Edukimi i femrës shpie njeriun kah rruga e qytetërimit

Manifestim solemn me rastin e përcjelljes së gjeneratës së tretë të vajzave në Shkup.
Në lokalet e kompleksit Kapan An u organizua manifestim përcjellës në shenjë përfundimit dhe diplomimit të gjeneratës së tretë të paraleles së femrave të SHMI Medreseja Isa Beu- Shkup.
Në këtë manifestim ishte i pranishëm Reis ul Ulema i BFI-së H. Sulejman ef. Rexhepi, myftiu i Myftinisë së Shkupit, Ibrahim ef. Shabani, drejtori i Medresesë Isa Beu, Prof. Ibrahim Idrizi, dekani i Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup, mr. Fahrudin Ebibi, atesheu për çështje fetare pranë ambasadës Turke në Shkup, z. Sejfetin Ersoj, profesorë, prindër dhe media elektornike dhe të shkruara.
Gjatë këtij manifestimi fjalë përshëndetëse kishin kujdestarja e klasës gjegjësisht të gjeneratës që përcollëm Naxhije Bakiu, koordinatorja e kësaj paralele të femrave Nurtene Saqipi, e cila me theks të veçantë vlerësoi punën e tyre dhe suksesin e arritur të gjeneratës së tretë të nxënëseve. “Sivjet do të diplomojnë nxënëset e gjeneratës së tretë të paraleles të shtrirë të femrave, njëkohësisht janë gjeneratë që cikli i tyre arsimor folloi më 2008 dhe përfundon tani më 2012, që të gjitha këto kanë vijuar mësimin e rregullt për katër vite me rradhë.
Kjo gjeneratë ka ndjekur me sukses gjurmët e gjeneratave të kaluara dhe tek të njejtat shpresojmë dhe kemi bindje se do të jenë të suksesshme edhe gjatë të ardhmes në studime”, tha mes tjerash Saqipi, koordinatore e paraleles së femrave Medresesë “Isa Beu”, Shkup. Prof. Ibrahim Idrizi në fjalën e tij përshëndetëse shprehi lëvdata dhe përgëzoi për këtë sukses të kësaj paralele të Medresesë Isa Beu. “Kam nder dhe kënaqësi të veçantë që para jush po qëndrojë për të dëshmuar përmbylljen e një vitit të suksesshëm në tërësi të Medresesë tonë të madhe, e në veçanti të kësja paralele në Shkup. Por, ky mbarim nuk do të thotë përfundim i tërësishëm, por përfundim për të filluar një periudhë të re në jetën e kësaj perspektive, zaten sipas ligjit të Allahut çdo mbarim i një të kaluar është edhe fillimi i një diçkaje të re”, tha Prof. Ibrahim Idrizi, drejtori i Medresesë “Isa Beu”.
Idrizi e falënderoi Bashkësinë Fetare Islame, në krye me Reis Ulemanë i cili është i vetmi institucion i përkrahur nga  besimtarët tanë gjithandej ku jetojnë dhe veprojnë në vendlindje dhe diasporë që përkujdesen, mirëmbajnë dhe financojnë Medresenë “Isa Beu” , për prodhimin e kuadrove të cilët do të jenë edhe shërbëtor të fesë dhe shoqërisë.
Fjalë rasti në këtë manifestim gjegjësisht në këtë solemnitet të përcjelljes së gjeneratës së tretë të medresenateve të paraleles së vajzave në Shkup, Reis ul Ulema përshëndeti të pranishmit, atesheun për çështje fetare pranë ambasadës Turke, myftiun e shkupit, drejtorin e Medresesë, dekanin e FSHI, koordinatoren e paraleles, profesorët dhe profesoreshat, si dhe prinderit që ishin prezent, duke parashtruar një pyetje shumë reale dhe logjike se: “Për çfar arsye kërkohet edukimi i femrave si domosdoshmëri në emancipimin e shoqërisë njerëzore? Duke u përgjigjur: “ Sepse edukimi i burrave mbetet vetëm te ta, me vdekjen e tyre ajo shuhet, humbet, kurse edukimi i gruas kalon te fëmijët, si vazhdimësi e jetës njerëzore.
Edukata të cilën e fiton burri, është sikur pema që mbillet për të bërë hije, ndërsa edukimi i femrës, është sikur pema e cila jep edhe hije edhe fruta. Gruaja është themeli mbi të cilën ngritet shoqëria njerëzore, ajo kur arsimohet shpie njeriun kah udha e qytetërimit.Pozita e saj është përmirësuar me ardhjen e islamit si mesazh global. Ky mesazh Hyjnor, solli një frymë të re, atë të barazisë midis gjinive pa dallim. Ky mesazh, u artikulua nga Muhamedi a.s, si ligjvënës dhe reformator, i cili solli dispozita që kanë parabazën te Ku’rani famëlartë.
Në një hadith të tij thuhet: “Kërkimi i diturisë është detyrë për çdo Musliman burrë dhe grua.” Gruaja duhet të njoh shkrimin, leximin, por edhe shkencat tjera të cilat nuk i ka të ndaluara ti studioj, pra duhet të profesionalizohet në të gjitha lëmit shoqërore dhe natyrore. Mendja e njeriut është dhuratë e Allahut xh.sh mospërfitimi prej saj është një mëkat i madh.
Prandaj motra të nderuara: “LEXO me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë).” Sure  El Alek 1
Përfundimisht po jua përcjell një pjesë nga fjalimi i Muhammedit a.s. drejtuar haxhinjve në vendin e quajtur Arafat me rastin e haxhit të tij të fundit që quhet edhe “Ligjërata e haxhit lamtumirës: “…Ju këshilloj të merrni parasysh të drejtat e grave dhe, për këtë veçanti, të keni frikë Zotin! Ju i morët gratë si emanet nga Zoti. Duke dhënë fjalën në emër të Zotit, ju u bekuat me nderin dhe virtytin e tyre. Ju keni të drejta mbi gratë, po edhe ato kanë të drejta mbi ju.”- tha mes tjerash H. Sulejman ef. Rexhepi
Në vazhdim të këtij manifestimi nxënëset të pranishmive ju ofruan program artistik me recitale dhe ilahi të prezentuara nga kori i paraleles së vajzave të Medresesë Isa Beu – Shkup.

DSC03279 DSC03281 DSC03287 DSC03297 DSC03303 DSC03314 DSC03317 DSC03323 DSC03329 DSC03337

Comments are closed.