Diferenca mes City Mall-it dhe Murit të Berlinit

Reisi bojkoton Gruevskin
Të mërkurën, më datë 3 Tetor – 2012, u bë hapja solemne e qendrës tregtare Shkupi City Moll (Skopje City Mall), në të cilën ishin mbledhur qindra mysafirë të organeve më të larta shtetërore, ndër të cilët Presidenti i Shtetit Dr. Gjorgje Ivanov, Kryeparlamentari Trajko Veljanovski dhe Kryeministri Nikolla Gruevski.
Nga Bashkësia Fetare Islame ishte prezent Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi i shoqëruar nga operativa e Rijaesetit të BFI-së. Gjithashtu në radhët e mysafirëve kishte edhe shumë politikanë shqiptarë të cilët e ndoqën nga afër ceremoninë e hapjes solemne të kësaj qendre tregtare.
324361
E veçantë e këtij evenimenti ishte se edhe përkundër numrit të madh të mysafirëve shqiptarë, në këtë ceremoni nuk u shqiptua as edhe një fjalë në gjuhën shqipe. Kjo ishte e mjaftueshme që Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame H. Sulejman ef. Rexhepi, bashkë me operativën e tij ta lëshojë ceremoninë pikërisht në momentin kur iu dha fjala përshëndetëse Kryeministrit Nikolla Gruevski.
Një orë para hapjes së kësaj qendre tregtare, Delegacion i lartë i BFI-së ishte në Hotelin Belvi, ku Ambasada e Gjermanisë festoi ditën e Bashkimit – 3 Tetorin, pra ditën e rënies së Murrit të Berlinit. Në këtë manifestim, Ambasadorja gjermane Gudrun Steacker mbajti fjalimin tradicional dhe për nder të mysafirëve atë e lexoi në tre gjuhë: gjermanisht, maqedonisht dhe shqip. Fjalime të tilla në tre gjuhë, ka kohë që përdoren në vendin tonë, kryesisht nga ambasadat e vendeve mike të Maqedonisë dhe përbëjnë një tregues të qartë të tolerancës dhe vetërespektit. Kështu u vlerësua edhe fjalimi i Ambasadores Steacker dhe për këtë meritoi mirënjohjen e Kreut të BFI-së.
Përderisa data e 3 Tetorit në Evropë, por edhe në Botë, është rikthyer në simbol të bashkimit në simbol të tolerancës, në Maqedoni ngadalë po ngrihet sërish “Muri i Berlinit”, siç është shembulli i fundit me Hapjen e “Skopje City Mall”.
Sa për informim, ky investim prej rreth 100 milion eurove dhe me një hapësirë prej 90 mijë metrave katrorë, kryesisht është ndërtuar në tokat e shqiptarëve dhe në një lagje që ka një numër të konsiderueshëm të banorëve shqiptarë. Por edhe përkundër këtij fakti dhe faktit se një numër i madh i mysafirëve të ftuar në këtë solemnitet ishin shqiptarë, organizatorët nuk e panë të arsyeshme që asnjë fjalë ta thonë në gjuhën shqipe.
Edhe pse flitet, se me sjelljen e brendeve më të njohura evropiane, ky “Mall” do të simbolizon Evropën, realiteti flet të kundërtën, të paktën larg është nga Gjermania dhe Muri i Berlinit për “këto”.
Agron VOJNIKA
(Autori është Shef i Kabinetit të Reisul Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi)

Comments are closed.