Shkup, 14 mars – Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku, ka përshëndetur sot vendimin e Bashkësisë Fetare Islame (BFI) për prolongimin e protestës së 15 marsit.
Në selinë e BFI-së, ku ka takuar kreun e këtij institucioni, Sulejman ef. Rexhepi, Çejku ka theksuar se nevojitet krijimi i dialogut substancial me institucionet qeveritare, për zgjidhjen e kontestit lidhur me truallin ku ndodhen themelet e Xhamisë Burmali, por jo vetëm.
“Ne inkurajojmë një zgjidhje të dobishme e cila demonstron dhe do të demonstrojë harmoninë fetare dhe etnike në Maqedoni në respekt të identitetit dhe të trashëgimisë të çdo etniteti dhe të çdo bashkësie fetare. Ne jemi në një dialog të vazhdueshëm edhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë të cilët kanë shprehur shqetësimin, por edhe inkurajimin për hapat institucionalë që ka marrë BFI dhe besimtarët e saj, të cilët janë distancuar nga zgjidhjet dhe thirrjet që vijnë për zgjidhje me mjete të rrugës”, ka deklaruar ambasadori Çejku.
Ai është pozicionuar fort pas përpjekjeve të BFI-së për të zgjidhur në mënyrë institucionale çështjen në fjalë, ndërsa ka shfrytëzuar rastin të apelojë tek të gjithë qytetarët për shmangien e provokimeve dhe incidenteve.
“I bëjmë thirrje gjithkujt që të shmangë provokacionet dhe incidentet të cilat janë të padobishme qoftë për bashkësinë islame, shqiptarët apo maqedonasit, ose bashkësitë e tjera etnike që jetojnë në Maqedoni. Në thelb, ky takim ishte një përpjekje për të pasur një konvertim për çështje delikate të cilat mund të ndikojnë në klimën e përgjithshme të ecurisë së proceseve të brendshme dhe integruese të Maqedonisë”, ka deklaruar Çejku.
Comments are closed.