[:al]Në prag të festës së flamurit 28 nëntori, Bashkësia Fetare Islame, në bashkëpunim me Komuna e Sarajit, e nën patronazhin e Reisul Ulemasë, H. Sulejman ef. Rexhepi, ka organizuar manifestim në nder të shënimit të kësaj feste mbarëkombëtare. Në qendër të këtij eventi ka qenë ekspozita e rreth 65 panove me 211 eksponante (dokumente, fotografi, harta dhe material të ndryshme) që janë siguruar gjatë hulumitimeve disavjeçre nëpër arkivat e Ballkanit, e që flasin për sfidat e ndryshme nëpër të cilat kaluan shqiptaët dhe myslimanët e vendit por edhe për kontributin e ulemasë si dhe të Bashkësisë Fetare Islame në orët vendimtare për pavarësimin e Shtetit Shqiptar.
Në këtë vazhdë ishte edhe fjlimi përshëndetës i Kryetarit të Komunës së Sarajit, z. Blerim Bexheti, i cili foli, veç të tjerash, për kontributin e hoxhallarëve të cilët kontribuojnë në çështjen kombëtare shqiptare.
“ Ky 28 nëntor, ky flamur e kjo festë, është një ngjarje historike të cilën shqiptarët çdo vit e presin me mall sepse kujton themelimin dhe ngritjen e flamurit kuq e zi për të cilin shumë atdhetarë, dëshmorë dhe heronjë kanë dhënë jetën e tyre që ne sot të mundemi lirshëm të kujtojmë dhe nderojmë gjithë ata që u flijuan për këtë flamur. E këtu do të doja ta përmend në veçanti kontributin e hoxhallarëve në këto treva në ruajtjen e identitetit kombëtarë “, ka thënë Bexheti.
Ndërsa, në fjalën e vet të rastit, Reisul Ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, duke përshëndetur këtë manifestim, vuri theksin sidomos në faktin se identiteti kombëtare dhe ai fetarë janë të bashkuar dhe nuk mund të funksionojnë ndamas, më sa mund të funksionojë trupi pa shpirtin. Në fjalimin e vet efendi Rexhepi ka shtuar: “Kur udhëton nëpër analet e historisë shqiptare dhe flet për lëvizjet dhe përpjekjet mbarëkombëtare, kupton se një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe rilindësit e mëdhenj shqiptarë, të cilët në shumë raste ishin drejtues fetarë, që nga imamë e myderrizë, myfti, kryemyfti, kadi dhe kryetar komuniteti e deri në klerikë katolikë e ortodoksë, ku në kushte dhe rrethana të ndryshme dhe shpeshherë mjaft të vështira, punuan për krijimin dhe ngritjen e shtetit shqiptar, si dhe kontribuuan për forcimin dhe konsolidimin e tij.
Është e qartë që kleri mysliman ka dhënë një kontribut të veçantë për ekzistencën e popullit dhe të kombit shqiptar. Në përpjekjet dhe në luftën e gjatë për ruajtjen e identitetit kombëtar, ai ka marrë pjesë në të gjitha ngjarjet më të rëndësishme. Mjafton të hedhim një sy me kujdes në të gjitha ngjarjet me karakter historik dhe politik dhe do vëmë re se prania e prijësve myslimanë është kudo e pashmangshme. Që nga kryengirtjet kundër Tanzimatit me sheh Mustafën e sheh Fezën e deri te përfaqësimi në organizma si Komiteti i Stambollit, me Hoxha Hasan Tahsinin e madh, duke vazhduar me Daut Efendi Boriçin, në Lidhjen e Prizrenit, me Hafiz Ibrahim Shkupin, në Kongresin e Manastirit, me Myfti Vehbi Dibrën, Hafiz Ali Korçën dhe Ismail Efendi Ndroqin në Kongresin e Dibrës, me Myfti Vehbi Dibrën e Sheh Ahmet Pazarin në shpalljen e Pavarësisë më 1912 dhe ngritjen e flamurit, etj.
Pra, në gjithë rrjedhën e ngjarjeve që përcaktojnë fatin e Shqipërisë e të shqiptarëve, pa dyshim, gjen edhe ata, krerët e besimit mysliman, krah për krah, dorë për dore e gojë për gojë me të gjithë klerikët e besimeve të tjera në Shqipëri.
Këtë që thashë më lartë më së miri e dëshmon edhe ekspozita e sontme “Trevat Lindore Shqiptare gjatë shekullit XX”, botues i së cilës është Bashkësia Islame e Maqedonisë, që për herë të parë këto fakte dhe dokumentacione i nxorri në dritë në 100-vjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar“, ka deklaruar Rexhepi.
Në emër të kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim të pranishmit i përshëndeti, shefi i kabinetit të tij Artan Grubi, ndërsa të pranishëm në këtë manifestim ishin edhe deputetë, drejtorë shkollash dhe myftinjë.
Ky manifestim u pasurua edhe me disa pikë artistike, me recitale të poezive nga poetë shqiptarë si, Fejzi Bojku, Daut Dauti, Rami Kamberi, Arlinda Baftiu, Rina Turkeshi-Sahiti etj.
[maxgallery id=”7814″][:]
Comments are closed.