Fjala përshëndetëse e Reis ul Ulema, h. Sulejman ef. Rexhepi në sesionin shkencor “Kur’ani te shqiptarët”, mbajtur në Prishtinë me 26.12.2015

 

prishtinFjala përshëndetëse e Reis ul Ulema, h. Sulejman ef. Rexhepi në sesionin shkencor “Kur’ani te shqiptarët”, mbajtur në Prishtinë me 26.12.2015

 

Vëllezër e motra, mysafirë e miq të nderuar, dashamirë të Kur’anit Famëlartë, alimë e kontribues për ruajtjen dhe përhapjen e Fjalës të Zotit, shkencëtarë të islamit- esselamu alejkum.

 

Kam nderin dhe gëzimin e veçantë të përshëndes këtë sesion shkencor kaq të rëndësishëm që po mbahet në këto kohë të mbrapshta në të cilat edhe Islami, edhe kombi shqiptar po ballafaqohen me sfida nga më të ndryshmet.

Është kënaqësi që sot jemi tubuar që shkencërisht,sadopak, të ndriçojmë e të vlerësojmë përpjekjet shqiptare për të përkthyer Kur’anin e Shenjtë, Fjalën e Zotit që me shekuj po ndikon që ne të jemi njerëz më të devotshëm, më të drejtë, më të sinqertë e më të sigurtë në rrugën tonë drejtë synimeve të përbashkëta.

Nuk ka asnjë dyshim se përkthimi i Kur’anit në gjuhët jo arabe, ka qenë dhe është nevojë e besimtarëve muslimanë nëpër botë. Po përkujtoj se qysh gjatë jetës së Muhamedit a.s. surja Fatiha është përkthyer në gjuhën perse.

Te ne, përpjekjet për të përkthyer Kur’anin janë, kuptohet, më të vonshme por kjo nuk e zvetënon vlerën e tyre. Disa ajete dhe sure është përpjekur të përkthejë poeti ynë rilindas, Naim Frashëri. Pjesërisht, Kur’ani është përkthyer edhe nga  Hafëz Ali Korça, por edhe nga Ibrahim Dalliu. Kemi informacione se një përkthim të tërësishëm ka bërë pejani Muharem Blakçori që ka jetuar në Kavajë gjatë regjimit komunist por të cilit përkthimi i ka mbetur në dorëshkrim për shkaqe të njohura. Më vonë kemi përkthimet komplete të Kur’anit nga Feti Mediu, Hasan Nahi dhe Sherif Ahmeti.

Këtë përkujtim të vogël e bëra nga respekti për punën madhështore të njerëzve tanë që Fjala e Zotit të depërtojë në çdo skutë shqiptare. Por, kam respekt edhe për mundin dhe angazhimin e juaj, të nderuar. Sot, kur Islami shpesh po akuzohet se është shkaktar i shqetësimeve nëpër botë, duke na barazuar të gjithëve me një grusht keqinterpretuesish dhe keqpërdoruesish të fesë së Allahut xh. sh,ju dhe të gjithë ne po përgjegjemi me një sesion shkencor, po dëshmojmë se Islami edhe mbrohet, edhe përhapet me mençuri, me dituri dhe urti, jo me dhunë.

Allahu xh. sh. ju shpërbleftë për punën dhe angazhimin që po bëni dhe do e bëni në të ardhmen për Islamin dhe për popullin shqiptar. Shpresoj që përkthimi i Kur’anit përherë do përsoset anipse përsoshmëria e tij është e paaritshme. Ne të gjithë jemi kalimtarë dhe mysafirë në këtë botë por Kur’ani mbetet i përhershëm, për të gjitha kohët dhe për të gjithë njerëzit. Pra, ai mbetet edhe për gjeneratat e ardhme të shqiptarëve të cilët do të duan dhe meritojnë t’a ndjejnë sa më të fuqishme dhe më tingëlluese Fjalën e Zotit.

Esselamu alejkum, paçit punë të mbarë

 

Comments are closed.