BFI me apel: Të dielën të votojmë për NATO dhe BE!

BFI me apel: Të dielën të votojmë për NATO dhe BE!

Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në mbledhjen e rregullt të mbajtur më 30 prill, para rrethit të dytë të Zgjedhjeve presidenciale 2019, u është drejtuar zgjedhësve myslimanë me këtë Apel:

-Të dielën, më 5 maj, besimtarët myslimanë duhet të dalin masivisht dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre qytetare të votës për më shumë të drejta, për shtet ligjor dhe demokratik, për të drejta fetare dhe kombëtare për të gjithë popujt që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, për anëtarësim në NATO dhe në BE, rrugë të cilën si besimtarë dhe si BFI e kemi trasuar me vite, në vazhdimësi.

Të gjithë votuesit, pa përjashtim, e kanë formuar bindjen e tyre dhe tashmë e dinë se për cilin kandidat të votojnë. Duke votuar për vlerat evropiane dhe amerikane, të gjithë zgjedhësit vihen në krah të forcave që ia duan të mirën këtij vendi, që e duan lirinë dhe pavarësinë, që e duan paqen me vetveten dhe me Zotin.

BFI vazhdimisht ka bërë dhe bën thirrje që besimtari i saj, krahas lidhjes me Zotin, të jetë në lidhje edhe me rrethin, me shoqërinë, jo për t’u bërë vegël e ndokujt, por për të pritur prej faktorëve vendimmarrës më të mirën për vetveten dhe për ummetin mysliman. Lidhja me Evropën e përparuar dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jemi thellë të bindur, do të sigurojë një të sotme dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë besimtarët, pavarësisht se cilës fe i takojnë. Besimtarët islamë të Maqedonisë së Veriut – shqiptarët, turqit, torbeshët, boshnjakët, romët, ashkalinjtë, egjiptianët dhe gjithë të tjerët presin shumë nga Presidenti i tyre i ardhshëm, presin shumë nga puna dhe vendimet e tij, prandaj ata krejt lirshëm, ashtu siç u ka hije, të dielën, më 5 maj 2019, të dalin dhe të votojnë duke shfrytëzuar të drejtën dhe obligimin e tyre kushtetues.

Rijaseti i BFI në RMV

Reisul Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi

Comments are closed.