Dijetarët islam kanë qenë krijues dhe veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare dhe ilumuniste
Simpozium shkencor në Shkup nën organizim të BFI-së
Më 17 Nëntor 2012 me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë dhe në kuadër të përkujtimit të figurave historike islame që luajtën një rol të jashtëzakonshëm në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e identitetit tonë kombëtar ka përfundur punimet në Shkup, simpoziumi shkencor kushtuar 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar në temë “Kontributi i ulemave në ngritjen e çështjes kombëtare”, të cilën e organizoi Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë nën përkujdesjen e kreut të saj Reis ul-Ulema Haxhi Sulejman ef. Rexhepi.
Në seancën e hapjes kreu i BFI-së, Haxhi Sulejman ef. Rexhepi, përshëndeti të gjithë shqiptarët, në këtë përvjetor jubilar dhe shprehu nderim të veçantë për të gjitha ata figura që kontribuan në aktin madhor në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe për të gjitha ata që sakrifikuan para dhe pas shpalljes së pavarësisë.
“ Pikërisht kjo ngjarje me një histori të shenjtë e të shtrenjtë, kombëtare e mbarëkombëtare na ka tubuar sot këtu që në mënyrë të denjë dhe faktografike t’i shpalosim dhe përkujtojmë meritat e të gjithë atyre që flijuan veten, shkuan shehid ose mbeten martir për tokën e shenjtë arbërore.
Që do të thotë se u derdh gjak, që asnjë pike s’guxon ta gëlltit harresa, por duhet gdhendur në ashtin, shpirtin e zemrën e çdo shqiptari pa dallim feje. Kjo nuk ishte një dhuratë e falur, e as e zbritur nga qielli, por një rrugë e gjatë me shekuj dhe e mundimshme për të flakur sundimet e huaja dhe të pamëshirshme, e ndjekur me një elan dhe shpresë se një ditë do të agoj dielli edhe për popullin që ka një histori, një kulture, një traditë, popull ky që kërkonte një kompaktësi territoriale, ashtu siç e kishin edhe popujt tjerë”, theksoi kreu i BFI-së. Ai në vazhdim të fjalimit të Tij theksoi: “Dijetarët islam gjithmonë kanë dëshmuar se kanë qenë sa krijues aq edhe veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare, të Lëvizjes mendore, të lëvizjes ilumuniste. Këta ulema kanë dhënë dhe kanë sakrifikuar, kanë ndikuar dhe kanë qenë të njohur në Lëvizjen gjithëkombëtare shqiptare.
Prandaj, faktologjia e dokumentacionit autentik jeni ju të nderuar studiues, jeni ju autoritetet shkencore dhe të dhënat tuaja që do t’i shpalosni sot këtu, të cilat do të paraqesin një bazë të mirë studimi të kësaj periudhe të lavdishme të kombit tonë – periudhës së pavarësisë së shtetit shqiptar. Historia shkruhet sipas logjikës së fakteve dhe mbetet një libër i hapur për të gjitha kohërat. Është historia, respekti dhe mirënjohja që vendet e qytetëruara ju kanë dhënë ndër shekuj njerëzve të shquar të kombit, njerëzve të shquar në fushëbetejë, kulturë dhe art, nëpërmjet të cilëve kanë krijuar edhe identitetin e tyre. Urime festën e 100 vjetorit dhe Rroftë shteti shqiptar!”
Edhe dekani i Fakultetin të Shkencave Islame në Shkup, Fahrudin Ebibi, u uroi mirëseardhje studijueve dhe mysafirëve që ishin prezent në seancën e hapjes “Mua më vjen shumë mirë që ky fat i takoi FSHI për të pritur kaq shumë studijues për të cilën jam i bindur që me kumtesta tuaja do të nxirri në dritë vlera që deri më tani i kanë mungur historisë sonë kombëtare”, potencoi Ebibi.
Dr. Mahmud Hysa u përqëndrua në dy figura emblematike në momentin e shpalljes së pavarsisë së Shqipërisë dhe që të dy vinin nga fusha fetare dhe atë Hoxhë Vebi Dibra dhe Sherif Langu Imami. Hysa përmendi shkurtazi veprimtarinë në shërbim të kombit të disa prej figurave islame dibrane. “Aktiviteti i Haxhi Vehbi Dibrës në shërbim të kombit e atdheut është i pakrahasuar. Mori pjesë në klube e grupe patriotike.
Kryesoi Kongresin e Dibrës. Qe delegat i Dibrës në shpalljen e Pavarësisë. U zgjodh kryetar i Senatit të parë shqiptar. Bekoi flamurin kombëtar, veprim ky i domosdoshëm atëherë. Ishte nënkryetar i Qeverisë së Vlorës. Qe kryetari i parë i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Urdhëroi që feja të mësohej në gjuhën shqipe dhe bisedat të bëheshin në gjuhën tonë”, theksoi Hysa.
Qerim Lita,zv.drejtor i Arkivit të Maqedonisë u përnëndrua në medresetë e BFI-së në Shkup gjatë sundimit të mbretërisë së SKS (jugosllave). “Në mungesë të shkollave shqipe, fëmijët shqiptarë edukatën e tyre arsimore e merrnin nëpër shkolla private fetare, përkatësisht mejtepe, ku një numër i konsiderueshëm i mualimëve (mësues fetarë), mejtepet e tyre i shndërruan në shkolla shqipe”, potencoi Lita.
Avzi Mustafa, historian vuri në dukje konfliktin e imamëve me mësuesit serbë ndërmjet dy luftrërave botërore në Maqedoni, kur borgjezia serbomadhe i forcoi pozitat e veta me Kushtetutë, ushtria e xhandarmeria filluan të hapin shkolla në gjuhën serbe.
“Ardhja e këtyre mësuese nuk u prit mirë nga imamët dhe fshatarët. Hoxhallarët në fillim e binden popullin se ndjekja e mësimit prej nxënësve shqiptarë me fe myslimane në shkollat serbe është gjë e papëlqyeshme dhe se me këtë bëhesh ”kaur”, që morali mysliman nuk e lejon. Si rrjedhojë e kësaj shume mësues u kthyen prapa, sepse nuk gjetën terren të përshtatshëm për hapjen e shkollave në gjuhën serbe”, theksoi Mustafa.
Fejzulla Shabani , ligjërues në USHT dhe EUJL shtjelloi rolin e Abdylhaqim
Doganit në periudhën e fundit të Rilindjes Kombëtare 1908-1912, në të cilën periudhë shqiptarët përveç luftës për krijimin e shtetit të pavarur shqiptarë, luftonin edhe për hapjen e shkollave në gjuhen shqipe që vjen pas revolucionit xhont- turk, ku ne të gjitha trevat shqiptare u krijuan shoqëri dhe klube shqiptare që kontribuuan në hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. “Pikërisht në këtë periudhë do të kemi një plejadë të personaliteteve shqiptare të cilët do të kontribuojnë në hapjen e shkollave, dhe në këtë drejtim nuk do të mungoi edhe roli i Abdylhaqim Doganit, sidomos gjatë viteve 1910-1912, ku në bazë të dokumenteve ka qenë mësues në Idadinë në Shkup si dhe hartues i Abetares shqipe me shkronja arabe”, potencoi Shabani.
Mixhait Pollozhani, mësimdhënës i historisë së artit në USHT, foli për xhamitë e rrënuara nga dhuna politike në pellgun e Ohrit. “krahas dhëmbit të kohës si dhe mungesës së përkujdesjes institucionale, trashëgimia islame gjatë shekullit XX iu nënshtrua edhe një dhune të paparë politike, me ç’rast e pësuan edhe shumë objekte të arkitekturës islamo-osmane në territorin e Maqedonisë. Një numër i konsiderueshëm i tyre, pikërisht si rezultat i diskriminimit politik, ku në veçanti duhet cekur fatin e disa xhamive të veçanta, ose dhunshëm u është ndryshuar pamja autentike arkitektonike, ose po janë shkulur që nga themelet”, theksoi Pollozhani.
Vebi Xhemaili, historian nga USHT, foli për deklaratën e kërerëve shqiptar në Shkup më 14 tetor për pavarësinë e Shqipërisë për mbrojtjen e atdheut, duke i njoftuar Fuqitë e Mëdha, përmes konsujve të tyre të akredituar në Shkup, se shqiptarët nuk e përkrahnin Turqinë dhe do t’i mbronin me armë në dorë trojet e veta nga sulmet e shteteve sllave të Ballkanit, që kishin filluar të okuponin tokat e Shqipërisë Verilindore. “Anëtarët e Komitetit “Shpëtimi” dhe “Shoqëria e Zezë për Shpëtim” që vepronte në Shkup, poashtu u bënë thirrje të gjithë shqiptarëve që ishin të aftë për luftë, që të përgatiteshin për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë etnike”, theksoi Xhemaili.
Për kontributin e ulemave në ngritjen e çështjes kombëtare referuan edhe, Mirushe Hoxha, Naser Ramadani, Qani Nesimi, Ismet Osmani, Plumi Veliu, Imli Veliu, Ziber Lata, Muhamed Ali, Shinazi Mehmedi, Sevdail Demiri, Shaban Sylejmani, Valbona Zunçe, Driton Dikena dhe Islam Islami.
Përfaqësus i BFI-së të RM në Këshillin Organizativ për shënimin e 100 vjetorit të Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë, Afrim ef. Tahiri, duke falënderuar të gjithë studijuesit u zotuan që në kohë sa më të shkurt do të botohen materialet e simpoziumit ndërsa kërkoi bashkëpunim prej studijuesve të vjetër dhe të ri që të punojnë së bashku me qëllim të zbardhjes së të gjithë atyre figurave të ulemave cilat kanë kontribuar për ngritjen dhe ruajtjen e çështjes kombëtare. Në fjalën e tij përmbyllëse të këtij simpoziumi njoftoi mbarë studijuesit dhe shkencëtarët se BFI ngrit iniciativë që 110 vjetorin gjegjësisht në konferencën e rradhës më 2022, studijuesit dhe hulumtuesit edhe më tej të veprojnë në zbardhjen e figurave të tjera të popullit shqiptarë gjegjësisht të ulemave islam, duke bërë të ditur se të gjithë ata hulumtime do të jenë të mbështetura dhe ndihmuar në të gjitha aspektet nga Institucioni dhe kreu i BFI-së.
Prev Post
Në FSHI filloi punimet simpozumi shkencorë “Kontributi i ulemave në ngritjen e çështjes kombëtare”
Next Post
Comments are closed.