Fjala dhe agjërimi

114

hasan
Fjala dhe agjërimi

Ramazani është muaji i agjërimit, respektivisht i abstenimit nga gjërat ushqimore, por edhe nga fjalët e këqija, sepse gjatë agjërimit njeriut nuk i lejohet të flasë gjëra të këqija që nuk përputhen me natyrën e muajit të Ramazanit

Nga Doc. dr. Muhamed Mustafi

E gjithë bota orvatet të promovojë diçka që është në favor të saj për të ndikuar sa më shumë në mendjen e njeriut dhe për të përfituar vëmendjen e tij. Çdo aktivitet që përdoret në sfera të tilla, përfshi edhe fjalën, llogaritet si lëvizje që është paraprakisht mirë e studiuar dhe e projektuar.
Aktiviteti i tillë botëror mbështetet në fjalë, sepse vlera e fjalës është aq e fuqishme, saqë mund të ndikojë në ndërtimin e mendjes e të qëndrimit të njeriut. Fjala është çelësi kryesor i suksesit apo dështimit, dhe nëse fjala është e fuqishme, atëherë do të vërejmë se suksesi është i pashmangshëm.
E tërë kjo lëvizje varet nga fjala, dhe jo rastësisht hasim në Kuranin famëlartë vlerën e fjalës për të ndryshuar individin apo shoqërinë: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe zhvillo polemikë në mënyrën më të bukur.”
Fjala është ajo që e mban lidhjen kryesore mes Zotit dhe njeriut. Sikur të mos ishte kështu, atëherë fjala do të ishte diçka e pakuptueshme dhe se nuk do të ekzistonte aftësia e të folurit te njeriu.
Mundësia e të folurit ofron fjalë që janë në suaza të së logjikshmes, sepse asnjë nuk pranon diçka që është jashtë logjikës dhe jashtë mendjes së shëndoshë.
Ramazani është muaji i agjërimit, respektivisht i abstenimit nga gjërat ushqimore, por edhe nga fjalët e këqija, sepse gjatë agjërimit njeriut nuk i lejohet të flasë gjëra të këqija që nuk përputhen me natyrën e muajit të Ramazanit.
Në këtë muaj zbriti fjala hyjnore, e cila është e pakrahasueshme me fjalën njerëzore, bile as që mund të paramendohet një krahasim i tillë, sepse Ajo fjalë është e përhershme dhe s’dihet si formohet, për shkak se natyra e Tij është e pakapshme për ne. Fjala jonë është diçka që del nga goja dhe formohet në bazë të vibrimit të zërit në forma të ndryshme për të formuar diçka që mund të transmetohet nga folësi deri te dëgjuesi.
Fjala Hyjnore është shpallur përmes Kuranit, dhe ajo fjalë do të vazhdojë së ekzistuari sepse këtë e garanton Zoti i Madhëruar, kurse fjala e njeriut është e ndryshueshme në bazë të rrethanave dhe ngjarjeve konkrete.
Fjala që përdoret në muajin e Ramazanit është ndryshe nga fjalët e jetës së përditshme, sepse rrethanat gjatë muajit të Ramazanit janë më specifike.
Njeriu që agjëron është i kujdesshëm në fjalë dhe nuk përdor diçka që është në kundërshtim me natyrën e muajit të Ramazanit.
Nëse ka moskuptim mes folësit dhe dëgjuesit, atëherë, thjesht, mund të themi se fjala nuk e luan rolin e vet dhe se ekziston ndonjë defekt në fjalë, sepse kjo cilësi është specifike për njeriun; dhe nëse nuk është e suksesshme, kjo nënkupton se fjala është sterile dhe jo frytdhënëse. E vetmja cilësi që konfirmon rolin tonë në histori është fjala, pa marrë parasysh a është fjalë e shkruar apo e transmetuar. Sikur të mos ishte fjala, ne sot nuk do të dinim asgjë, bile nuk do të dinim as të mendonim, për shkak se fjala është reflektim i trurit. Lirisht mund të thuhet se diçka që nuk mund të flitet, nuk mund të ekzistojë, bile nuk do të dinim asgjë përpos heshtjes… Natyra e njeriut nuk e pranon heshtjen, sepse Zoti i Madhëruar i dha aftësinë për të folur e për të adhuruar Atë që i mundësoi të flasë.
Pra, Ramazani është muaji i agjërimit, por edhe i fjalës, sepse të gjitha aktivitetet që zhvillohen gjatë këtij muaji ndërlidhen ngushtë me fjalën.
,,Në muajin e Ramazanit zbriti Kurani, udhë rrëfim për njerëzit…’’ Ky ajet është argument më i fuqishëm që vërteton rëndësinë e fjalës, ngase vetë termi ,,udhë rrëfim’’ nënkupton urdhrin përmes fjalëve të shpallura hyjnore.
Nuk jam ithtar i logosiadës helene, sepse nuk them se fjala ka fuqi kreative, por në bazë të instruksioneve hyjnore, fjala është metoda përmes së cilës zhvillohet dialogu, diskutimi, polemika, zbërthimi, argumentimi, mbrojtja, ndikimi… Kjo vlen për ne, si njerëz, por jo edhe për Zotin e Madhëruar, ngase Atij i mjafton të thotë: “Bëhu” dhe bëhet!
Në një pjesë të ajetit kuranor thuhet: ,,Dhe zhvillo polemikë në mënyrën më të bukur’’, që nënkupton se ne, si myslimanë, jemi të obliguar të përdorim fjalën më të bukur që ekziston për të kryer misionin tonë të suksesshëm në këtë botë, përkatësisht për të realizuar amanetin të cilin as kodrat nuk patën guxim ta merrnin mbi vete… Pra, përdorimi i fjalës së myslimanit është i pakrahasueshëm, ngase asgjë në botë nuk mund të ketë rëndësi nëse fjala e tij nuk ka peshë.
Ramazani e ngjall shpirtin e njeriut më tepër se në ditët tjera jashtë agjërimit, dhe për këtë arsye edhe fjala e agjëruesit është më e pastër, ngase nga trupi i lodhur pa ushqim, del fjala që është inspirim nga muaji në të cilin është edhe nata që vlen më shumë se një mijë muaj… Këtë muaj e specifikon vetë Zoti i Madhëruar dhe për këtë arsye edhe ndikimi i fjalës është më i dobishëm.
Zoti i Madhëruar e obligoi njeriun me agjërim, por edhe me fjalë të mirë e të sinqertë ndaj njeriut, sepse, nëse ajo është e bukur, shoqëria njerëzore do të jetë më e lumtur. ,,Fjala e Zotit është më e larta.’’

(Autori është ligjërues i gjuhës arabe (fonetikë dhe morfologji ) në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup)