Fjala e Reisul Ulemasë së BFI-së, H. Suylejman ef. Rexhepi, me rastin e 30 vjetorit të “Diturisë Islame”, organ i BIK-ut
Këtu e 30 vjetë më parë, situata e përgjithshme në Kosovë ishte e tmerrshme, e frikshme, e papranueshme, e cila detyrimisht impononte rrugëdalje përmes një sensibilizimi të përgjithshëm të popullit shqiptar. Natyrisht, ky sensibilizim atëbotë kryhej përmes mediave, të cilat, fatkeqësisht, u goditën nga regjimi okupues serb duke instaluar censurën dhe duke e kërkuar me mjete të dhunshme autocensurën! Pikërisht, në këtë kohë, kur okupatori do të përpiqej të vë kontroll absolut mbi mediat kosovare, me qëllim të pengimit të informimit si dhe shtrembërimit të fakteve dhe të ngjarjeve (pak më vonë do të mbyllet edhe e vetmja e përditshme në atë kohë, gazeta jonë historike, “Rilindjes”), Bashkësia Islame e Kosovës, do të inkurajojë popullatën në vend duke e përligjur propagandën serbe se në Kosovë pushtet është serbi, dhe duke e ngritur lart zërin se në tokë e në qiell pushteti i takon vetëm Zotit Fuqiplotë i cili gjithnjë është në anën e të padrejtësuarit dhe të shtypurit. Kjo moto do të përhapet që nga botimi i parë i revistës “Dituria Islame”, për 30 vjetorin e së cilës do të flitet sot.
Pra, në fillim, veç tjerash do të jetë edhe në përhapje të informacioneve të ndryshëm rreth situatës politike në Kosovë, rreth angazhimeve intelektuale e popullore për të gjetur një dalje nga kjo situatë e rëndë e deri në shpalosjen, profilizimin dhe përforëcimin e identitetit fetar islam të shqiptarëve të Kosovës.
Natyrisht, nuk ishte i lehtë realizimi i kësaj politike redaktuese, sepse prirja drejt njëmendësisë, mentaliteti akoma i theksuar ateist por edhe urrejtja shoviniste serbe kundër çdo gjëje shqiptare dhe islame, krijonin pengesa të theksuara për shpërthimin e fuqishëm të kësaj reviste. Por, para objektit që përkrah fjalën e Allahut Fuqiplotë, që ndriçon traditën e Pejgamberit tonë, Muhamedit s.a.v.s., do të shemben të gjitha barrierat, të gjitha propagandat urrejtëse si dhe të gjitha mësymjet raciste. Dhe, ja ku sot, në vigjile të 30 vjetërit të revistës, me plotë të drejtë Bashkësia Islame e Kosovës mburret që e ka organ të vetin, kurse ne, shqiptarët myslimanë mburremi që e patëm revistë shumë të dashur e që e lexuam me aq ëndje.
“Dituria Islame”, përkundër të gjitha problemeve dhe sfidave me të cilat u ballafaqua përgjatë daljes së saj në kohën e okupatorit serb, megjithatë, dal nga dal arriti që të profilizohet, duke u shndërruar në një tryezë gjithëpopullore ku u shtrua mendimi islam në gjuhën shqipe dhe prej teologëve e shkencëtarëve mysliman të vendit por edhe nga jasht. Lexuesi shqiptar nisi të njohtohet me një botë të pakufishme islame por, mbi të gjitha, nisi të njohtohet me personalitete shqiptare të cilët, për shkak të përkatësisë së tyre fetare, kishin ngelur jasht margjinave të historisë dhe të panjohur deri atëherë. U ndriçua kontributi i tyre kombëtar, në të gjitha ngjarjet dhe proceset e rëndësishme historike kombëtare, duke e nënvizuar faktin që, ulemaja shqiptare duhet të pranohet, të faktorizohet dhe të respektohet në të gjitha proceset strategjike kombëtare. Kjo politikë redaktuese e revistës “Dituria Islame” si dhe politikat e përgjithshme të udhëheqësve të Bashkësisë Islame të Kosovës, tashmë kanë lënë gjurmë në historinë më të re të Kombit shqiptar, duke e ndriçuar të vërtetën e pamohueshme se shqiptarët kultivojnë islamin autokton dhe burimor, ndaj dhe janë kaq dashamirës të bashkëjetesës fetare.
Zoti e bekoftë revistën tonë “Diturinë Islame” si dhe të gjithë ata që kaluan e që do të kalojnë nëpër redaksinë e saj. I uroj nga zemra suksese dhe punë shekullore.
Fjala e Reisul Ulemasë së BFI-së, H. Suylejman ef. Rexhepi, me rastin e 30 vjetorit të “Diturisë Islame”, organ i BIK-ut
Prev Post
Comments are closed.