Fjala e fundit për “Shkupi 2014”

reisi Sulejman ef Rexhepi

“Mos e lini në dorë të të paaftëve mendërisht pasurinë tuaj që Allahu jua ka dhënë si mjet jetese për ju; ushqejini (fëmijët tuaj) dhe vishini ata prej saj dhe u thoni atyre fjalë të mira.” (En Nisa, 5)

Nga H. Sulejman ef. Rexhepi

Pak para se të shpërthente afera e përgjimeve, në Parlamentin e Maqedonisë aktuale ishte debati në mes të partive shqiptare mbi “Shkupin 2014”. Jo po, i paska fajet PDSH, jo po fajtor qenka BDI! Tërë bota e di që, ky projekt antishqiptar e antimusliman, antimaqedonas e antiortodosk nuk është i asnjë partie shqiptare, madje nuk është projekt edhe i partive të ndryshme maqedonase! Është projekt kryekëput i pushtetarëve që vijnë nga radhët e VMRO-DPMNE-së, që do të thotë se, madje nuk është projekt as i vetë kësaj partie. Kjo është më se e vërtetë, siç është i vërtetë edhe fakti që, me këta pushtetarë kaq të verbuar pas karrierës dhe përfitimeve personale, kushdo që do të pranonte për të bashkëqeverisur sinqerisht, do të dilte një palaço i pavullnetshëm, apo, për ta zbutur pak, do të dukej si marionetë i lezetshëm. Fatkeqësisht, në të tilla pozicione kanë qenë dhe janë të gjithë shqiptarët që kanë qenë të emëruar në vende kyçe të qeverisë si dhe nëpër institucione të rëndësishme. Drejtues formal, pa kurrfarë fuqie ekzekutive në interes të popullatës shqiptare dhe, përgjithësisht, muslimane. Ky konstatim sapo vjen e po përforcohet gjithnjë e më shumë. Këtë po e zbërthejnë edhe “bombat”, publikimi i përgjimeve. Nga këtu na qartësohet fuqishëm porosia kuranore që del nga ajeti që e sollëm këtu në krye të shkrimit: “Mos e lini në dorë të të paaftëve mendërisht pasurinë tuaj…” Pra do të ishte gabim fatal që me pasurinë tuaj të udhëheqë një i goditur në tru, një i krisur. Në vazhdim të ajetit fare lehtë vërehet porosia hyjnore që pasurinë të cilën na e ka dhënë Allahu i Plotmëshirshëm ta shpenzojmë vetëm për jetë dhe assesi për luks e shpenzime të kota. Shpenzimi kot i pasurisë i përket korpusit të veprimeve rreptësisht të ndaluara, haram.
PDSH-ja paska lejuar fillimin e “Shkupit 2014”, ndërsa BDI-ja paska hartuar dhe miratuar për çdo vit buxhet për realizimin dhe kryerjen e këtij projekti megaloman! Nuk është e vërtetë as njëra dhe as tjetra! Është e vërtetë se ky projekt ka ndodhur në kohë kur këto dy parti kanë qenë në “bashkëqeverisje” me VMRO-në. Kështu do të flasë historia! Por, në këtë kontekst historia do të flasë edhe për momentet vendimtare për popullin shqiptar dhe për interesat gjeostrategjike të faktorit ndërkombëtar, i cili, duke gjetur një lojalitet të sinqertë dhe një miqësi besnike tek shqiptarët, gjithnjë ka kërkuar që të jenë të durueshëm, bashkëpunues dhe problemet t’i artikulojnë brenda institucioneve shtetërore. Kjo është arsyeja se pse partitë tona, ministrat tanë kanë qenë më tepër “marionetë” se sa subjekt që kanë vepruar të pavarur në të mirën e përgjithshme. Stopimi i këtij projekti dhe moskooperimi i shqiptarëve në zhvillim të saj mund të ndodhte vetëm në rastin kur do ta bojkotonin qeverinë, kur nuk do të pranonin këtë kastë politike që provokimin etnik e fetar e ka në gjak. Në një situatë të tillë do të thoshte prishje të marrëdhënieve ndëretnike, aktivizim të protestave, padëgjueshmëri qytetare e deri te një ripërsëritje e konfliktit me përmasa edhe më tragjike se ajo e 2001-shit. Bota perëndimore kësaj radhe kishte punë më të rëndësishme se sa të merrej me Maqedoninë, prandaj, interesat shqiptare u viktimizuan pikërisht për shkak të kërkesave permanente që shqiptarët të ngelin faktorë stabiliteti i këtij shteti. Pra, kjo kërkohej prej shqiptarëve dhe jo prej kastës provokatore maqedonase, e cila, falë propagandës gebelsiane po arrin ta shesë sapunin për djathë. Por, vetëm brenda aktivistëve te vetë që “zyrtarisht” asnjëherë nuk kanë qenë më shumë se 25% prej numrit të përgjithshëm të qytetarëve të Maqedonisë. Mbi 75% e popullatës së vendit nuk janë VMRO, ndaj dhe projektet e tyre nuk mund të kualifikohen si gjithëkombëtare maqedonase apo si projekt plebishitar i gjithë qytetarëve të Maqedonisë!
Përfundimisht, projekti “Shkupi 2014” u ngrit mbi gatishmërinë e shqiptarëve të Maqedonisë për t’i viktimizuar interesat kombëtare në të mirë të interesave politike dhe gjeostrategjike të faktorëve të ndryshëm. Në këtë rast “faji” është kolektiv dhe jo i kësaj apo asaj partie! Është mirë që në këtë rrafsh të mos manipulohet më tej vetëm për një grusht pikash politike. Po ashtu, është mirë që të ngrihet një strategji kombëtare përballë këtij projekti nazist i një kaste partiake (i VMRO-së). Assesi nuk guxojmë të rrimë indiferent dhe të kënaqemi me zënkat ndërpartiake në mes të maqedonasve (LSDM-VMRO) për sa i përket këtij projekti. Këto zënka shtrihen vetëm në dy drejtime: drejt mohimit të projektit si “projekt kombëtar” dhe, e dyta, drejt mohimit të projektit “si vlerë artistike”. Fushata e dytë konfliktuale ka të bëjë vetëm si problem brendakombëtar maqedonas (shprehen dilema nëse është art, kiç apo shund). Kjo zënkë pa dyshim që është tepër artificiale, e shkaktuar nga kasta politike që provokon “pushtet absolut” dhe, shqiptarët nuk guxojnë të presin kacafytje brendaetnike (në mes të “sllavomaqedonasve” dhe “maqedonasve antik”). Ose, të paktën le ta konceptojnë këtë konflikt si problem brendamaqedonas dhe të mos harrojnë se, problem kombëtar mbetet përcjellja brez pas brezi e të vetmes të vërtetë për sa i përket projektit “Shkupi 2014”. Ky projekt është antishqiptar, i iniciuar prej një kaste politike, jo për përfitime nacionale sa për përfitime personale; i motivuar nga ndjenjat fetare ortodokse për ta ortodoksuar tërë hapësirën e Maqedonisë, për ta shtetëzuar këtë fe si dhe për ta provokuar një pakënaqësi shqiptare me qëllim të qërimit të hesapeve akoma të pambyllura që nga 2001-shi! E kanë gabim shqiptarët kur kërkojnë që këtij projekti t’i shtohen edhe nja dy-tre përmendore shqiptare, të dy-tre personaliteteve tërësisht lokal dhe të njohur vetëm prej një grusht shqiptarësh. Duhet të përcillet brez pas brezi e vërteta se, një herë në një kohë u vampiros një kastë politike e cila deshi t’ia bëjë me dije shqiptarëve se tokë shqiptare në Shkup është vetëm Gazi Baba e disa pjesë të Çairit dhe se shqiptarët e atyshëm nuk meritojnë jetë tjetër përveçse atë të getove të egra. Duhet të përkujtohet si projekt që shprehu dëshirën e flaktë të kësaj kaste politike për ta grabitur vakëfin e BFI-së, ashtu siç grabitën fragmente dhe pjesë nga historia greke, nga kultura serbo-greko-bullgare, nga trashëgimia kulturore islame, shqiptare etj.
Populli i vërtetë maqedonas ka kulturën e vet, ka gjuhën e vet, ka historinë e vet, madje shumë të bujshme, por jo këtë që serviret nga një grup politikanësh tërësisht diletantë për sa i përket këtyre sferave që formojnë identitetin e saktë kombëtar. Fare në fund, populli i vërtetë maqedonas ka një histori dhe një të kaluar për çdo lakmi për sa i përket bashkëjetesës gati vëllazërore shqiptaro-maqedonase.
“Shkupi 2014” nuk duhet të kujtohet si projekt “tradhtie” i partive shqiptare, por, në këtë rrafsh, duhet kujtuar si projekt që u ngrit në kohën kur mbi supet e partive shqiptare peshonte projekti ndërkombëtar për partneritet në ngritjen e paqes në këto treva të trazuara ballkanike. Kjo peshë detyrimisht që i bënte të gjunjëzohen edhe para skenarëve poshtëruese që ua bënin “partnerët” e tyre qeveritar.
“Shkupi 2014” duhet të kujtohet si një projekt me të cilin nuk u pajtuan edhe një pjesë bukur e madhe e popullatës maqedonase, sepse po shpaloste synimin racist të një kaste shumë të ulët politike: “ne kemi forcë për t’i getoizuar shqiptarët”! Përballë këtij getoizimi ngrihet një “qytet i ëndrrave” në të cilën nuk mund të kenë qasje shqiptarët, prandaj, ata duhet të ikin, të degdisen nëpër dynja pas një jete më të mirë e më të lumtur. Së këndejmi, sado që të insistojmë që “Shkupi 2014” të konservohet dhe të ruhet në tërësinë e saj si një “monument” që flet për diskriminimin racist antishqiptar e antimusliman, megjithatë, do të ndodhë dregëzimi i tij me tendenca për ta shëmtuar bukurinë e bashkëjetesës dhe të harmonisë së përgjithshme. Ndërrimi i dhunshëm i identitetit arkitektural i godinave, i objekteve, lagjeve, duke i veshur me barok nën pretekstin se kështu po e mbulojmë socrealizmin e urryer “prej të gjithëve”, në fakt i hap shteg rrjedhës së ideve se këtu në çdo kohë, secili që kap pushtetin, natyrshëm e gëzon të drejtën për ndërrim të identiteteve etnike, kulturore, arkitekturale etj.
Mbajtja gjallë e këtij “monumenti të budallakisë” është shumë i kushtueshëm, çdo vit do të kërkojë buxhete të veçanta, aq të mëdha sa do të mjaftonin për t’i strehuar të gjithë lypsarët që fatkeqësisht i kemi me bollëk e që po na shtohen çdo ditë e më shumë. Një ditë nuk do të kemi as kohë, as interes, as mundësi (besa as dëshirë) që të përkujdesemi rreth mbajtjes gjallë të kësaj “përmendore” të VMRO-DPMNE-së dhe, si rrjedhojë e kësaj “Shkupi 2014” do t’i nënshtrohet ligjit të korrozionit deri në drobitje fatale. Shërim nuk do të ketë. Kjo do të duhej të ishte fjala e fundit për projektin “Shkupi 2014”. Gjeneratat e ardhshme duhet ta dinë këtë të vërtetë, sepse çdo gjë tjetër është mashtrim optik, është gënjeshtër, është trillim, është gjë e kotë. Allahu Mëshirëplotë thotë: “Mos e lini në dorë të të paaftëve mendërisht pasurinë tuaj që Allahu jua ka dhënë si mjet jetese për ju; ushqejini (fëmijët tuaj) dhe vishini ata prej saj dhe u thoni atyre fjalë të mira.” (En Nisa, 5)

(Autori është Kryetar i BFI në RM)

Comments are closed.