Bashkësia Fetare Islame në Republiken e Maqedonisë së Veriut
Bashkësia Fetare Islame e Republiken së Maqedonisë së Veriut

Filloi shpërndarja e mishit të kurbanave

Besimtarët muslimanë të Republikës së Maqedonisë së Veriut si dhe mërgata shqiptare pozitivisht iu përgjigjën thirrjes së Bashkësisë Fetare Islame të RMV dhe Kryetarit të saj, u.d. Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai në grumbullimin dhe dhurimin e kurbanave për nevojat e nxënësve të Medresesë Isa Beu. Edhe pse në kushte të jashtëzakonshme të pandemisë së Kovid 19, qytetarët nga Maqedonia dhe diaspora treguan devotshmërinë e tyre për mbështetje dhe mirëmbajtje të vatrave arsimore të Bashkësisë Fetare Islame, siç është Medreseja Isa Beu dhe paralelet e shtrira të saj si dhe Fakulteti I Shkencave Islame.
Menjëherë pas faljes të namazit të Bajramit më 31 Korrik, nën organizimin e Bashkësisë Fetare Islame, muftinitë e BFI, filluan me therjen e kurbaneve të porositur, mishi i të cilëve i dhurohet menzës së Medresesë Isa Beu, ndërsa pas sigurimit të sasisë të nevojshme për nxënësit, mishi që tepron u shpërndahet nevojtarëve të vendit, të planifikuar me lista paraprake nga gjitha këshillat e xhamive në vend. Gjegjësisht në qytetin e Shkupit, nën organizimin e Myftiut Dr. Qenan ef. Ismaili, menjëherë pas faljes së namazit të Bajramit, në prezencë të komisionit fetar për organizimin e therjes së kurbaneve, në thertoren Xheza në Studeniçan filloi therja e kurbaneve. Myftiu i Shkupit Dr. Qenan ef.Ismaili i shoqëruar nga anëtarët e komisionit për organizimin e therjes së kurbanëve mori pjesë në fillimin e therjes së kurbanëve ku u bë dhe duaja me rastin e therjes së kurbanëve. Anëtarët e komisionit shprehën kënaqësinë për mënyrën e therjes së kurbanëve, duke përcjell nga afër respektimin e gjitha parimeve islame si dhe leximin e emrave të gjithë atyre që kanë bërë nijet, kurse anëtarët e komisionit kanë mbikëqyrur tërë procesin e therjes.
Në ditën e dytë, ka filluar edhe shpërndarja e mishit të kurbanit për nevojtarët në rajonin e Shkupit me rrethinë ku u paketuan dhe u shpërndanë 800 pako me mish kurbani për nevojtarët, sipas listave të përpiluara nga këshillat e xhamive të kësaj myftinie.
“Procesi i grumbullimit, therjes dhe shpërndarjes të mishit të kurbanit po zhvillohet në mënyrë të përkryer, ndërsa sot kemi bërë shpërndarjen e 800 pakove me mish kurbani në rajonin e Shkupit. Kjo procedurë do të vazhdojë edhe ditëve në vijim, ndërsa grumbullimin e kurbaneve do ta bëjmë deri në ditën e tretë”, tha Myftiu i Shkupit Dr. Qenan ef. Ismaili i cili shprehu kënaqësinë për sa i përket numrit të kurbaneve të dhuruar për Medresenë Isa Beu edhe përkundër situatës të krijuar me Kovid 19.
Edhe Myftiu i Tetovës Prof. Dr. Qani ef. Nesimi shpreh kënaqësinë e tij për mbarëvajtjen e procesit të grumbullimit, therjes dhe shpërndarjes të mishit të kurbanit.
“Menjëherë pas faljes së namazit të Bajramit, në muftininë e Tetovës filloi therja e kurbaneve të porositur nga besimtarët tanë të vendit dhe nga diaspora, të cilët këtë vit kurbanin e tyre duan ta dhurojnë për nxënësit e Medresesë Isa Beu”, tha Myftiu i Tetovës Prof. Dr. Qani ef. Nesimi, i cili më tej shtoi se: “Komisioni qendror për therjen e kurbaneve, nga afër po e ndjek tërë procesin e grumbullimit, therjes dhe shpërndarjes të mishit, i cili i tejkalon nevojat e mensës së Medresesë Isa Beu. Sot kemi filluar edhe me shpërndarjen, por për shkak të temperaturave të nxehta, kemi marrë masa të posaçme që mishin ta transportojmë me frigoriferë, nga pikat e grumbullimit, ku fillimisht paketohet në sasinë e caktuar dhe bëhet shpërndarja deri në destinacionin final, sipas listave të përpiluara nga këshillat e xhamive. Për momentin, të gjitha ekipet e ngritura nga muftinitë e BFI janë duke punuar me kapacitet të plotë për ta realizuar këtë amanet të marrë nga besimtarët tanë”.
Kjo procedurë është duke u zhvilluar edhe në myftininë e Gostivarit dhe Kumanovës, ndërsa sipas Komisionit Qendror të Kurbaneve, ditëve në vijim pritet që myftinitë më të mëdha në vend, ti plotësojnë kërkesat dhe nevojat e muftinive më të vogla, duke siguruar mish për listat e përpiluara nga xhamitë e këtyre muftinive dhe duke bërë shpërndarjen e mishit në tërë territorin e Maqedonisë.
Bashkësia Fetare Islame njofton besimtarët se kurbanin e tyre mund ta dhurojnë deri në ditën e tretë, ndërsa njëkohësisht BFI dhe nxënësit e medresesë Isa Beu, e lusin Allahun Fuqiplotë që tua pranojë kurbanat të gjithë atyre që këtë vit kanë shprehur dëshirë që kurbanin e tyre ta dhurojnë për nxënësit e medresesë Isa Beu.

Merr përditësime në kohë reale në pajisjen tënde, Abonohu tani.

Ju gjithashtu mund të lexoni