BFI dhe BIK bashkërisht në shërbim të Zotit, Kombit e Vatanit
Të mërkurën më 19.01.2022, në Shkup, gjegjësisht në Selinë e Bashkësisë Fetare Islame të RMV u realizua takimi i shumëpritur i dy delegacioneve të nivelit të lartë në mes të Bashkësisë Fetare Islame të RMV dhe Bashkësisë Islame të RK të udhëhequr nga Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai dhe Kryemyftiu Mr. Naim ef. Tërnava.
Në zyrën e tij, Kryetari i BFI të RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai në emër të BFI dhe delegacionit i dëshiroi mirëseardhje homologut të tij dhe tërë delegacionit të Bashkësisë Islame të Kosovës, duke e falënderuar Kryemyftiun dhe stafin e tij për vizitën e bërë si dhe takimin e realizuar, ndërsa Kryemyftiu i Kosovës Mr. Naim ef. Tërnava shprehu mirënjohjet e tij për pritjen e bërë si dhe uroi homologun e tij H. Shaqir ef. Fetain dhe gjithë myftinjtë për kryerjen e Umres dhe u dëshiroi që lutjet dhe ibadetet e bëra në vendin e shenjtë, t’iu pranohen tek Allahu Fuqiplotë.
Dy delegacionet në përbërje të zgjeruar biseduam gjerë e gjatë për një bashkëpunim të mirëfilltë për një të ardhme më të mirë.
Pas bisedave konstruktive nga të gjithë pjesëmarrësit u vendos me sa vijon:
– Forcimi i bashkëpunimit të dy bashkësive si motra në sfera të ndryshme të jetës fetaro islame;
– Vazhdimi i realizimit të projekteve në sferën e botimit të veprave të ndryshme, si dhe Revista e përbashkët nga tri Bashkësitë Fetare: e Maqedonisë së Veriut, e Shqipërisë dhe Kosovës;
– Organizimi i paneleve, simpoziumeve, konferencave të ndryshme si dhe gara të Kur’anit Famëlartë dhe organizime të ndryshme;
– Projekte të bashkëpunimit në mes të Shkollave të Mesme islame – Medreseve dhe Fakulteteve të Shkencave- Studimeve Islame;
– Vizita të ndërsjella të imamëve në territoret e Bashkësive Islame me ligjërues të njohur;
– përgatitja e emisioneve dhe projekteve për mjetet e informimit;
– Këmbimi i përvojave të ndërsjella rreth organizimit të Haxhit dhe projektit të kurbanëve;
– Kultivimi edhe më i shëndoshë i doktrinës burimore islame me qëllim të evitimit të synimeve eventuale të radikalizmave të llojeve të ndryshme;
– Përpjekje maksimale të shpjegimit islam konform rrjedhave të kohës me qëllim të një prezantimi të shëndoshë dhe të pastër të Islamit në trevat tona.;
– Vizita të ndërsjella të objekteve fetare tè njohura dhe atraktive në të dy vendet, bashkësive;
– si dhe shumë ide tjera që i nxjerr koha, situata dhe rrjedhat e zhvillimeve fetare dhe kombëtare;
– Të formohen ekipe profesionale për realizimin gradual të synimeve të parapara nga dy Bashkësitë Islame.
– Në të ardhmen të organizohen takime trepalëshe bashkësive islame të Shqipërisë Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Në fund, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai bashkë me Kryemyftiun e Kosovës Mr. Naim ef. Tërnava, përshëndetën takimin dhe vizitën duke konstatuar se bashkëpunimi është vlera më e lartë e besimtarëve të trojeve tona dhe në këtë mënyrë do jemi në krye të detyrës për të bartë emanetin e shpjegimit të Islamit për të qenë në shërbim të Zotit, Kombit, Vatanit dhe qenies njerëzore në përgjithësi.
Delegacioni i Bashkësisë Islame të Kosovës ishte në përbërje të Kryemyftiut Mr. Naim ef. Tërnava, z. Ahmed Sadriu Sekretar i përgjithshëm, z. Vedat Sahiti Kryeimam, z. Sabri Bajgora Drejtor i Institutit për Hulumtime Islame, z. Ramadan Shkodra Drejtor për Kulture dhe Botime, z. Ekrem Simnica Drejtor për Diasporë, z. Rexhep Luma ndihmës Sekretar edhe z. Besim Mehmeti Shef i Kabinetit, ndërsa delegacioni i Bashkësisë Fetare Islame të RMV përbëhej nga Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, Myftiu i Shkupit Dr. Qenan ef. Ismaili, Myftiu i Tetovës Dr. Qani ef. Nesimi dhe Myftiu i Kumanovës H. Abedin ef. Imeri, Drejtori i Sektorit për Arsim dhe Shkencë Prof. Jusuf ef. Zimeri, Drejtori i Agjencisë për Hallall Standard H. Muhamer ef. Veseli, Kryetari i Shoqatës së Ulemave Rexhep ef. Ziberi, Shefi i Kabinetit Dr. Abdilkerim ef. Iseni, Drejtori i Sektorit për Diaspore Dr. Selver ef. Xhemaili, Drejtori i Sektorit për Marrëdhënie me botën arabe H. Ismet ef. Ademi, Drejtori i Sektorit për Kulturë Musanif ef. Rufati, Udhëheqësi i Sektorit për Marrëdhënie me Turqinë Prof. Nizam Reshit dhe Udhëheqësi i Sektorit për informim publik z. Agron Vojnika.
Comments are closed.