DITA E ALFABETIT MOMENT I MADHË I KOMBIT NË TË KUPTUARIT E VLERAVE MADHORE

Dita – 22 Nëntori është ngjarje e madhe e shqiptarëve që simbolizon unifikimin e gjuhës dhe themelimin e alfabetit shqip. Me këtë u hap rruga në mënyrë më të organizuar të një fillimi të ngritjes së një kombi autokton në Ballkan për të trasuar rrugën e zhvillimit shkencor, kulturor, ekonomik, politik dhe fetar.
Diversiteti i gjuhëve është vlerë hyjnore dhe dhunti e Zotit, me qëllim të lehtësimit të rrugës për lidhshmëri me Krijuesin dhe të kuptuarit e porosive të shenjta të çdo kombi në botë.
Islami ka dy vlera të shenjta në ngritjen e kombeve: imperativi për të lexuar, fjalë kjo e para e zbritur nga i Madhi Zot dhe shenjtëria e shkrimit dhe të shënuarit.
I Madhi Zot për t’i ndihmuar njeriut në rrugën e të Vërtetës dha betimin e shenjtë në laps dhe në ate që shkruhet, me çka i hapi rrugët që çdo komb të gjejë gjuhën dhe mjetet e shkrimit për të kuptuar sa më lehtë rrugën e ngritjes së tyre në sfera të ndryshme. Këtë më së miri e kuptoi gjenerata e rilindasve shqiptarë me themelimin e alfabetit shqip, duke krijuar bazën më të fortë për të kuptuar qëllimet kryesore të besimit, kombit, kulturës dhe zhvillimit të përgjithshëm për t’u inkuadruar në familjen e popujve të zhvilluar në mënyrë origjinale dhe për t’i kontribuar botës dhe gjinisë njerëzore në veçanti për të ngritur vetveten, familjen, kombin dhe vatanin.
Gjuha dhe shkrimi i fjalës së gjallë shpreh vullnetin, urtësinë, kulturën, arritjet, kontributin, zhvillimin, dinjitetin, ardhmërinë, njohjen, dhe lidhjen me popujt e ndryshëm në Botë.
Dita e 22 Nëntorit – Dita e Alfabetit sot duhet të kuptohet si inspirim i gjallë për ngritje në të gjitha sferat e zhvillimit tonë si në ate shkencor, politik, ekonomik, kulturor, fetar, institucional, akademik, moral, organizativ, dhe më gjërë. Vetëm në këtë mēnyrë do e kuptojmë qëllimin e lartë dhe fisnik të kësaj dite të madhe të Kombit.
QOFTË E BEKUAR KJO DITË E MADHE!
Reisul Ulema i BFI e RMV
H.Hfz. Shaqir ef. FETAI

Comments are closed.