Bashkësia Fetare Islame në Republiken e Maqedonisë së Veriut
Bashkësia Fetare Islame e Republiken së Maqedonisë së Veriut

Është hapur Xhamia e Ali Pashës në Ohër

Është hapur Xhamia e Ali Pashës në Ohër

Në prani të Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, më 28 Nëntor, 2019, në Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, është hapur për xhemat, për adhurim, Xhamia e Ali Pashës në Ohër (e shekujve XV-XVI), e cila ka pasur një meremetim të rëndësishëm, ndërsa i është shtuar edhe minarja, e rrënuar nga pushtetet e fillimit të shekullit XX, menjëherë pas largimit të Perandorisë Osmane. Xhamia me emrin e Ali Pashës gjendet në Çarshinë e Vjetër të qytetit, në rrugën për në liqen, afër rrapit të vjetër.
Kanë qenë të pranishëm në përurim personalitete të shquara nga Republika e Turqisë – me ndihmën direkte të së cilës është bërë rehabilitimi, pastaj të ftuar nga jeta shoqërore-politike e vendit, dinjitarë të Bashkësive Fetare, profesorë të Medresesë Isa Beu dhe të Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup, myftilerë dhe hoxhallarë nga më shumë myftini etj. Hapja është shoqëruar me një program të pasur fetar, përgatitur nga Myftinia e Ohrit dhe BFI e RMV.
Xhamia e Ali Pashës gjatë historisë së saj ka pasur disa meremetime: në vitin 1823, nga veziri Ali Pashë, me ç’rast edhe xhamia do të emërohet me këtë emër – Ali Pashë. Në këtë kohë xhamia gjithashtu ka shërbyer si një shkollë e mesme fetare-medrese, ku kanë mësuar nxënës nga qytetet e Ohrit, të Strugës dhe të Pogradecit.
Xhamia e Ali Pashës në qindvjeçarin e fundit ka qenë pa minare, e cila është rrënuar nga pushteti i atëhershëm, në vitet 1912-1917. Iniciativa për rikonstruktimin e saj ka pasur gjithnjë gjatë kësaj periudhe të qindvjeçarit të fundit. Për këtë qëllim, në vitin 2015, me iniciativë të Reis’ul-Ulema haxhi Sulejman ef. Rexhepi është nënshkruar edhe marrëveshja mes Bashkësisë Fetare Islame të RMV, Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfit nga Republika e Turqisë dhe Muzeut të Ohrit. Në këtë marrëveshje u parapa edhe rikonstruktimi i minares, e cila sot është realizuar me sukses dhe xhamisë i është rikthyer identiteti origjinal.
Është e vërtetë se Xhamia e Ali Pashës ka pasur edhe minaren e dytë, duke u njohur kështu edhe si Xhamia me Dy Minare, gjurmët e së cilës gjenden në pjesën e hyrjes së përgjithshme.
Xhamia e Ali Pashës është xhamia qendrore e Myftinisë, e cila ka qenë gjithnjë aktive – njofton gazetarët Samet ef. Ajdari, Myfti i Myftinisë së BFI-Ohër.

Merr përditësime në kohë reale në pajisjen tënde, Abonohu tani.

Ju gjithashtu mund të lexoni