Ef. Rexhepi: Porosi nga gjithë myslimanët që të mos marrë pjesë

mollaSULAShkup, 23 dhjetor- Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, H. Sulejman ef. Rexhepi, ishte i ftuar për të marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit, ku presidenti Ivanov ka mbajtur fjalimin e tij tradicional të fundvitit përpara deputetëve.

ef. Rexhepi për mediat e shkruara dhe elektronike ka bërë me dijë se fjalimi është bojkotuar tërësisht nga institucioni fetar, me stjerash shtoi se: “Sot qëllimisht kemi bojkotuar prezencën tonë që të jemi në sallën e parlamentit të dëgjojmë këshillat e presidentit Ivanov i cili për fat të keq prej momenteve të para deri në ditët e sotme kur po i përfundon mandati i tij asnjëherë asnjë punë konkrete për institucionin të cilin unë e menaxhoj dhe udhëheq nuk e ka bërë. Ai nuk ka bërë asnjë punë të mirë. Ka pasur raste të ndryshme ku kemi dashur ne t’i shfrytëzojmë të gjitha instancat duke marrë parasysh se ai është institucion më vete dhe duhet të jetë president i të gjithë qytetarëve të këtij nënqiell. Iu kemi drejtuar por për fat të keq nuk kemi gjetur mendim alternativ, pos mendimit dhe vendimit që e kemi dëgjuar nga kryetari i Qeverisë”, ka deklaruar ef. Rexhepi.

Reis ul Ulema i BFI-së ka uruar madje që “presidentë të tillë të mos ketë kurrë Maqedonia”. “Urojmë të kemi një president i cili me të vërtetë do të jetë president i të gjithë qytetarëve dhe do të respektojë të gjitha kombet në këtë vend, do të respektojë të gjitha bashkësitë fetare, do të ketë kujdes të posaçëm ndaj të gjitha besimeve pa bërë dallime dhe pa favorizuar një bashkësi fetare. Unë flas në emër të bashkësisë fetare që i takoj. Ne si Bashkësi jemi të diskriminuar. Diskriminimin nuk e pranojmë dhe e gjithë ajo që bëhet ndaj nesh do ta luftojmë me të gjitha mjetet demokratike brenda dhe jashtë vendit. Prandaj shqetësimi im ka qenë i madh. Porosinë e kam marrë nga të gjithë myslimanët e këtij nënqielli, që në ato mjedise ku janë njerëzit e tillë të mos marrë pjesë”, ka deklaruar kreu i BFI-së.

Comments are closed.