E vërteta – Liria fetare dhe pluralizmi janë vlera të qëndrueshme amerikane

6 5E vërteta

 

Pejgamberi Muhamed a.s. ka thënë “Arabi nuk ka përparësi ndaj jo Arabit, si edhe jo Arabi ndaj Arabit. Njeriu i bardhë nuk ka përparësi ndaj njeriut të zi dhe as i ziu ndaj të bardhit. Të gjithë ju jeni bijtë e Ademit, e Ademi është krijuar nga dheu”


Shkruan H. Sulejman ef. Rexhepi

Botën dhe njerëzimin nuk mund ta shkatërrojë askush duke vrarë njerëz sepse njerëzit sërish lindin dhe e zënë vendin e të vrarëve. Budallallëku mund të shkatërrojë vetëm individë por jo edhe një shoqëri të tërë. Mund të vriten njëqind njerëz në Paris, njëqind të tjerë në Turqi, mund të kurdisen bomba në Liban a në Nigeri, mund të sulmohen kulla në New York a gjetiu  por, bota mund të shkatërrohet  vetëm duke i shkatërruar vlerat të cilat njeriun e bëjnë njeri.

Dhe, mbetet fakti se burimi i të gjitha këqijave, shkaktari i vrasjeve e masakrave, luftërave dhe përçarjeve, mjerisht, e ka burimin në zemrën e njeriut.

Së këndejmi,  para se të akuzojmë të tjerët për të këqijat që po na shtohen, do duhej të gjithë t’i thërrasim mendjes e të vështrojmë  në zemrat tona. Çfarë po ndodhë aty, çfarë po fshehim nga njëri tjetri dhe çfarë nga vetja. Të lëndosh dikë duke ia thënë të vërtetën e duke u pajtuar me Zotin dhe me vetveten është absolutisht  më fisnike dhe më e drejtë se sa të vrasësh përmes gënjeshtrave.

Edhe  vitin që po e përmbyllim, për fat të keq, e karakterizuan mashtrime e lajthitje, luftëra dhe sulme terroriste që krijuan vragë e gjurmë në kujtesën e njerëzimit. Në vend të përparimit, Islamit iu imponua një atmosferë në të cilën ai po detyrohet të mbrojë  e të arsyetojë veten, të dëshmojë se ai nuk mund të prezantohet në botë përmes keqinterpretuesve dhe kriminelëve. Në vend se të mburret me  liritë që janë fondament i tij, Islami, pa të drejtë, po akuzohet si shkelës i lirive njerëzore e fetare.

Po përkujtoj se , sipas Islamit, çdo njeriu pa marrë parasysh se ku jeton, cilit komb a  cilës fe i përket,  a është besimtar apo jo, i takojnë të drejtat elementare sepse është qenie njerëzore. Çdo musliman është i obliguar që të respektojë të drejtat dhe liritë e tjetrit, pra edhe liritë fetare.Kjo, natyrisht, do të thotë se muslimani duhet me ngulm të kërkojë edhe për vete të drejtat që i takojnë nga Zoti.

Nëse analizohet atmosfera në të cilat po jetojnë muslimanët në Maqedoni, çfarë mund të konstatojmë ?

Do konstatojmë se , edhe pse në dukje muslimanët i gëzojnë të drejtat dhe liritë fetare, në fakt Islami është i diskriminuar institucionalisht, gjë e cila dëshmohet me padrejtësitë të cilat në vazhdimësi po i bëhen Bashkësisë Islame si përfaqësues dhe reprezent i tij. Problemet e kthimit të pronave që do të mundësonin punë më kualitative të BFI, uzurpimi i objekteve me vlerë historike, sulmet ndaj xhamive që përherë mbeten me autorë ”të paidentifikuar”, nxitja e islamofobisë… Këto janë vetëm një pjesë e gamës së diskriminimeve që kurrsesi nuk përkojnë me një shtet shumëkonfesional dhe etnikisht të përzier. Këtu, demokracia po përjeton goditje dhe pikërisht ato goditje po ndikojnë që pakënaqësia e muslimanëve të marrë forma të ndryshme. Shpresojmë, jo edhe forma që shkaktojnë trazira.

Sidoqoftë, të konsiderosh veten të privilegjuar në krahasim me njerëzit e tjerë sepse ata i përkasin një etnie apo një feje tjetër, është diçka e patolerueshme. Nëse këtë e bën një shtet apo një sistem, ajo dukuri ka emërtime shumë negative që nuk dua t’i përmend këtu. Pejgamberi Muhamed a.s. ka thënë“ Arabi nuk ka përparësi ndaj jo Arabit, si edhe jo Arabi ndaj Arabit. Njeriu i bardhë nuk ka përparësi ndaj njeriut të zi dhe as i ziu ndaj të bardhit. Të gjithë ju jeni bijtë e Ademit, e Ademi është krijuar nga dheu”.

Mbi këto principe duhet të funksionojë bota dhe çdo shoqëri, pra edhe Maqedonia demokratike multietnike dhe multikonfesionale. Duhet të funksionojë edhe mbi tejkalimin e përplasjes së principeve dhe paragjykimeve të cilat, t’a zëmë, Presidenti amerikan Jefferson i kishte tejkaluar qysh në shekullin e XVIII duke krijuar kështu një test edhe për ne që jetojmë disa shekuj pas tij. Epitafi mbi varrin e tij të cilin vetë e ka shkruar, thotë:  Autor i Deklaratës për pavarësinë e Amerikës dhe i Ligjit për të drejtat fetare, baba i Universitetit në Virxhinia. Me këto mburrej Jefferson.

Kuptohet, Jefferson i ka mbrojtur dhe i ka  konceptuar të drejtat fetare si diçka që realisht është e zbatueshme dhe njërën nga shtyllat që nga Amerika kanë krijuar atë që është sot. A kanë mësuar politikanët tanë diçka nga ideja e pluralizmit fetar të presidentit amerikan, është pikëpyetje e madhe. Kam përshtypjen se jo, siç nuk kanë kuptuar gjë nga urdhrat e Zotit

Të drejtat njerëzore dhe liritë fetare nuk mund të shërbejnë vetëm si fjalë e shkruar në një copë letër për një përdorim.

 

Nga Jess Baily

Liria fetare është faktor integral në jetën amerikane, dhe ka qenë e tillë që nga themelimi i kombit tonë. E vërteta është që shumë prej vendbanimeve evropiane në Amerikë përbëheshin prej individëve dhe familjeve që kishin ikur për shkak të përndjekjeve fetare. Nuk ështëpër t’u habitur që kjo e drejtë fundamentale është “liria e parë” e gdhendur nëKartën e të Drejtave të Kushtetutës tonë.

Komponentë themelore e lirisë fetare është e drejta e njerëzve të të gjitha besimeve që plotësisht të marrin pjesë në shoqëri, pa u ballafaquar me diskriminim për shkak tëfesësë tyre. Pluralizmi fetar është vlerëdhe traditë amerikane jo thjeshtë për shkak të “tolerancës” ndaj shumëllojshmërisë fetare, por për shkak se pranohet si pasuri kombëtare dhe si mundësi për të ndërtuar ura mes besimeve. Çdo ditë dhe në çdo shtet të Bashkimit tonë, grupe të ndryshme krishtere, hebreje, myslimane, budiste, sikhe dhe të tjera bashkohen si amerikanë për të zvogëluar varfërinë, për të luftuar diskriminimin dhe për të strehuar e siguruar shërbime për refugjatët që kanë ikur nga përndjekja. Puna e tyre personifikon moton kombëtare të mishëruar në Stemën e Shteteve të Bashkuara: E Pluribus Unum – nga shumë në një bashkësi.

Si ambasador i SHBA në Republikën e Maqedonisë kam mundësinë që të tregoj historinë e Amerikës. Kjo shpesh përfshin reagimin ndaj ngjarjeve të fundit. Për shembull, pas sulmeve terroriste nga disa grupe si ISIS apo Al Kaeda, shpesh dëgjoj shqetësime për të drejtat e myslimanëve në Amerikë. Më lejoni të jem i qartë: aktet e dhunës dhe diskriminimi ndaj myslimanëve janë në kundërshtim me parimet amerikane dhe nuk do të tolerohen. Kjo ka qenë dhe vazhdon të jetë politikë e qeverisë së SHBA. Siç deklaroi presidenti Obama para disa muajsh, “Islami ështëpjesë e thelbit të vendit tonë që nga themelimi i tij. Amerikanët myslimanë janë pjesë e atij thelbi.”

Duke iu drejtuar kombit tonë pas sulmeve terroriste në San Bernardino në Kaliforni, presidenti Obama deklaroi qartë që “ISIS-i nuk flet ne emër të Islamit. Ata janë kriminelë dhe vrasës, pjesëtë një kulti të vdekjes… [dhe] ashtu siç është përgjegjësi e myslimanëve në mbarë botën që të çrrënjosin idetë e gabuara qëshpiejnë drejt radikalizimit, ashtu është edhe përgjegjësi e të gjithëamerikanëve, të çdo feje, të refuzojnë diskriminimin. Është përgjegjësi e jona të refuzojmë testet fetare kur pranojmë qytetarë të rinj në këtë shtet. Është përgjegjësi e jona të refuzojmë propozimet që amerikanët myslimanë duhet të trajtohen në ndonjë mënyrë tjetër. Sepse, nëse e marrim atë rrugë, do të humbemi.”

Por, të jemi të qartë: edhe pse liria fetare ka qenë tejet e rëndësishme për suksesin e Amerikës si komb, këto të drejta nuk i takojnë vetëm popullit amerikan. Liria e zgjedhjes së fesë, ndryshimit të fesë, mospajtimit me fenë, të shprehurit publik i bindjeve, grumbullimi për të praktikuar adhurimin, dhe për t’ju mësuar besimin fëmijëve janë mishëruar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike. Për shkak se ne e vlerësojmë shumë lirinë fetare në vendin tonë, Kongresi i SHBA ka mandatuar që avansimi i lirisë fetare të jetë prioritet i politikës së jashtme të SHBA, dhe për këtë qëllim në kuadër të Stejt Departamentit u themelua Zyra për Liri Ndërkombëtare Fetare. Përveç kësaj, kemi edhe zyrtarë të lartë, siç janëpozitat ambasador-nderi për liri fetare dhe këshilltar special për pakicat fetare në Lindjen e Afërt dhe në Azinë Jugore/Qendrore, të cilët udhëheqin përpjekjet tona në mbështetje të kësaj të drejte të patjetërsueshme.

Është e vërtetë se fanatizmi ndodh në Shtetet e Bashkuara, ashtu siç ndodh në çdo cep të globit. Dhe, kuptohet që deklaratat e urrejtjes shpesh marrin vëmendje të gjerë. Por, kjo është vetëm një pjesë e historisë.

Pasqyrë më tëqartë të Shteteve të Bashkuara mund të gjeni në veprimet e përditshme që shpesh nuk arrijnë të bëhen tituj ndërkombëtarë, pjesërisht për shkak se këto ndërveprime të rregullta të tolerancës dhe të respektit nuk janë të vlefshme për t’u bërë lajm i ditës. Këtu përfshihen edhe zyrtarët e shumtë të qeverisë, liderët fetarë dhe anëtarët e shoqërisë civile që kanë denoncuar diskriminimin dhe kanë mbështetur bashkëqytetarët e tyre, siç është rasti me qindra kisha krishtere që grumbullojnë fonde për të strehuar refugjatët; 1,000 rabinët amerikanë që kanë firmosur letër mirëseardhjeje për refugjatët sirianë; fushatat bamirësie të myslimanëve amerikanë që kanë grumbulluar mbi 200,000 dollarë për viktimat e San Bernardinos; dhe historia mbreslënëse e djaloshit 7 vjeç qëi dhuroi të gjitha të hollat e kursyera një xhamie të vandalizuar në Teksas. Pikërisht kjo është historia e vërtetë e Amerikës.

(Autori është Ambasador i SHBA-ve në Shkup)

 

Comments are closed.