Çka e prish e çka nuk e prish agjërimin

zimeriÇka e prish e çka nuk e prish agjërimin

Meqë agjërimi është adhurim (Ibadet), atëherë për të qenë i vlefshëm duhet të kryhet sipas rregullave dhe kushteve që kërkon ky adhurim, prandaj besimtari islam duhet të jetë i informuar se cilët janë ato elemente që e dëmtojnë, respektivisht që e prishin agjërimin dhe cilat janë ato veprime që nuk e prishin agjërimin. Prandaj, në vazhdim do të shohim se cilat janë ato sende që, sipas medhhebit hanefij, nuk e prishin agjërimin.

Nga Jusuf Zimeri

Gjërat që nuk e prishin agjërimin
– Të ngrënit dhe të pirit dhe marrëdhëniet intime që bëhen gjatë agjërimit me harresë. Këtë e vërteton hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejre (r. a.), ku Pejgamberi (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) ka thënë: “Nëse ndonjëri nga ju ka harruar duke qenë agjërueshëm dhe hëngri apo piu, le ta plotësojë (vazhdojë) agjërimin e tij, sepse vërtet atë e ka ushqyer Allahu (Xhel-le Xhelaluhu).” (Nesaiu)
Nëse agjëruesi, i cili gjatë agjërimit ha, sepse ka harruar se agjëron e ndërkohë përkujtohet se është duke agjëruar, duhet që menjëherë ta ndërpresë ushqimin, apo pirjen, sepse në të kundërtën e prish agjërimin dhe obligohet me kaza dhe kefaret. Nëse dikush e sheh ndonjë person që gjatë agjërimit ha me harresë dhe është fizikisht i shëndoshë dhe i fuqishëm, në këtë rast duhet t’ia përkujtojë se është agjërueshëm, ngase mospërkujtimi është mekruh (i urrejtur); por nëse është i dobët dhe i lodhur fizikisht, atëherë më prioritare është të mos i përkujtohet për hir të mëshirës.
– Puthja e femrës nuk e prish agjërimin, nëse agjëruesi është i sigurt se me anë të puthjes së thjeshtë nuk ejakulon spermën dhe se ajo puthje nuk e shpie në marrëdhënie intime. Është mirë që në këtë kontekst të potencohet se kjo puthje edhe pse nuk e prish agjërimin, ajo ndikon në kthimin e gruas nga shkurorëzimi rexh’ij me të drejtë rikthimi. Argument se puthja nuk e prish agjërimin, është hadithi i transmetuar nga Aisheja (r. anha), ku thotë: “Pejgamberi (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) i puthte disa nga gratë e tij dhe ai ishte agjërueshëm.“ (Buhariu)
– Ejakulimi i spermës vetëm me anë të shikimit apo të menduarit nuk e prish agjërimin, sepse agjëruesi në këtë rast nuk ka përjetuar kurrfarë marrëdhënie, as në aspektin formal e as në atë dispozitiv, edhe pse kjo vepër në esencë është e ndaluar. Po ashtu agjërimi nuk prishet as në rastet e ejakulimit duke qenë në gjumë gjatë ditës.
– Pastrimi apo notimi për nevoja pastërtie, apo për të mënjanuar nxehtësinë, nuk e prish agjërimin. Këtë e vërteton hadithi i Pejgamberit (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme), i cili na e bën me dije se ai pastrohej dhe vazhdonte agjërimin.
– Nga gjërat që nuk e prishin agjërimin janë edhe depërtimi i tymit, pluhurit, apo ndonjë insekti në gojën e agjëruesit pa qëllim, sepse është vështirë ruajtja nga këto dukuri. Mirëpo, nëse ai këtë e bën me qëllim, pra ka fituar shprehi, atëherë agjërimi i prishet.
– Në rastet, kur nga agjëruesi kërkohet dhënia e gjakut për analiza dhe elaborime mjekësore. Megjithatë, sipas mendimit të dijetarëve të medhhebit hanefij, është mekruh lëshimi i gjakut nëse tek agjëruesi shkakton lodhje apo dobësim. Megjithatë, është më e preferuar që lëshimi i gjakut nga venat të mos bëhet pa porosinë apo konsultimin e mjekut që është kompetent për këtë çështje.
– Pastrimi i dhëmbëve. Dijetarët islamë (fukahatë) janë kompaktë se përdorimi i misvakut dhe brushës pa pastë për pastrimin e dhëmbëve, pa marrë parasysh se përdoret e lagur apo e terur, nuk shkakton prishjen e agjërimit, edhe pse tek disa dijetarë islamë përdorimi i misvakut gjatë agjërimit është mekruh të përdoret e sidomos pasdite; te dijetarët e medhhebit hanefij misvaku mund të përdoret gjatë tërë ditës, sepse ky veprim është sunnet dhe se në këtë kontekst nuk bëhet dallim mes misvakut apo brushës, së lagur apo të terur.
– Nxjerrja dhe mjekimi i dhëmbit. Sa i përket mjekimit dhe heqjes së dhëmbit, sipas mendimit të dijetarëve të medhhebit hanefij dhe shafij nuk e prish agjërimin, me kusht nëse gjatë nxjerrjes apo mjekimit nuk arrin diç nga gjaku apo barnat në fytin e njeriut, kurse sipas malikive mjekimi i dhëmbit gjithashtu nuk e prish agjërimin, por është mekruh me përjashtim, nëse nuk ka mundësi të shtyhet deri pas iftarit.
– Mjekimi i syve (distilimi). Mjekimi i syrit sipas mendimit të dijetarëve të medhhebit hanefij, me anë të pikave apo llojeve të ndryshme, nuk shkakton prishjen e agjërimit, nëse barnat nuk depërtojnë në trurin apo fytin e tij.
– Pastrimi i gojës me ujë gjatë avdesit, apo edhe jashtë avdesit nuk e prish agjërimin, edhe pse nuk është mirë që kjo vepër të përsëritet shumë herë, për shkak që mos të depërtojë uji në fyt. Ngjashëm me këtë është edhe pastrimi i gojës me ndonjë lëng që shërben për shërimin e gojës.
– Papastërtia (xhunubllëku). Nëse agjëruesi zgjohet nga gjumi i papastër (xhunub) dhe nuk pastrohet gjatë tërë ditës, papastërtia e tij nuk ndikon asgjë në prishjen e agjërimin të tij, edhe pse pastrimi i tij është farz që të mund ta kryejë namazin. Qëndrimi i besimtarit islam në gjendje xhunubllëku është mëkat e për këtë Pejgamberi (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) në një hadith të cilin e transmeton Aliu (r. a.), ka thënë: “Melaqet nuk hyjnë në shtëpinë ku ka fotografi, qen dhe njeri të papastër.” (Ebu Davudi)

Gjërat që e prishin agjërimin

Gjërat që e prishin agjërimin përfshihen në dy dispozita:
1. Që e prishin agjërimin dhe obligojnë vetëm kaza.
2. Që e prishin agjërimin dhe obligojnë kaza dhe kefaret.
Sipas dijetarëve të medhhebit hanefij, gjërat që e prishin agjërimin dhe obligojnë vetëm kompensim kaza ditë për ditë, pa kefaret, janë:
– Nëse agjëruesi përdor ndonjë ushqim, apo ilaç me arsyetim të shëndoshë islam, siç është sëmundja apo udhëtimi, atëherë e ndërpret agjërimin dhe obligohet me kaza ditë për ditë.
– Ejakulimi i spermës si rezultat i motivuar nga dëfrimi me femrën me anë të përkëdheljes, puthjes, përqafimit, prekjes etj.
– Ejakulimi i spermës me anë të dorës, vepër kjo e cila është e ndaluar sipas parimeve islame, kurse gjatë Ramazanit e prish agjërimin dhe obligon vetëm kaza, pa kefaret.
– Marrëdhëniet me ndonjë të vdekur, kafshë apo fëmijë që nuk ndien kënaqësi epshore me të, e që njëherit është edhe vepër e ndaluar sipas parimeve islame, e prishin agjërimin, kurse agjëruesi obligohet me kaza pa kefaret.
– Nëse agjëruesi e prish agjërimin gabimisht, apo me imponim, atëherë duhet bërë kaza, sikur që është rasti kur agjëruesit duke marrë avdes, i shkon uji pa dashje në fyt.
– Nëse agjëruesi ha oriz të pazier, apo brumë, miell të papërzier me ndonjë element që zakonisht i jep shije siç është sheqeri, mjalti, tëlyeni etj. Në këtë rast agjërimi prishet, kurse agjëruesi obligohet që këtë ditë ta kompensojë kaza me një ditë tjetër pa kefaret.
– Nëse agjëruesi ha kripë përnjëherë, me shumicë, në këtë rast agjërimin duhet bërë vetëm kaza e në të kundërtën, nëse ushqehet me kripë pak nga pak, atëherë s’ka dyshim se kjo bëhet me shije dhe për këtë obligohet me kompensim kaza dhe me kefaret.
– Nëse agjëruesi ha ndonjë pemë e cila ende nuk është e pjekur dhe që zakonisht nuk hahen të papjekura, apo ndonjë lloj bime, obligohet me kaza pa kefaret, por me kusht, nëse ato nuk i ka zier dhe nuk i ka përzier me kripë, apo ndonjë element tjetër që i jep shije, e në të kundërtën, e prish agjërimin dhe obligohet me kaza dhe kefaret.
– Nëse dikush ha apo pi me harresë apo bën marrëdhënie intime me harresë, e pasi që t’i kujtohet se ishte agjërueshëm, ha përsëri duke menduar se agjërimi i tij është prishur herën e parë, atëherë obligohet vetëm me kompensim kaza, por nëse e di se harresa nuk ka ndikuar në agjërimin e tij dhe e prish agjërimin me qëllim, atëherë obligohet me kaza dhe kefaret.
– Injeksioni. Të gjithë dijetarët janë kompakt në mendimet e tyre se injeksionet klizmike, për mes të cilave bëhet futja e lëngjeve në zorrën e trashë nga poshtë për t’u pastruar ose për t’u liruar nga shtrëngimet e barkut, e prishin agjërimin dhe obligojnë kaza, ditë për ditë pa kefaret. Kurse sa i përket përdorimit të fetilëve supozitorë klizmik apo instrumenteve tjera medicinale në zorrën e trashë, sipas mendimit të dijetarëve të medhhebit hanefij, nëse futet i tërë fitili dhe nuk duket fare, atëherë e prish agjërimin dhe duhet bërë kaza ditë për ditë e në të kundërtën, nuk e prish agjërimin. Kurse, nëse këto mjete klizmike futen të mbushura me lëngje shëruese, apo diç tjetër, atëherë sipas shumicës së dijetarëve prishet agjërimi dhe obligohet me kaza pa kefaret. Injeksionet që merren nën lëkurë, apo muskuj sipas mendimit të Ebu Hanifes e prishin agjërimin dhe obligojnë kaza, kurse sipas mendimit të Imam Ebu Jusufit dhe Imam Muhamedit, nuk e prishin agjërimin, mirëpo në bazë të mundësisë është më e preferuar që të vonohet marrja e këtyre injeksioneve deri pas iftarit, kurse injeksionet intravenoze e prishin agjërimin dhe obligojnë kaza.
– Vjellja e shkaktuar me qëllim. Të gjithë fukahatë islamë janë të mendimit se vjellja me inicim, me qëllim, e prish agjërimin dhe se atë ditë agjërimi duhet bërë kaza.
– Nëse agjëruesi e ha atë që i ka ngelur mes dhëmbëve dhe ajo mbeturinë është më e madhe se një leblebi, atëherë e prish agjërimin dhe obligohet të bëjë kaza.
Sipas mendimit të dijetarëve të medhhebit hanefij, gjërat që e prishin agjërimin dhe të obligojnë kaza bashkë me kefaret janë:
– Arritja e plotë e kënaqësisë epshore, e cila arrihet me kryerjen e marrëdhënieve seksuale në anusin apo venisin e femrës. Në këtë rast agjëruesi obligohet paraprakisht të kërkojë falje gabimi nga Allahu – Xhel-le Xhelaluhu (Istgfar) e pastaj obligohet me kompensim kaza dhe me kefaret dhe atë me takimin e thjeshtë të penisit në venisin e femrës. Argumenti i kësaj është ngjarja e një arabi që e transmeton Ebu Hurejre (r.a), që thotë: “Derisa ishim ulur te Pejgamberi (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) erdhi një njeri dhe i tha: ‘O i dërguar i Allahut, kam bërë kërdi.’ Pejgamberi (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) i tha: Ç’ke? Tha: Kam bërë marrëdhënie seksuale me bashkëshorten time duke qenë agjërueshëm. Pejgamberi (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) i tha: A ke mundësi (a gjen pasuri) që ta lirosh një rob? Tha: jo. A ke mundësi të agjërosh dy muaj radhazi pa ndërprerë? Tha: jo. A ke mundësi të ushqesh 60 të varfër? Tha: jo. Atëherë Pejgamberi (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) qëndroi heshtur deri sa iu soll një arkë me hurma dhe i tha: ”Shpërndajua këtë të varfërve.” (Buhari)
– Të ngrënit dhe të pirit e ushqimeve të rëndomta, apo diç që e zëvendëson ushqimin pa justifikim të drejtë të Sheriatit islam, siç janë: ushqimi i rëndomtë, të pirët, barërat, thithja e duhanit, afionit, hashashit dhe llojeve të tjera të drogës, ngase kënaqësia këtu është e dukshme. Me shprehjen ngrënie dhe pirje përfshihen të gjitha sendet që zakonisht hahen dhe pihen, siç janë: buka, mishi, pemët, perimet dhe lëngjet e tyre etj. Si argument i tërë kësaj është hadithi i Pejgamberit (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme), të cilin e transmeton Aisheja (r. a), ku thotë: “Ngrënie (prishje e agjërimit) quhet ajo që hyn në (organizëm) e jo ajo që del.”

Comments are closed.