Fjala e Reisul Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi me rastin e mbylljes së garave Kuranore :

Fjala e Reisul Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi me rastin e mbylljes së garave Kuranore :

Esselamu alejkum të nderuar dhe fortë të respektuar rojtarë të Kuranit Famëlartë, miq e dashamirë të Islamit, kolegë, profesorë dhe mysafirë të dashur:

Kam kënaqësinë e veçantë t’ju drejtohem me rastin e mbylljes të garave Kuranore të cilat i organizoi Bashkësia Fetare Islame. Ndjehem vërtetë i emocionuar më këtë rast sepse unë i takoj gjeneratës e cila dikur vetëm mund të ëndëronte organizimin e një gare të këtillë, por ja që rrugët të cilat na i përcakton Zoti janë të paparashikueshme, të çuditshme dhe përplotë me befasi të këndshme të cilat vijnë si shpërblim për vullnetin, angazhimin dhe sakrificat tona që bëhen në emër të Krijuesit. Sëkëndejmi, e quaj shpërblim nga Zoti faktin se përpara vehtes kam kaq djem e vajza të cilët aq me zell e dashuri po i përkushtohen Bukur leximit të Kuranit dhe Hivzit.
Me këtë rast, dua të falenderoj 13 Muftinitë e Bashkësisë Islame si shtyllat e sajë më të fuqishme për angazhimin dhe kontributin e dhënë në organizimin e këtij evenimenti shumë të rëndësishëm. Poashtu, falenderoj edhe Drejtorinë e Medresesë dhe Dekanatin e Fakultetit të Shkencave Islame. Të gjitha këto organe tonat bashkërisht dëshmuan edhe një herë unitetin që mbretëron në BFI, unitet ky i cili është parim dhe urdhër që buron nga vetë esenca e Islamit. Unë, në emër të BFI apeloj edhe nga ky vend që ky unitet të reflektojë te çdo musliman i vendit me ç gjë ne do dëshmojmë përcaktimin tonë për të mbrojtur Islamin që është fe e tolerancës dhe paqes, jo e dhunës dhe e çregullimeve.
Dëshiroj, në mënyrë të veçantë të falenderoj e të shpreh respektin për sponsorin gjeneral të kësaj gare Kuranore, pra për Ministrinë e Vakfit të Arabisë Saudite e cila asnjëherë nuk nguron të ndihmojë manifestimet e këtilla.

Ndryshe, pjesëmarrësit në këtë garë janë dëshmia më e fuqishme se me sa shumë dashuri e mban besimtari musliman i këtij nënqielli në zemër fjalën e Allahut xh.sh., sa shumë respekt dhe konsideratë ka muslimani i Maqedonisë për Kur’ani Kerimin që ka qenë dhe mbetet udhërrëfyesi i vetën në këtë jetë, burim i pashtershëm i vlerave të besimit, përhapës i parimeve më të larta morale dhe etike.
Të qenurit hafëz i Kur’anit, vëllezër e motra, ndër muslimanët e Maqedonisë ka qenë përherë privilegj dhe nder i veçantë, krenari që nuk përshkruhet dot me fjalë sepse formimi i një hafizi të ri ka domethënien e vënies të një guri në muret mbrojtëse të Islamit, dëshmi se Fjala e Zotit është gjallë dhe është aktive, se harmonia, dashuria dhe humaniteti që i urdhëron Krijuesi ynë do vazhdojnë të jetojnë në shpirtin dhe vetëdijen tonë.
Një garë e këtillë sikur kjo e jona është, pa asnjë dyshim, shumë e rëndësishme dhe ka vlerë të posaçme sepse dëshmon që djemtë e vajzat tona e konsiderojnë Kur’anin si vlerë kulminante orientuese edhe në këto kohë të trazuara në të cilat njerëzimi nga pak po i ngatëron prioritetet e veta duke i kushtuar pa nevojë rëndësi gjërave triviale.
Fakti se të mësuarit e Kur’anit te ne nuk është vetëm traditë por është pjesë e mënyrës tonë të të jetuarit, n’a bën të gjithëve të lumtur, n’a bën dinjitoz, n’a bën të besojmë pa ekuivoke në ardhmërinë e ndritshme të popullit tonë.
Kjo garë e hafizëve tanë të rinjë, për këto dhe për shumë shkaqe të tjera që nuk i numrova këtu, përfundimisht ishte garë e përmbushur me besim dhe me dashuri ndaj Zotit dhe ndaj njëri tjetrit, andaj vlera e sajë qëndron te pjesëmarrja, jo te fitorja. Po them me gojën plotë se çdo pjesëmarrës në këtë garë Kuranore është fitimtar sepse e nderoi vetvehten, e nderoi familjen e vetë, n’a nderoi neve si organizatorë, e nderoi popullin tonë dhe e nderoi Islamin. Të fitosh në këtë garë është sigurisht një kënaqësi e madhe, por kënaqësia e vërtetë mbetet te fakti se hafëzi është rojtar i Kur’anit, ai e ruan fjalën e Zotit dhe e kultivon në zemrat e besimtarëve.
Jemi të mrekulluar nga bukuria e të lexuarit të Kuranit Famëlartë gjatë kohës sa zgjati kjo garë Kuranore, jemi të emicionuar nga hafizlerët tanë dhe pasi i dëgjuam bashkë, ndjehemi më të lumtur, më të sigurtë në ardhmërinë e Islamit për të cilën do të përkujdesemi, inshallah, të gjithë bashkë dhe me suport të fuqishëm të rojtarëve tanë të Fjalës të Zotit.
I përgëzoj fituesit që dëshmuan aftësinë dhe seriozitetin e tyre, por i trimëroj ata që nuk fituan që të punojnë fortë dhe në mot ata të shpallen më të mirët në këtë garë tradicionale. Dëshira ime dhe e të gjithë besimtarëve muslimanë është që ju të mos shihni njëri tjetrin si konkurentë po si vëllezër e motra të cilët mbi supet e veta të brishta kanë marrrë misionin madhështor të të qenurit hafizë e hafize. Paçit bekimin e Allahut, ju ruajt dhe qoftë gjithmonë me ju.

Comments are closed.