BFI me aktivitete të duarnduarta në vend dhe diasporë

Intervistë e Reis-ul-Ulemasë, H. Sulejman ef. Rexhepi, për “Hëna e Re” me rastin e muajit të bekuar të Ramazanit 2011
Zinxhiri i bashkëpunimit mes Qendrës,  përkatësisht Rijasetit të BFI dhe myftinive në vend, është i mirëfilltë dhe tejet i lakmueshëm, prandaj fundi na tregon se ky zinxhir është shumë i fuqishëm, ndërsa për fuqinë e këtij zinxhiri gjithnjë na flasin rezultatet konkrete.
Sa i përket diasporës, BFI ka një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë dhe permanent, mbahet komunikimi mes BFI dhe qendrave islame në të gjitha kontinentet
reis ulema 77777.1
Intervistoi: Valbona ZUNÇE
Reis-ul-Ulema, meqë jemi në muajin e bekuar dhe të shenjtë të Ramazanit, për lexuesit e revistës “Hëna e Re” fillimisht na thoni se cilat janë obligimet parësore dhe rëndësia që duhet t’i japim gjatë këtij muaji?
Reis-ul-Ulema: Obligimet parësore të agjërimit,  i cili duhet të jetësohet në përjashtim të atyre kategorive të cilat Allahu Fuqiplotë lejon që ato të mos t’i nënshtrohen këtij obligimi,  përkohësisht ose në formën e përhershme. Kjo do të thotë se vetë sistemi juridik islam,  përkatësisht normat e sheriatit që merren me këtë problematikë,  theksojn kategori të ndryshme të cilët lirohen nga ky obligim parësor. Është me rëndësi të theksojmë se i tërë ky muaj është muaj paqeje, dashurie dhe respekti mes njerëzve, muaj në të cilin rritet ndërgjegjja e humanitetit, pra është me rëndësi që çdo besimtar musliman t’i kushtojë vëmendje të posaçme, të respektohen të gjitha karakteristikat e këtij muaji,  e sidomos të ruajë pastërtinë e adhurimit ose ibadetit madhor që quhet agjërim.
Kemi hadithe të cilat na tërhjekin vërejtjen e vigjilencës sonë ndaj agjërimit. Ja vlen të përmendim një thënie, një porosi gjenerale nga Muhamedi a.s i cili thotë se: “ Ai i cili nuk braktisë rrenën, shpifjen, veset e këqia në tërësi, nuk ka nevojë të braktis apo të apstenon nga ushqimi, pijet dhe të gjitha ato që e atakojnë agjërimin”. Nga ky hadith çdo besimtar duhet të kuptojë se agjërimi i vërtetë dhe i  plotë është vetëm ai i cili respekton të gjitha porositë e dedikuara për të. Shfrytëzoj rastin që të gjithë besimtarëve muslimanë kudo që gjenden dhe lexuesve të Hëna e Re t’ua uroj këtë muaj të bekuar, përndryshe muaj i dritës, fajles, ngadhënjimit, i mrekullisë së pavdekshme siç është Kur’ani famëlartë, pra muaji i Ramazanit me një dëshirë që Allahu xh.sh të na ndihmoj që sa më lehtë e më mirë të përjetojmë këtë muaj dhe të përcjellim ashtu si e meriton dhe krejt në fund duke u bazuar në veprimin tonë të presim shpërblime të çmuara nga Allahu i Plotëfuqishëm.
Me çfarë aktivitete BFI-ja, do të realizojë planëprogramin e Ramazanit për vitin 2011?
Reis-ul-Ulema: BFI në bashkëpunim me organet bazë të saja siç janë 13 myftinitë dhe institucionet edukativo-arsimore të ciklit të mesëm dhe atij të lartë, përgatitën një planëprogram të përbashkët të cilin me forcat teologjike vëndohen në realizimin e këtij planëprogrami dhe si çdo vjet edhe këtë vit kemi bindje se në asnjë moment nuk mund të vijë në pikëpyetje realizimi i programeve të organeve dhe institucioneve të BFI qofshin ato të karakterit lokal apo atij gjeneral- qëndror. Aktivitetet janë të llojllojshme ato përcillen përmes vizitave që u bëhen xhamiave përkatësisht xhemateve tona duke mbajt ligjerata të ndryshme, tribuna me karaktere të ndryshëm dhe dhënia e udhëzimeve se si duhet besimtarët tonë të sillen në jetën e përditshme si në familje ashtu edhe në shoqëri.
Aktivitete të bujshme realizoni në Maqedoni, por gjithashtu edhe në diasporë. Na flisni pak me theks të veçantë për qëllimin dhe domethënien e aktiviteteve më të rëndësishme që do t’i realizoni këtu dhe në diasporë?
Reis-ul-Ulema: Aktivitetet të cilat BFI i ushtron gjatë muajit të Ramazanit janë të nduarnduarta dhe ato nuk përqendrohen vetem në vend,  përkatësisht këtu brenda R.M, por këto aktivitete përcillen me shumë seriozitet dhe jashtë vendit, që ne atë e quajmë diasporë,  duke i përfshirë të gjitha kontinentet. Këtë aktivitet të fundit,  pra fjalën e kemi për diasporën, BFI lejon me dekret apo autorizon me dekret kategorinë e mirëfilltë të teologëve,  siç janë profesorët e Medresesë Isa Beu dhe të Fakultetit të Shkencave Islame gjatë tërë Ramazanit të jenë në diasporë. A shpesh herë në ndihmë të tyre gjatë muajit të bekuar të Ramazanit dërgojmë edhe delegacione të tjera. Dhe,  përmes kësaj platforme BFI gjithnjë ka qenë ngadhënjyese në rezultatet e saj pozitive. Kështu që vazhdimisht nga diaspora kemi marrë shkresa falënderuese dhe mirënjohje të ndryshme për rezultatet e dhëna nga BFI.
Si është duke u zhvilluar zinxhiri i bashkëpunimit me diasporën dhe Myftinitë në vend?
Reis-ul-Ulema: Zinxhiri i bashkëpunimit mes qendrës,  përkatësisht Rijasetit të BFI dhe Myftinive  në vend është i mirëfilltë dhe tejet lakmueshëm, prandaj fundi na tregon se ky zinxhir është shumë i fuqishëm, ndërsa për fuqinë e këtij zinxhiri gjithnjë na flasin rezultatet konkrete. Sa i përket diasporës, BFI ka një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë dhe permanent, mbahet komunikimi mes BFI dhe qendrave Islame në të gjitha kontinentet. Këtu mund të përmendim i kontribut të jashtëzakonshëm për mbajtjen e lidhjeve japin edhe personat që kanë autorizimin e BFI në cilësi të koordinatorit, të cilët meritojnë falënderimet tona për veprimtarinë e tyre, psh. për Zvicër haxhi Sali Bajrami, për Gjermani, Zulhajrat Fejzullahu, për shtetet Skandinave, Abdurahim Kurtishi, a njëherit falënderimet u takojnë  të gjithë kryetarëve të qendrave dhe imamëve tanë në ato qendra të cilët janë zinxhir i pashkëputur nga BFI, për gjithë atë që bëjnë e lusim Allahun Fuqiplotë t’i shpërblen nga thesari i Tij i pashtershëm. Më në fund shpresojmë se zinxhiri i bashkëpunimit me diasporën do të fuqizohet edhe më shumë sepse ato janë pjesa jonë të cilët nevoja i ka detyruar të gjinden atje ku janë. Por, ne sipas parimeve islame duhet të funksionojmë si një organizëm.
Edhe pse jemi në fillim të muajit të shenjtë dhe të bekuar të Ramazanit, vallë a kanë besimtarët mysliman para përfundimit të këtij muaji ndonjë obligim fetar?
Reis-ul-Ulema: Para përfundimit të këtij muaji të bekuar të Ramazanit të gjithë muslimanët që plotësojnë kushtet kanë obligim të japin sadakanë e cila quhet Fitër, dhe atë pamarrë parasysh se a kanë agjëruar ramazanin apo jo. Nga një arsye të madhe se dhënia e Sadekatul-fitrit ka përqëllim tejkalimin e mangësive që mundet agjëruesi i Ramazanit t’i ketë bërë ose për qëllime të nevojave të ndryshme siç është ndihma e atyre që kanë nevojë të ndihmohen, zbutja e varfërisë etj. Prandaj, askush në familje muslimane nuk mund të përjashtohet nga dhënia e Sadekatul-fitrit. Këtë obligim besimtarët muslimanë  duhet ta zbatojnë me bindje dhe devotshmëri të plotë. Dhënien e Sadekatul-fitrit shumë bukur e përpunon Kur’ani famëlartë ku i numron tetë fonde, por më i preferuari dhe gjithë përfshirës është fondi i teti që Allahu Fuqiplotë e emërton me termin” Rruga e Zotit”, andaj Bashkësitë Fetare Islame të trojeve Ballkanike,  përkatësisht të Evropës Juglindore,  kanë një qëndrim unanim për të mirën e jetës fetare Islame e sidomos për të mirën e zhvillimit edukativo-arsimor e shkencor  nga besimtarët që këtë sadaka obligative të e japin në institucionet fetaro- arsimore qofshin ato të ciklit të mesëm ose lartë, siç janë medresetë edhe për meshkuj edhe për vajza, si dhe Fakulteti i Shkencave Islame. Besimtari i drejtë dhe i devotshëm pafije dyshimi duhet të zbatojë fetvanë institucionale që sjellin BFI-të e vendit dhe askujt nuk i lejohet që në mënyrë individuale, grupore apo private. Besimtarët tanë kanë një traditë shumëvjeçare për këtë punë dhe parimisht këtë obligim e kanë zbatuar me respekt të plotë, por viteve të fundit paraqiten persona, grupacione, shoqata të ndryshme të cilat tentojnë të keqpërdorin për interesat e tyre obligimet e domosdoshme të besimtarëve tanë siç është Sadakatul fitër. Andaj apeloj tek të gjithë muslimanët e vendit, të jenë dhe të mbeten institucional që me kontributet e tyre,  qofshin vullnetare apo obligative,  të zbatojnë vendimet e organeve kompetente,   Siç dihet BFI është kategori kushtetuese në vendin tonë dhe e vetmja është e autorizuar për t’i mbrojtur interesat e Islamit dhe muslimanëve. Shpresojmë që duke marrë parasysh traditën, muslimanët tanë nuk do të lejojnë që të keqpërdoren nga keqpërdorues të ndryshëm. Allahu ua pranoftë agjërimin, a njëherit edhe obligimin e parafundit,  siç është Sadakatul fitri. Zoti e shpërbleftë me të mirat e Tij çdo besimtar që zbaton obligimin e vet sipas normave dhe porosive islame.
Cila do të ishte porosia Juaj për të gjithë besimtarët në këtë muaj?
Reis-ul-Ulema: Unë si nga pozita e Reis-ul-Ulemasë,  njëherit dhe në emrin e organëve më të larta kolektive të BFI, të gjithë muslimanëve u kisha drejtuar me një porosi, që gjatë tërë këtij muaji,  pasi që i gjithë muaji është Ibadet, të jenë më të urtë, më të devotshëm, t’i zbatojnë të gjitha obligimet e porositura parimisht e veçanërisht në këtë muaj me një atmosferë të qetë dhe të pastër. Duke iu shmangur të gjitha provokimeve që mund ta prishin atmosferën e këtij ibadeti, duke iu sjell me urtësi, mençuri si në familje, në xhami dhe përgjithësisht në shoqëri, këtë porosi e japim me një të vetmin qëllim, që të ruhet ibadeti dhe madhështia e muajit të bekuar,  të Ramazanit. Dhe, në fund e lus Allahun Fuqiplotë si në emrin tim personal, njashtu edhe në emër të të gjitha organeve dhe institucioneve të BFI që besimtarët t’i shpërblejë me të mirat e Tij. Allahu ua pranoftë agjërimin!

Comments are closed.