BFI ka nxjerrë nga shtypi përmbledhjen “Aktivitete 2019”

BFI ka nxjerrë nga shtypi përmbledhjen “Aktivitete 2019”

Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me angazhimin direkt të Kreut të saj, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, po e vazhdon traditën e botimit të vjetarëve të aktiviteteve të veta. Si rezultat i kësaj, këto ditë ka dalë nga shtypi përmbledhja mjaft voluminoze (në afër 400 faqe) me titull “Aktivitete 2019”, ku janë përfshirë të gjitha aktivitetet që ka bërë BFI gjatë vitit 2019.
“Ne bëjmë punën tonë si Bashkësi Islame. Ne shpeshherë dalim prej binarëve –prej shinave, përzihemi në disa punë dhe menjëherë akuzat janë të mëdha: ç’kanë këta të Bashkësisë Islame që merren me politikë?! Po unë nuk e di çfarë dallimi duhet të kemi ne!? Nëse dikush mendon se ne bëjmë tepër xhami – kjo është gabim; kjo është puna jonë dhe i lus të gjithë njerëzit e mirë, të shpirtit të mirë, të mos përzihen në punët tona; e nga ana tjetër, nëse mendojnë se mund të ndihmojmë – a mund të ndihmojmë gjithandej e më gjerë – atëherë nuk duhet të na hidhërohen dhe të na thirrin dhe ne jemi vëllezër, jemi të një gjaku, jemi të një shpirti, jemi të një feje dhe duhet të jemi një organizëm, sepse vetëm uniteti përbën forcën tonë dhe forca e trason prosperitetin, ardhmërinë dhe rrugën e drejtë. Ne forca të tjera si duket deri më tani nuk kemi… Ky popull gjithmonë ka qenë mysliman i dëshmuar, me dëshmi të fuqishme islame, por njëherësh ka qenë edhe patriot. Pse? Sepse vlerat e identitetit të një populli janë shpirti, feja dhe kombi dhe ne flasim shqip, ne flasim turqisht, ne flasim arabisht, ne jemi myslimanë, por edhe atë gjuhën shqipe, edhe atë turke, edhe atë gjuhë kush çka e flet, nuk ia urrejmë kurrkujt, por tonën nuk ia lejojmë askujt të na e spastrojë” – ka thënë Kryetari i BFI të RMV, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi në Parathënie.
Përmbledhjet e këtilla janë shumë praktike: të gjitha aktivitetet janë dhënë muaj-për-muaj, me datat brenda, kështu që çdo lexues e ka të lehtë për të parë arkivin vjetor të Institucionit që i përfaqëson myslimanët e RMV. Një pjesë e tyre janë të ilustruara edhe me fotografi, kështu që raportimet dhe shënimet për ngjarjet e ndodhura rezultojnë më të plota. Libri është me një disenj të jashtëzakonshëm, me nijetin që më gjatë t’i qëndrojë dhëmbit të kohës.

 

Comments are closed.