[:al]Filluan ligjeratat e para të Studimeve Mastër në Fakuletin e Shkencave Islame në Shkup[:]

[:al]Shkup, 18 nëntor – Në ambientet e Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup filluan ligjeratat e para të Studimeve Islame Master. Në këtë ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme për FSHI-në morën pjesë Kreu më i lartë i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, me bashkëpunëtorët e tij si dhe ligjerues dhe drejtues të FSHI-së më në krye dekanin Doc. Dr. Faredin Ebibi, drejtori i Medresesë Isa Beu, muftinjë dhe mysafirë të ndryshëm.
Fillimisht, nikoqiri i këtij Institucioni, efendki Ebibi, falënderoi të pranishmit si dhe nënvizoi rëndësinë e ciklit të dytë të studimeve për mastër pranë FSHI-së. Më pas, ligjeratën e parë pranë studentëve të këtij cikli e mbajti Reisul Ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, i theksojë sot do të duhet të jemi shumë të lumtur, sepse po shijojmë një frut të angazhimit tonë, të punës sonë dydekadëshe, të synimit tonë mbase me shekuj: Fakulteti i Shklenace Islame po bëhet vatër e studimeve të avancuara.
“Fill pas akreditimit të Fakultetit tonë, ne iu rrekëm edhe programit si dhe tërë rregullativës përkatëse për studime posuniversitare, apo për studime master. Kjo është kërkesë e shumë studentëve tanë, të cilët këmbëngulin që t’i avancojnë njohuritë e tyre dhe, kjo kërkesë, natyrisht që do të gjenerojë edhe kërkesën tjetër, e cila do të duhet të presë kohën e vet. Uroj që sa më shpejt studentët tanë, studiuesit tanë të kenë mundësinë që edhe studimet e doktoranturës t’i kryejnë këtu, në këtë Fakulte. Pa dyshim që, deri në këtë nivel do të duhet kohë, angazhime dhe shumë punë!
Më lejoni që, t’i kthehem për një çast të kaluarës sonë jo shumë të largët dhe, të shpalos punë e angazhime, mund e peripeti, sfida e suksese, të cilat i kemi arritur që nga ngjizja e idesë, konkretizimit të projektit e deri në realizim në formë të hapjes dhe funksionimit të kësaj vatre arsimore.
Pas pavarësimit të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, të vetmën brengë të asaj kohe e kishim themelimin e një Fakulteti Teologjik, i cili, në kohën e ish-Jugosllavisë funksiononte vetëm në Sarajevë, në gjuhën boshnjake. Po ndjenim se kishte ardhur koha që, tashmë ta kemi edhe ne Fakultetin tonë, në gjuhën tonë si dhe në gjuhën e myslimanëve tanë. Ndonëse ndihmesat finansiare na u reduktuan vetëm në fuqinë ekonomike të myslimanëve të Maqedonisë, megjithatë, për asnjë çast nuk jemi frikësuar se do të ngelim në gjysëm rruge.
Idenë e hodhëm në fillim të viteve nëntëdhjeta, kurse peripetitë deri te marrja e lejës për ndërtim janë një storie më vete; një gjysëm dekade përplot përpjekje, përplot ndiesirash për diskriminim, padrejtësi, por edhe plotë energji nga ana jonë që mos të mposhtemi. Një dosje e tërë dokumentesh e komunikimesh në relacion BFI dhe qeveri e asokohëshme!
Kur i tejkaluam të gjitha barrierat që mbanin erën e diskriminimit fetar e nacional, çuditërisht, në skenë do të hidhen “dhelprat politike” që kanë nevojë të manipulojnë me ndjenjat kombëtare. Në sfond ishte themelimi dhe nisma e punës së Universitetit të parë në gjuhën shqipe në Maqedoni, ai i Tetovës. Ne veçmë kishim filluar me konkretizimin e projektit tonë, kurse do të nisin të na akuzojnë si “minues” të projektit kombëtar “Universitetit të Tetovës”! Kështu mendonin qëllimkëqinjtë, sepse në po jepnin paralelisht edhe kontributin tonë, qoftë material qoftë finansiar, edhe për Universitetin e Tetovës! Sot, kemi edhe tri universitete të tjera në gjuhën shqipe dhe asnjëra tjetrën nuk e minojnë, në fakt, që të gjitha janë në shërbim të një kauze shumë të shenjtë – të shkollohet popullata jonë, të ngritet vetëdija arsimore e kulturore deri në atë nivel që e kanë sot popujt e civilizuar dhe, në këtë plan, tashmë populli ynë po ec në hap me popujt e shteteve perëndimore.
Në vitin akademik 1997/98 ne filluam me gjeneratën e parë të Fakultetit të Shklencave Islame në Shkup! Hapja e kësaj vatre qe një ngjarje kombëtare, tepër madhështore dhe e paharrueshme. Ishte një ditë e veçantë, një ditë gëzimi që mund të përjetohet vetëm nga pjesëmarrësit në atë çast. Pjesëmarrësit ishin të shumtë, përfaqësues nga gjithë trevat ballkanike dhe më gjërë, deri te pjesëmarrje e donatorit kryesor për ndërtimin e Fakultetit, Sulltan dr. Abdullah bin el Kasimi Emir i Sharikas.
Pastaj filluan sfidat e reja! Nuk na brengoste fillimi i punës me më shumë kuadro pa përvojë facultative, sa na brengoste përpjekja për të na ndërhyrë në sistemin e finansimit, me të vetmin qëllim që të na dëmtojnë në burime që ishin e vetmja bazë financiare që garantonte mirëvajtje të punëve në këtë Fakultet. E tejkaluam edhe këtë sfidë, sepse myslimanët tanë dijnë shumë mirë për t’i ndarë obligimet fetare nga kontributet e ndryshme humanitare! Kur kjo nuk ju shkoi ndoresh hodhën idenë që Fakultetin tonë ta fusim në kuadër të Univeristetit të Tetovës. Kurrë nuk e refuzuam as këtë ide, sepse, për ne parësore ishte dhe do të ngelë përjetë shkollimi sa më i lartë i popullatës sonë myslimane. Ideja jonë ishte që mos të na shikojnë si një institucion i margjinalizuar, i ngelur në provincë dhe i parëndësishëm! Për ta thyer këtë bindje e cila kryekëput ishte propagandë antiislame, ne sapo u konsoliduam në aspekt të kuadrit profesional e shkencor, këmbëngulëm parreshtur në akreditimin e Fakultetit të Shkencave Islame. Elhamdulilah, më në fund e arritëm këtë synim dhe, ja, që nga viti i kaluar, ne tashmë jemi brenda sistemit arsimor, brenda programeve arsimore që janë një në të gjithë shtetin.
Natyrisht, ky sukses na ka mundësuar edhe projektin e radhës, për të cilën ne sot jemi mbldhur këtu! Nga sot ne, si Institucion, si vatër e larttë arsimore, fillojmë me studimet posuniversitare, të cilat janë studime të thelluara shkencore apo profesionale/shkencore të cilat vazhdohen pasi që kandidati i caktuar i ka mbaruar studimet themelore universitare dhe ka fituar thirrje universitare në bazë të Ligjit në fuqi!
Studimi, për ne myslimanët, duhet të kuptohet si urdhër i shenjtë që vlenë deri në frymën e fundit. Nuk guxojmë të mendojmë se urdhëri “Lexo-studio” vlenë vetëm për deri në klasë të katër, të tetë, me përfundimin e shkollës së mesme apo me përfundimin e fakultetit. Ky urdhër i shenjtë vazhdon dhe duhet të na motivojë deri në frymën tonë të fundit. Natyrisht, kërkohen kushtet dhe mundësitë! Ja, tani më e kemi mundësinë e studimeve posuniversitare të nivelit Master. Dhashtë Zoti që këto studime të krijojnë mundësi dhe potencial edhe për programet e tjera të avancuara deri në studime doktoranture! Edhe këtë synim do ta arrijmë me ndihmën e Allahut Mëshirëplotë, pa asnjë dyshim! Do ta arrijmë dhe, në këtë mënyrë do ta kemi kuadrin tonë profesional, i cili, gjithësesi që do të na nxisë dhe do të na japë kurajo e mbështetje profesionale që, Fakulteti i Shkencave Islame një ditë të arrijë statusin e Universitetit islam me fakultete e degë përkatëse.
Madje, qysh në këtë moment, ju ftoj që ta ngrisim këtë ide dhe të nisim bisedat në nivel shkencor për ta pasur më të qartë skicën e një projekti i cili, në të ardhmen e afërt, pa dyshim që do të bëhet realitet. Dikur, projekt i parealizueshëm dukej edhe Medreseja e Isa Beut! Kur hodhëm iniciativën për themelimin e këtij Fakulteti, pat shumë skeptikë, madje për fat të keq edhe nga mesi i vetë hoxhallarëve! Ja ku i kemi sot këta dy vatra arsimore që po na kalisin kuadro të fuqishëm kombëtar e fetar. Në fenë islame nuk ka vend skepticizmi, në fenë tonë ka vend vetëm përpjekja, angazhimi, këmbëngulësia deri te realizimi i të gjitha projekteve që i porosit dhe i kërkon feja jonë. Ngritja e vetëdijes sonë arsimore, deri në nivele universitare, pa dyshim që është porosi e shenjtë dhe obligim fetar për ne. Sepse, një popull vetëm duke qenë i arsimuar dhe i ngritur kurlturalisht ka perspektivë të ndritshme e të lumtur. Kjo perspektivë ju takon edhe myslimanëve, rrjedhimisht, edhe shqiptarëve, sikundër të gjithë popujve të tjerë myslimanë.
Nga zemra uroj një fillim të mbarë të studimeve Master në kuadër të Fakultetit të Shkencave Islame dhe, po ashtu, uroj që të na dalin kuadro shkencorë sa më kualitativ. Suksese!”, ka përfunduar fjalimin e vet Reisul Ulema i BFI-së H. Sulejman ef. Rexhepi.

[maxgallery id=”7621″][:]

Comments are closed.