Dolën nga shtypi edhe dy tituj të rinj

“Aktivitete 2016” është botimi i ri i Rijasetit të BFI-së, në të cilin janë të përfshirë të gjitha aktivitetet e organeve dhe të institucioneve të BFI-së të zhvilluar përgjatë vitit 2016. Institucioni ynë i vetëm fetar islam në vend, që nga pavarësimi i saj, me një fanatizëm të pashoq është përpjekur që të lë gjurmë të pashlyeshme në të gjitha proceset e shoqërisë sonë, në mënyrë të veçantë në zhvillimin e jetës fetare islame në kushte të një sistemi plural i cili ju hap dyer të gjitha pikëpamjeve, qëndrimeve dhe angazhimeve të cilat edhe mund të bien ndesh me origjinalen, burimoren, profesionalen! Në këtë drejtim, BFI në RM ka qenë jashtëzakonisht e angazhuar, ka dhënë kontribut të pamohueshëm dhe për këtë dëshmon një arkiv i tërë i sistemuar i këtij Institucioni.

Pa dyshim që, të gjitha këto aktivitete të Bashkësisë Fetare Islame kanë qenë të shënuar dhe të publikuar. Ideja ishte që ato të mblidhen dhe si fleta të skeduara të kalojnë në format libri, në një bilten vjetor të aktiviteteve të veta. “Arkivimi” i këtyre aktiviteteve në format libri dhe distribuimi i tij jo vetëm që do ta shtojë transparencën e aktiviteteve të kryera përgjatë vitit por të gjitha ato do të jenë të kapshme dhe të prekshme për secilin qytetar, në veçanti për analistët, studiuesit, historianët.

thumbnail_edhe dy tituj

“Pishtarë të dijes” është titulli tjetër që sapo doli nga botimi. Bëhet fjalë për tubimin e kumtesave të lexuara në një shënim kulturor nën moton “Pishtarët e dijes dhe të dritës islame”, kushtuar hoxhallarëve, edukatorëve dhe mësimdhënësve që kanë mbajtur të gjallë dritën islame tek gjeneratat e reja. Përmes këtij botimi në fakt përcillet mesazhi që flet se në memorien e breznive që kalojnë veç të tjerëve ngelin edhe shpërndarësit e rrezes së diturisë. Në rastin konkret mirënjohje i shprehet profesorit të dashur të Medresesë “Isa Beu”, Rexhep ef. Jusufit, myfti aktual i Myftinisë së Shkupit, pastaj Isa ef. Ismailit, myfti i Myftinisë së Shtipit, Alifikri ef. Esati, ish-myfti i Tetovës dhe ligjerues në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup si dhe Sherif ef. Dehari, profesor në Medresenë “Isa Beu” të dispersuar në Gostivar dhe referent në Myftininë e Gostivarit. Për këta katër personalitete me kumtesa të tyre janë shprehur po ashtu personalitete të mirënjohur të vendit, siç janë Doc. Dr. Fahrudin Ebibi, Dekan i FSHI-së, Prof. Ibrahim Idrizi, Drejtor i Medresesë “Isa Beu”, Shkup, Prof. Dr. Qani ef Nesimi, myfti i Myftinisë së Tetovës si dhe Mallzim Zendeli, referent në Myftininë e Gostivarit.

Comments are closed.