Tash e sa kohë, sa herë që afrohen festat fetare, sa herë që afrohen aktivitetet madhore institucionale të fesë islame, gjithnjë e më shumë shtohen provokimet e segmenteve të caktuara të pushtetit maqedonas; gjithnjë e më shumë Bashkësia Fetare Islame në RM gjendet para goditjeve të ulta me një breshëri shpifjesh e akuzash absolutisht të pabaza. Në vazhdën e kësaj loje kundër fesë islame në vend ishte edhe angazhimi i sërë segmenteve kundër BFI-së me rastin e përgatitjeve për organizimin tradicional të haxhit.
Natyrisht, segmentet e caktuara shtetërore nuk dalin si plehërat mbi sipërfaqen e ujit por, i vënë në funksion disa nga mjetet e informimit që i kanë lehtësisht nën kontroll si dhe disa “minj të gjirizit”, të cilët, si të inkriminuar në krime e në vjdhje, tërësisht vihen nën shërbimin e “punëdhënësve” të vet.
Këta element diskreditues tashmë të lexuar shumë qartë, janë gjallë të interesuar që ta mbyllin të paktën një ventil finansiar të BFI-së me të cilën mbanë të gjallë organizimin e jetës institucionale arsimore si dhe të vetë jetës fetare islame në vend. Por, elhamdulilah, islami është fe e Allahut dhe prej Tij mbrohet, kështu që, dashakëqinjtë veçsa turpërohen dhe mbulohen me plaçkat e urrejtjes.
Elementet antiislame në vend u munduan që ta njollosin BFI-në duke akuzuar se merret me shitjen e vizave për në haxh. U munduan që të gjejnë forma alternative për shkuarjen në haxh të muslimanëve të vendit. Thanë se haxhi mund të kryhet edhe online, duke e anashkaluar tërësisht BFI-në. Duke qenë armiq të këtij institucioni dhe, duke mos pasur rastin që asnjëherë të futen në jetën organizative të këtij Institucioni, elementet e tillë nisën të shesin mjegull dhe në fund mbetën vetë si “qura në mjegull”. Bashkësia Fetare Islame në RM edhe sivjet, falë pikërisht punës profesionale dhe tërësisht islame, siguroi nga Ministria përkatëse e Arabisë Saudite, kuotën më të lartë për haxhinj në raport me numrin e përgjithshëm të muslimanëve të vendit. Sikur të hetonin vetëm një gram parregullësi, siç pretendojnë disa media të pushtetit dhe “minj të gjirizit”, BFI do të ndëshkohej me zvogëlimin e kësaj kuote, pa dyshim.
Në Meke dhe në Medine, gjatë haxhit gjithçka është më shtrenjtë: fluturimi, udhëtimi, hotelet, haja, pija, shërbimet e ndryshme administrative. Aq sa afrohet dita e fillimit të haxhit po aq rriten edhe çmimet. Kështu që, t’ju thuash muslimanëve të vendit, vëllezërve, motrave, prindërve që i kmi kaq të shtrenjtë se, në haxh mund të udhetoni edhe me 1400 euro, është njësoj sikur t’i këshilloshë që të bëjnë vetëvrasje. A ka gjynah më të madh? Këtë mund ta sugjerojnë vetëm gjynahqarët.
Disa media të vendit, duke ecur vadave të pista arrijnë të gjejnë dofarë “ekspertash për çështje fetare” dhe sakaq nisin të tjerrin afera të kota. Madje gjejnë edhe “ekspertë” të papërdorshëm (të flakur tutje nga BFI-ja) vetëm e vetë që të shpifin dhe të ngrisin tregime se si BFI po vidhka prej haxhinjve! Kush të akuzon për hajni? Hajni vetë! Sikur BFI të vidhte nga haxhi, nuk do ta kapte hajnin e vërtetë dhe nuk do ta dëbonte nga puna për vjedhje pikërisht nga haxhi.
Pra. BFI-ja është shumë vigjilente në këtë organizim, shumë dinjitoze, me shumë respekt ju qaset muslimanëve që shkojnë nën organizimin e saj dhe, në fund, gjithësesi që çdo herë del faqebardhë. Si rezultat i këtij angazhimi, i këtij sinqeriteti, si rezultat i besimit të paluhatshëm të muslimanëve të devotshëm të vendit që e kanë për BFI-në, numri i haxhilerëve vazhdimisht është në rritje. Përkundër përpjekjeve të “minjve të gjirizit”, fatmirësisht, sivjet numri i haxinjëve është shtuar për rreth 100 haxhinjë më shumë se vitin e kaluar. Qentë lehin – karavani ec!
Comments are closed.