Lëshimi i të vdekurit në varr.
Fetwa nr. 3
Mexhlisi për Fetva pranë Riasetit të BFI-së- Shkup
Pyetja:
Selamu alejkum. Kam një pyetje lidhur me varrimin. A ka të drejtë që personi i cili ka pasur marrëdhënie imtime në mbrëmje ta varrosë, respektivisht ta lëshojë në varr personin nga familja që ka vdekur të nesërmen. Kam lexuar në librin e Imam Bedeviut se një hadith që e transmeton Enesi r.a. Ku thotë: Isha në varrin e njërës nga bijat e Pejgamberit a.s. e Resulull-llahi qëndronte pranë varrit duke qarë dhe tha: a ka dikush që mbrrëmë nuk ka pasur marrëdhënie me bashkëshorten e vet? Ebu Talha tha: Unë o i Dërguri i Allahut: Pejgamberi a.s. tha: Zbrit dhe lëshoje në varr? (Sahihul Buhari)?.
Përgjigje:
I nderuar, çështja e varrimit dhe të gjitha parapërgatitjet para varrimit siç janë, pastrimi i xhenazes dhe qefinimi janë çështje që dijetarët islam (fukahatë) duke u mbështetur në argumentet autentike islame, i kanë trajtuar në detaje duke përcaktuar dispozita dhe i kanë shpjeguar konform parimeve të përgjithshme islame. Sa i përket pyetjes suaj, rreth të drejtës së lëshimit në varr të familjarit, nga personi i cili në mbrëmjen e kaluar ka pasur marrëdhënie imtime me bashkëshorten e tij dhe normalisht është pastruar, theksojmë faktin se asnjëri nga fukahat e katër shkollave juridike islame nuk e ka kushtëzuar që personi i cili e lëshonë të vdekurin në varrin e tij, të mos ketë bërë marrëdhënie imtime në mbrëmjen e kaluar.
Sa i përket hadithit të cilin ju e potenconi, e që e transmeton Enesi radiallahu anhu ku thotë: Morëm pjesë në varrimin e vajzës së Pejgamberit a.s., e pejgamberi a.s. ishte ulur pran varrit, ne e pamë se nga sytë e Pejgamberit a.s. rrjedhnin lotët dhe tha: „A ka ndonjë burrë nga mesi i juaj, që nuk ka pasur marrëdhënie mbrëmë?“. Ebu Talha tha: Unë o i Dërguari i Allahut!. Pejgamberi a.s. tha: „zbrit në varr dhe lëshoje xhenazen“. Ebu Talha zbriti dhe e lëshoj xhenazen në varr. (Buhariu, Muslimi dhe të tjerë).
Fillimisht duhet theksuar se në këtë rast bëhet fjalë për vajzën e Pejgamberit a.s. Ummi Kulthumin, e cila ishte bashkëshortja e Othmanir r.a.. Dijetarët islam (fukahat) këtë hadith e shtjelluan në detaje dhe kanë polemizuar për shumë çështje në trajtimin e këtij hadithi. Fillimisht ka kundërthënie mes dijetarëve islam se nocioni „lem jukarif-“ që përmendet në hadith, aspektin gjuhësor ka më shumë se një kuptim. Sipas kuptimit të parë nocioni „lem jukarif“ ka kuptimin që nuk ka bërë ndonjë mëkat, e ky është mendimi i Ibni Mubarekut dhe vetë Imam Buhariut. Kuptimi tjetër është se nocioni „lem jukarif“ ka kuptimin që nuk ka bërë marrëdhënie imtime me familjene tij.
Në rastin e varrimit, përparësi për lëshimin e xhenazes në varr nga gjnia femërore, kanë të afërmit e e të vdekurës që janë Mahrema, në këtë rast ai person ishte vetë Othmani r.a.. Mirëpo, kur Pejgamberi a.s. është prezent, atëherë çdo përparësi i kalon atij, dhe në këtë rast këtë përparësi Pejgamberi a.s. e shfrytëzoi ta kalojë te të tjerët që nuk janë të afërm me bijen e tij Ummi Kulthumin. Nga hadithi nënkuptojmë se ata që janë të largët me xhenazen, pra që nuk janë Mahrema, përparësi prej tyre ka ai që nuk ka bërë marrëdhënie imtime me bashkëshorten e tij mbrëmjen e kaluar. Në çështjes se, pse Pejgamberi a.s. e kaloi këtë prioritet tek ata që nuk janë të afërt me xhenazen, dijetarët islamë përcaktuan disa arsye, e në mesin e tyre janë. Pejgamberi a.s. ishte i mërzitur me rastin e vdekjes së bijës së tij, e të njëjtën mërzi e kishte edhe vetë Othamni r.a. për vdekjen e bashkëshortes së tij dhe, nuk ishte i sigurtë se ai do të mund të bënte një veprim të tillë, prandaj çështjen e kaloi te ata që nuk janë të afërt me xhenazen, por në këtë rast përcaktoi këtë kriter që e përmendëm më parë. Këtë arsyetim të mundshëm e paraqet Ibni Haxher el Askalani në veprën „tuhfetul muhtaxh“ 3/169. Disa dijetarë tjerë japin edhe një arsye tjetër kur thonë se Pejgamberi a.s. deshti që këtë nder t’ua bëjë atyre që e kishin hapur varrin e saj, e ai ishte Ebu Talha.
Si do që të jetë, përfundojmë me konkluzën se lëshimi në varr i xhenazes së të afërmit, mund të bëhet pavarësisht se ka bërë marrëdhënie imetime natën e kaluar apo jo. Lëshimi në varr gjithashtu nuk kushtëzohet me mos kryerjen e marrëdhënieve imtime edhe atëherë kur xhenazen në varr e lëshojnë edhe të huajt që nuk janë mahrema, edhe pse me prioritet do të ishte ai që nuk ka bë kryer marrëdhënie imtime. Vlerësohet kështu ngase, këtë hadith të Pejgamberit a.s e konsideruar si rast të veçantë, nga vetë fakti se kjo pyetje nuk është përsëritur asnjëherë më pas nga pejgamberi a.s. gjatë varrimit, edhe pse ai ka marrë pjesë në shumë varrime. E sikur të ishte kusht, apo sikur të kishte ndalesë, sigurisht se Pejgamberi pyetjen e tillë do ta shtronte sa herë që bëhej varrimi i të vdekurve.
Sa i përket librit të Imam Bedeviut, prej ku keni nxjerrë dilemën ju, Mexhlisi për fetva, është deklaruar njëherë për të, shih fetvan Nr.1 të Mexhlisit.
Vall-llahu ealem.
fetva.bfi@gmail.com
- Shkurt, 2016 Mexhlisi për Fetva pranë Riasetit të BFI-së- Shkup.
Comments are closed.