Dua hatme për nxënësit e mektebit të Xhamisë së fshatit Senakos

Më datë 23.10.2022 (e diel) në Xhaminë e fshatit Senakos, u realizua solemnitet fetar me rastin e përfundimit të hatmeve të Kur’anit Famëlartë nga nxënësit e mektebit që e ndjekin mësimbesimin fetar në Xhaminë e këtij fshati tek mualimi Hfz. Avni ef. Elmazi.
Në këtë manifestim përpos xhematit, familjarëve dhe mysafirëve të shumtë, pjesëmarrës ishte një delegacion nga Muftinia e BFI–Gostivar, në krye me Muftiun H. Sabahudin ef. Zendeli, i shoqëruar nga referentët e Muftinisë. Këtë solemnitet fetar me prezencën e tij e bëri më madhështor prezenca e kryetarit të BFI e RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu me bashkëpunëtorët e tij si dhe mysafirët e veçantë nga Republika e Shqipërisë në këtë përbërje: z. Betim Truçi dhe z. Ylli Mazari – ish-funksionarë të lartë të KMSH.
Muftiu H. Sabahudin ef. Zendeli, në fjalën e tij përshëndetëse pas falënderimeve për mualimin, këshillin e xhamisë, prindërit dhe nxënësit/et e mektebit, fjalën e rastit ia kaloi Reisul Ulemasë, H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu, i cili potencoi rëndësinë dhe vlerën që ka mësimbesimi islam si bazë e fuqishme në edukimin e gjeneratave të reja, njëherit shprehu urime të përzemërta për këtë program përmbajtësor. Ai tha se ky xhemat ka ditur që në çdo periudhë t’a zhvillojë realizimin e jetës fetare në Senakos, me të gjitha këshillat e xhamisë edhe në të kaluarën, por edhe sot. E për mualimin flet vet xhemati i cili tregon se është shumë preciz në punë dhe aktiv me nxënësit”, tha më tej Reisul Ulemaja. Po ashtu, fjalë përshëndetëse pati edhe z. Betim Truçi- ish sekretar i KMSH i cilin përcolli selamet e ngrohta nga vëllezërit e besimit amë nga Shqipëria.
Duanë e hatmeve e bëri Prof. Sherif ef. Deari-referent në Muftininë e Gostivarit.
Në fund të programit, u bë shpërndarja e disa mirënjohjeve nga ana e H. Mahir Mustafa nga ky vendbanim, e që është kryetar i IAKV “EBU HANIFE” në Troisdorf të R.F. të Gjermanisë, për disa personalitete dhe më pas u bë edhe ndarja e diplomave dhe mirënjohjeve nga ana e referentëve me të cilat u dekoruan nxënësit, mualimi/imami i kësaj xhamie dhe Këshilli i Xhamisë. Programin e ndoqën një numër masovik dhe u përcjell nga mediat lokale në vend.

Comments are closed.