BIK promovon librin “Kontributi i Prijësve Myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit Kombëtar”

1476632_10200968084069112_1759832302_nBashkësia Islame e Kosovës më 14 Nëntor 2013 organizoi promovimin e librit të konferencës shkencore mbarëshqiptare, zhvilluar me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë më 28-29 shtator 2012, “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar”. Pjesëmarrës në këtë promovim ishin kryetari I Komunitetit Shqiptar Musliman të Shiqpërisë, H. Selim Muça, Myftiu i Kosovës, H. Naim Tërnava dhe Dekani i FSHI-së, Dr. Fahrudin Ebibi. Në fjalën e tyre ata theksuan, rolin pazëvendësueshëm që kanë luajtur personalitetet e shquara fetare në ngritjen dhe mëvetësinë e shtetit shqiptar, por gjatë gjithë historisë së kombit tonë. Dekani i FSHI-së në fjalën e tij përshëndetëse theksoi: “I nderuar myfti i Bashkësisë Islame të Kosovës, Haxhi Naim ef. Tërnava, I nderuar kryetari i Komunitetit mysliman, haxhi Selim ef. Muça, Të nderuar miq, Zonja dhe zotëri, Në emër të Reis ul ulemasë, h. Sulejman ef. Rexhepi, jam sot këtu, që të përcjellë përshëndetjet e tij më vëllazërore, i cili për arsye protokollare nuk kishte mundësi të marr pjesë në këtë promovim. Të nderuar miq, Ky botim që gjendet sot para jush për promovim, do të shpalos fakte historike dhe është një dokument për të kaluarën e lavdishme të popullit shqiptar, por edhe një shtytje që të njohim të ardhmen, një të ardhme, që fillon nga e kaluara jonë e lavdishme. Është kusht kryesor që i vihet çdo shqiptari kudo që është, ta duam të kaluarën ashtu siç është, pa mbetur në qerthullin e pyetjeve të brezave të shkuar. Të dashur miq, Kam bindjen se në këtë përmbledhje në hollësi është spikatur ideali i gjithë baballarëve të kombit, të atyre burrave që firmosën aktin e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, që gjithmonë ka qenë një Shqipëri e bashkuar dhe e përparuar. Kjo përmbledhje me mbi 30 kumtesa, është produkt i njerëzve tanë të penës, historianëve tanë, është një thesar depozitimi të kujtesës se shqiptarët kudo që ishin, derdhën gjakun, jo vetëm për të mos e gëlltitur harresa, por për një ideal të vetëm për një Shqipëri të mosvarme siç thuhet në Aktin e Pavarësisë; se shqiptarët kudo që janë, qoftë jashtë trungut të tokës Arbënore, në diasporë e gjetkë, me xhelozi ruajtën kujtesën për atdheun- Shqipërinë, gjuhën e pastër shqipe, se Vlora është qytet i Flamurit, Prizreni është qytet i Lidhjes dhe Manastiri është vendlindja e alfabetit të gjuhës letrare shqipe. Sot, edhe një fëmijë me një kureshtje të jashtëzakonshme, mëson shumë, dhe gjithçka që mëson, që njeh, që e vëzhgon, e ngulit në kujtesën e tij se, motoja “Për fe e atdhe” na shpie nëpër histori, duke na njohur, mësuar e përdëftuar rolin e madh të rilindësve shqiptarë, të hoxhallarëve, myderrizëve, imamëve që për prijës kishin plakun Ismail Qemalin e Haxhi Vehbi Dibrën me shokë. Emra këto të pazëvendësueshëm, që ngritën flamurin e pavarësisë në Vlorë më 1912, bashkë me bashkëmendimtarët e tyre, me ideatorët e shtetit të pavarur shqiptar, dhe bënë që ardhmëria e shtetit të mos mbetet e panjohur. Prandaj, të dashur miq, uroj që kjo përmbledhje punimesh të zë vend të merituar në bibliotekat tuaja, të zë vend të merituar në bibliotekat kombëtare e universitare, për të njohur 28 Nëntorin si një ditë që, përveç fjalës së zakonshme “e bekuar”, është një ditë që përforcon identitetin kombëtar dhe bashkimin e shqiptarëve për ta përqafuar prosperitetin e kombit. Është kjo ditë që e bën shqiptarin të ndjehet krenar, por mbi të gjitha ditë e shndërruar në simbol bashkimi dhe uniteti midis tyre. Uroj që kjo Ditë të jetë motiv që shqiptarët kudo që janë të jenë pjesë e “dritës që lind andej ku perëndon”, siç do të shkruante Naim Frashri për Evropën. Uroj të mos na mbetet peng amaneti i baballarëve të kombit për të punuar për ardhmërinë e ndritur të kombit, për ta integruar vendin tonë në familjen e madhe evropiane, sepse këtë gjë ua kemi borxh pasardhësve tanë.

524585_10200968083749104_1814594724_n 1476632_10200968084069112_1759832302_n

Comments are closed.