Delegacioni i BFI merr pjesë në kremtimet e 2 Gushtit organizuar nga krerët e Shtetit

Delegacioni i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut i përbërë nga Sekretari Gjeneral i BFI H. Irsal ef. Jakupi, Myftiu i Shkupit Dr. Qenan ef. Ismaili dhe Shefi i Kabinetit të Reisul Ulemasë Dr. Abdilkerim ef. Iseni, në emër të Reisul Ulemasë H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, të Bashkësisë Fetare Islame dhe gjithë besimtarëve myslimanë në vend, morën pjesë në kremtimet e organizuara nga krerët e Shtetit të Maqedonisë së Veirut: Presidentit Stevo Pendarovski, Kryeministrit Zoran Zaev dhe Kryeparlamentarit Talat Xhaferi, për nder të 2 Gushtit Ditës së Republikës, Ilindenit.
Delegacioni i BFi mori pjesë në vendin e njohur“Meçkin Kamen”, me ftesë të Presidentit Stevo Pendarovski me rastin e 2 Gushtit – Ditës së Republikës. Me këtë rast Presidenti Pendarovski tha se: “Këtë vit ne festojmë 30 vjet pavarësi, vite në të cilat patëm ulje -ngritje, tre dekada suksesi, por edhe tundime të shumta të jashtme dhe të brendshme që shkaktuan kriza dhe ndarje të thella. Në këto kohë pasigurie për ne, por edhe për të gjithë botën, do të na duhet të kapërcejmë përsëri ndarjet e brendshme dhe të bashkohemi rreth idealeve origjinale të Ilindenit dhe KAÇKM -it. Të rikthehet besimi i qytetarëve në vend duke forcuar institucionet demokratike dhe sundimin e ligjit. T’u mundësojmë të rinjve këtu të ndërtojnë botën e tyre dhe të respektojnë të ndryshmit nga ne, si parakusht për një shoqëri me qytetarë të barabartë.
Liria lind si ide, fitohet përmes luftës dhe mbahet përmes përpjekjeve të çdo brezi, të secilit prej nesh”, tha Pendarovski.
Delegacioni i BFI mori pjesë edhe në ceremoninë e organizuar nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në Pelincë me rastin e festimit të 2 Gushtit – Ditës së Republikës, Me këtë rast Kryeministri tha se kjo ditë është një proces i vazhdueshëm i koduar në frymën e gjithë popujve që jetojnë në këtë vend. “Ilindeni nuk është i lidhur me asnjë ideologji. Ai i kapërcen kufijtë e çdo periudhe kohore. Ilindeni është një proces i vazhdueshëm i koduar në frymën e maqedonasve, shqiptarëve, romëve, turqve, serbëve, vllehve, boshnjakëve dhe të gjithë popujve që jetojnë, krijojnë dhe luftojnë për një të nesërme më të mirë në atdheun tonë”, deklaroi kryeministri Zaev.
Poashtu delegacioni i BFI mori pjesë në kremtimin e organizuar nga Kryeparlamentari Talat Xhaferi për nder të 2 Gushtit. Ai me këtë rast tha se: “Ilindeni jeton, lind përsëri dhe përsëri, me çdo ditë të re, me çdo gjeneratë të re të rinjve që për çdo ditë përballen me sfida të reja, çdo ditë i bëjnë betejat e veta personale dhe kolektive për një të nesërme më të mirë, për një jetë më cilësore, zhvillim profesional dhe përkryerje dhe ardhmëri të sigurt. Kemi një shtet të përbashkët dhe të gjithë jemi përgjegjës ta ruajmë dhe zhvillojmë, për ne dhe për gjeneratat e ardhshme”.

Comments are closed.