotëson mundësitë e lartpërmendura, edhe atë: një herë në jetë.
S`ka dyshim se marrja e rrugës për në haxh dallon nga çdo udhëtim tjetër, sepse kjo rrugë është me një ndjenjë të papërshkrueshme për çdo besimtar që ka vendosur t`i përgjigjet thirrjes së Allahut (xh. sh.) për ta vizituar Qabenë.
Sivjet organizimi për kryerjen e haxhit, sipas autoriteteve të Arabisë Saudite, rikthehet në kushtet dhe kapacitetet e plota, ashtu siç ka qenë edhe para pandemisë covid-19, për shkak të së cilës dy vjet me radhë nuk pati organizim, ndërsa vitin e kaluar organizimi ishte i përgjysmuar dhe i kushtëzuar. E gjithë kjo ndikoi që të akumulohen kërkesat për shkuarje në haxh, andaj sivjet pritet që të jetë një numër rekord i haxhinjve.
Nga kjo edhe në vendin tonë janë rritur kërkesat për shkuarje në haxh, kështu që përherë të parë në historinë e organizimit të haxhit kemi dyfish më shumë kërkesa se sa numri i përcaktuar, respektivisht viza për të shkuar në haxh. (Tanimë dihet se vendit tonë i janë caktuar 2030 viza për haxh.)
Kryerja e haxhit, në dallim prej ibadeteve tjera, kërkon një qasje më të madhe përgatitore. Andaj, për udhëtimin për në vendet e shenjta dhe gjithçka që është e lidhur me këtë udhëtim, si dhe për akomodimin e haxhinjve, angazhohen shumë subjekte kompetente – si ato që e kanë cilësinë e nikoqirit, ashtu edhe ato që janë bartës të organizimeve për kryerjen e këtij obligimi.
Bashkësia Fetare Islame, si institucion i vetëm përgjegjës dhe kompetent për të organizuar jetën fetare-islame në RMV, pra edhe për kryerjen e haxhit, si çdoherë ashtu edhe sivjet i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, me qëllim që besimtarët e vendit tonë që do të udhëtojnë për haxh, në mënyrë që sa më mirë ta realizojnë haxhin, në kushtet e atjeshme klimatike, si dhe në kushtet e këtij tubimi të madh, ku prezantojnë me miliona njerëz.
Tanimë nga BFI për haxhinjtë e vendit tonë janë rezervuar hotelet për akomodim si në Mekë, ashtu edhe në Medinë, është lidhur kontrata me aviokompaninë e cila do të bëjë transportin e haxhinjve, në relacionin Shkup-Xhedda, respektivisht në relacionin e kthimit nga Medina për në Shkup.
Po ashtu, janë rezervuar vaksinat për vaksinimin e hanxhinjve, që do të thotë se të gjitha përgatitjet janë duke u realizuar në kohë në përputhje me Kontratën e nënshkruar me Ministrinë e Haxhit të Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe të ligjeve përkatëse të vendit tonë. Këtu vlen të përmendim se organet kompetente shtetërore miratuan kërkesën e BFI-së për ta hequr vizën dalëse, që do të thotë se sivjet për herë të parë për udhëtarët e haxhit nuk është e nevojshme marrja e vizës dalëse.
Në fund, të gjithë atyre që e kanë bërë nijet ta marrin rrugën për në haxh u urojmë rrugë të mbarë, duke e lutur të Madhin Zot që ata të kthehen në gjirin familjar me haxh të pranuar dhe me falje të mëkateve. Q. Osmani
>>>>>>>>>>>>>>>>>
Bashkësia Fetare Islame, si institucion i vetëm përgjegjës dhe kompetent për të organizuar jetën fetare-islame në RMV, pra edhe për kryerjen e haxhit, si çdoherë ashtu edhe sivjet i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, me qëllim që besimtarët e vendit tonë që do të udhëtojnë për haxh, në mënyrë që sa më mirë ta realizojnë haxhin, në kushtet e atjeshme klimatike, si dhe në kushtet e këtij tubimi të madh, ku prezantojnë me miliona njerëz.
Comments are closed.