Demant ndaj reagimit të OH “El Hilal”
Deri tek: Mediumet e shkruara dhe elektronike
Lexuam me vëmendje reagimin e vonuar të së ashtuquajtur Shoqatë Humanitare “El-Hilal”, mbi dokumentarin “Hilal- tradita e humanitetit”, që BFI e RM-së e shfaqi në publik me rastin e manifestimit qendrorë të Kurban Bajramit.
Për fat të keq nuk ja vlen të merresh me një shoqatë që pas ngjarjes thotë nuk mbaj mend çfarë kam folur dhe kamë bërë, dhe as me një njeri që pas një ligësie të tij, përpiqet të bëjë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Por për respekt të besimtarëve mysliman që vazhdojnë të kenë akoma ndjenjën e humanitetit, do të sqarojmë shpifjet e publikuara në reagimin e kësaj shoqate.
Për drejtuesit e sotëm të “El-Hilal” argumentet reale në dokumentar mund edhe të duken akuza dhe të pavërteta, por për të gjithë myslimanët tjerë ku bëjmë pjesë edhe ne si BFI, janë argumente të pakontestueshme dhe të tilla do të mbesin për jetë të jetëve, i bëhet apo jo qefit dikujt. Ku zakon i mohimit të vërtetave nuk është aspak i ri në “El-Hilal”-in e sotëm. Na ka bërë përshtypje gjithmonë mungesa e respektit të drejtuesve të kësaj organizate për faktet dhe të vërtetat.
OH “El-Hilal” është dhe ka qenë emblemë e BFI-së dhe e tillë do të mbes. Ne këtu kemi edhe organe të tjera me këtë emër. Botojmë një revistë gati për çdo muaj me po të njëjtin emër. Dhe gjithë bota e kanë ditë se “El-Hilal” është pjesë e BFI-së ( por e cila nuk është më), por shumë pak e dinë sot se persona diletant në kohë të caktuar kur iu dha e drejta për të udhëhequr me këto institucione serioze bën atë që z’do të bënte asnjë mysliman që kur zgjohen në mëngjes thotë “Elhamdulilah”.
Nuk mund të kuptojmë po ashtu politikën me dy arshinë të kësaj organizate për vendimin që të mos hapë Kutinë e Pandorës për historikun e kësaj organizate.
Pyesin publikisht, kush frikësohet më së shumti për “shpirtrat e çliruar nga kutia e Pandorës”.
BFI-ja asnjëherë nuk frikësohet nga e vërteta, pavarësisht se sa e dhimbshme mund të jetë ajo.
Drejtuesit e “El Hilal” sot e kanë moshën e duhur të heshtin, nëse nuk bëjnë dot gjë për të përmirësuar ligësinë e tyre.
Ç’është e vërteta siç e konfirmojnë edhe drejtuesit e “El Hilal”-it, këtë organizatë humanitare e ka themeluar Bashkësia Fetare Islame në vitin 1991. Drejtuesit e “El-Hilal” gënjejnë kur thonë se kjo nismë ka rrjedh nga iniciativat paraprake prej një grup teologësh dhe intelektualësh. Formimi i “El-Hilal” është një nismë ekskluzive e këtij institucioni fetarë. Po ashtu, gënjeshtër e kulluar është edhe ajo se në vitin 1996 me pëlqimin e BFI-së, u dha drita jeshile për shkëputjen e “El Hilalit” nga institucioni fetarë.
Atëherë, drejtuesit e kësaj organizate duke shfrytëzuar gënjeshtrën për përfitime personale bënë edhe konvertimin e “El Hilal”-it nga një organizatë brenda institucionale në një organizatë joqeveritare.
Menjëherë më pas bënë edhe ndryshime të Statutit të vetë organizatës duke përjashtuar Bashkësinë Islame nga çdo lloj lidhje me formimin e “El Hilalit”.
Vetëm në mbledhjen e vetë organizatës më 21.03.1997, udhëheqësve të kësaj organizate që akoma vazhdonin të jenë nëpunës së BFI-së, definitivisht u ranë maskat dhe u zbulua loja e madhe që u zhvillua brenda BFI-së dhe syve të hoxhallarëve të cilët nuk kishin kyrsyer aspak vetën që në 500 xhemate të Maqedonisë të ligjërojnë për humanizmin dhe mbështetjen që duhet ti japin kësaj organizate.
Që kur ranë maskat e deri në vitin 2003, janë bërë përpjekje nga institucionet e BFI-së për të “rehabilituar” drejtuesit e vetë organizatës dhe ti bëhen pishmanit për ligësinë e bërë, por në vend që të kthejnë “amanetin” prej aty ku e morën, ato e vodhën atë, e përvetësuan, dhe sot me plot të drejtë mund të thuhet se “El-Hilal” është një organizatë private për interesa personale të vetëm një dorë njerëzish.
Njoftimi me numër 03-417 nga data 5.08.2003 të BI-së në RM, i cili citohet në reagimin e “El Hilalit” nuk është asgjë më tepër se një hallkë e vogël e një zinxhiri të madh të njoftimeve dhe reagimeve të institucionit të BFI-së drejtuar drejtuesve të saj për të kthyer “fëmijën e kidnapuar” ( El-Hilal-in) tek prindërit biologjik (BFI) të saj.
Njoftimi që citohet si i vetëm, nuk ka asnjë vlerë, dhe nëse përdoret si i tillë mundet vetëm që të shtojë hutinë, dhe një gjë të tillë si duket dëshirojnë drejtuesit aktual, mirëpo nëse asaj letre i shtojmë edhe letrat paraprake si kërkesa për të ndryshuar Statutin e 96-97-tës , dhe të kthejë në fuqi Statutin e vitit 1991, atëherë dhe kur është themeluar organizata humanitare, informata të ndryshme të mbledhura nga tereni për aktivitete që aspak nuk përputhen me parimin e humanizmit dhe islamit, dokumentet e keqpërdorimit të fondeve dhe pasurisë së “El-Hilal”-it për 12 vite ekzistencë, premtimet e pa mbajtura se do të ndryshohet statuti në verën e vitit 2003 dhe organizata do ti kthehet institucionit si dhe një sërë dokumentesh të tjera, atëherë populli do ta mësojnë të vërtetën.
Nga ky arsenal dokumentesh mund të mësojmë se BFI-ja nuk përjashtoi OH “El-Hilal” nga zyrat e tij, por udhëheqësit e organizatës të shpërfytyruar deri në atë masë sa edhe pse hante bukën e BFI-së, shkelte po mbi atë.
Dhe kjo e vërtet fshihet në Kutinë e Pandorës ku drejtuesit aktual nuk kanë qejf ta hapin ngase atëherë do të dilte në shesh gjithë e vërteta për një shkeputje që vetëm të pafytyrët, diletantët, plangprishësit mund ta bëjnë.
“El -Hilali” i sotëm , ka bashkëjetuar me gënjeshtrën që me shkëputjen e saj nga BFI-ja. Si një produkt dhe rrugëzgjidhje e dështuar, ajo i është vërtitur “El-Hilal”-it nga të gjitha anët duke arritur me sukses ta kthejë atë në prodhues dhe konsumator të saj. Qasja e drejtuesve të kësaj organizate me gënjeshtrën nuk ka pasur dhe nuk ka bekimin hyjnor por as edhe atë njerëzor, por përsëri ajo, gënjeshtra, është aq pranë dhe aq e përditshme saqë është njësuar tashmë si tipar i vetë drejtuesve të saj.
Edhe në reagimin e fundit “El-Hilal”, është përpjekur për të njësuar të vërtetën me gënjeshtrën por gjejnë vetëm shpërfytyrimin.
OH “Hilal”
Next Post
Comments are closed.