BETEJA E BEDRIT
Kjo betejë llogaritet nga betejat më të dalluara në historinë e Islamit. Allahu xh.sh. e ka quajtur “Jevmul-Furkan” beteja dalluese në Kur’an ku thotë:
“Dhe në atë që i kemi shpallur robit Tonë ditën e Furkanit (luftën e Bedrit), atë ditë kur u ndeshën dy ushtritë. Vërtet, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.” (El-Enfal:41).
Po ashtu ajo është e përmendur edhe në ajetin Kur’anor ku thotë:
“(Përkujto) Ditën kur do t’i kapim me atë rrëmbimin Tonë të fuqishëm e do t’u hakmerremi.” (Ed-Duhan:16)
Nga shkaqet e kësaj beteje ka qenë se Muhamedi a.s. vazhdimisht i ka përcjellë lajmet e kurejshëve dhe i ka përgjuar ato. Mushrikët kishin torturuar atë dhe shokët e tij, i kishin dëbuar nga shtëpitë e tyre, ua kishin uzurpuar pasurinë disa nga ata i kishin burgosur dhe i kishin ndëshkuar.
Muhamedi a.s. në ndër kohë merr vesh se karvani i kurejshëve po vinte nga Shami për në Meke në rrugën që kalonte në afërsi të Medines. I Dërguari i Allahut i thirri ata që ndodheshin aty për të dalë me të. Ata dolën me nxitim pa ndonjë parapërgatitje paraprake, të Dërguarin e shoqëruan mbi treqind e dhjetë veta, shumica e tyre kanë qenë këmbësorë, kanë pasur dy kuaj dhe shtatëdhjetë deve. Ata mendua se do ta takojnë karvanin dhe nuk do të luftojnë, për këtë shkak ata nuk kanë qenë të përgatitur plotësisht për luftë.
Udhëheqësi i karvanit të kurejshëvë ka qenë Ebu Sufjan ibn Harbi, e kuptoi se Muhamedi a.s. kaishte dalë të kërkonte atë dhe karvanin e tij, andaj e ndërroi rrugën nëpër të cilën ecte dhe shkoi rrugës së bregdetit, rrugë që myslimanët nuk e kanë llogaritur se ata munden të shkojnë nëpër të. Në të njëjtën kohë kanë dërguar në Meke lajmëtarë për t’i lajmëruar për rrezikun e karvanit që të dalin e ta mbrojnë nga myslimanët. Dolën paria e kurejshve guximtarët e tyre kokat e kufrit, në ndërkohë Ebu Sufjani shpëton nga myslimanët me karvanin e tij dhe e dërgon një kalorës te banorët e Mekes për t’i lajmëruar për shpëtimin e karvanit dhe kërkon prej tyre të kthehen në Meke.
Mirëpo, Ebu Xhehli udhëheqës i jobesimtarëve kurejshë me sfidim dhe mendje madhësi e mburrje shpalli se nuk kthehet përderisa të arrijë te burimet e Bedrit e të therë atje deve e të ushqehen dhe të pinë verë, të këndojnë këngëtarët dhe të dëgjojnë arabët për marshimin e tyre që t’ua kenë frikë përgjithmonë. Kjo ishte ajo me të cilën e ka përshkruar Allahu xh.sh. në Kur’an ku thotë:
“Mos u bëni si ata që dolën prej shtëpive të tyre sa për krenari e për t’i parë bota, e që pengonin nga rruga e Allahut. Allahut nuk mund t’i shpëtojnë me atë veprim të tyre.” (El-Enfal:47). Ata vazhduan derisa arritën në luginën e Bedrit.
Muhamedi a.s. e kuptoi për marshimin e kurejshve dh i ka mbledhur shokët për t’u konsultuar. Edhe pse ishte i mbrojtur nga Allahu xh.sh. në mendimet e tij, ai megjithatë u konsultua me shokët për gjëra të rëndësishme. Prej tyre dy gjëra: e para, bashkimi i rreshtave të myslimanëve, përmirësimin e mendimeve të tyre që është shumë e rëndësishme në veçanti me ensarët në këtë periudhë se ata ishin nikoqirë. E dyta: arritja në një vend më të përshtatshëm dhe përkatës.
Muhamedi a.s. kërkoi nga ta mendim duke ju thënë “Më jepmi mendimet tuaja o ju njerëz” I pari e mori fjalën Ebu Bekri i cili i pranoi propozimet e Muhammedit a.s. dhe i lavdëroi ato. Pas tij u ngrit Omer b. Hattabi me të njëjtin mendim sikur Ebu Bekri r.a. Në vazhdim u ngrit Mikdad b. Amir, e tha: O Pejgamber i Allahut, shko rrugës të cilën ta ka treguar Allahu. Ne jemi me ty. Pasha Allahun çka do që të ndodhë me ty nuk do të themi ashtu siç i kanë thënë Beni Israilët Musait a.s. “…Shko pra ti dhe Zoti yt e luftoni, ne po rrimë këtu!” (Kur’an,V:24) Ne do të luftojmë djathtas teje dhe majtas teje, para teje dhe prapa teje, po të ecje me ne edhe deri në Berkul Gumad (Vend në Jug të Mekes në drejtim të Jemenit) ne do të luftonim me shpata tona së bashku me të derisa të arrijmë atje. Muhamedi a.s u lut për të dhe pastaj tha për së dyti: “Më jepmi mendimet tuaja o ju njerëz” dëshironte të dëgjon mendimet e ensarëve. Ngrihet Sad Ibn Muadhi me thënien e tij: sikurse na ke ne për qëllim o i Dërguar i Allahut? Pejgamberi a.s. Po. Sadi vazhdon me lavdërime ndaj Muhamedit a.s. dhe e përmendi se ata qëndrojnë në marrëveshjen me të. O i Dërguar i Allahut vazhdo me atë që ja ke mësyrë, pasha atë që të ka dërguar me hak edhe po të na dilte deti përpara, e ti do të zhyteshe në të, edhe ne do të zhyteshim në të, asnjëri nga ne nuk do të kthehej mbrapsht, ne jemi popull që durojmë në luftë, jemi besnikë në takim (në luftë), e ndoshta Allahu ta bën të mundur të shohësh te ne atë që ta kënaqë syrin, andaj ec përpara me bekimin e Allahut. I Dërguari i Allahut u gëzua shumë me fjalimin e Sadit dhe u lut për të, për muhaxhirët, për ensarët dhe u rehatua me qëndrimin e ushtrisë për në luftë me armikun.
Pejgamberi a.s. vendosi të nisej me ushtrinë e tij dhe të zë pozitë afër lumit në Bedër. Në mëngjes arritën afër burimit të Bedrit. Habab ibn Mundhiri njëri nga vëzhguesit u ngrit dhe tha: A mendon o Pejgamber i Allahut të qëndrojmë këtu? A të ka urdhëruar Allahu që të jemi në këtë vend dhe se nuk guxojmë të shkojmë as përpara as prapa apo kjo është çështje e mendimit të lirë luftë dhe taktikë, Pejgamberi a.s. u përgjigj: “Ky është vend për konsultim, luftë dhe taktikë.” Habab ibn Mundhiri vazhdoi dhe tha: O Pejgamber i Allahut ky vend nuk është i mirë për të qëndruar, nisu me njerëzit derisa të arish gjer te pusi më i afërt i kurejshëve, pusin rrënoje dhe mbuloje me dhe e gurë. Kështu vepro edhe me puset tjera. Pastaj për vete do të hapim një kanal të cilin do ta mbushim me ujë. Vetëm atëherë do të nisemi ne sulm. Ne do të kemi ujë për të pirë e ato jo. Pejgamberi a.s. u përgjigj: ”Ke dhënë mendim të saktë.”
Resulullahu a.s. e ngriti ushtrinë dhe u nisën gjer te pusi më i afërt i kurejshëve. Aty arritën në mesnatë, e hapen kanalin dhe i mbuluan burimet kryesore.
Sahabët ia ngritën tendë Muhamedit a.s. të veçohej në kohë për t’u lutur dhe për t’u falur. Mirëpo i Dërguari e kishte vendin në krye të safit në luftim, sepse ai ishte më i guximshmi në mesin e guximshmëve.
Pasi arritën kurejshët dhe i pa i Dërguari i Allahut tha: O Allah, këta janë kurejshët kanë arritur me mendjemadhësinë e tyre, me mburrjen e tyre, të kundërvihen Ty dhe e përgënjeshtrojnë të dërguarin tënd, andaj më jep fitoren që ma ke premtuar. O Allah mposhti që sot!
Disa nga udhëheqësit e kurejshëve u orvatën t’i bindin për kthim në Meke, por Ebu Xhehli dhe të ngjashmit me të nga kokat e kufrit nuk i përfillën ata, dhe i bindën kurejshët për të qëndruar në luftë kundër myslimanëve.
Myslimanët e kaluan natën në natën e Bedrit duke e lutur Allahun që t’u jap fitore dhe sukses kundër armiqve. Allahu ua zbret qetësinë atyre, andaj ata u ndjenë të rehatshëm dhe i kaploi gjumi. Allahu xh.sh. zbriti një shi të imët për të cilin në Kuranin e Madhëruar thotë: “Ai bëri që ju të koteni në gjumë të lehtë, si shenjë sigurie nga ana e Tij dhe lëshoi nga qielli shi për t`ju pastruar nëpërmjet tij, për të larguar nga ju ndytësinë e djallit dhe për të forcuar zemrat dhe këmbët tuaja.” (El-Enfal:11)
Muhamedi a.s. në atë natë, falej dhe qante duke e lutur Allahun xh.sh. t’u ndihmoj besimtarëve. Prej lutjeve që i tha atë natë apo mëngjes ishte: “O Allah, unë pres të ma realizosh marrëveshjen dhe premtimin Tënd. O Allah nëse dëshiron Ti, nuk do të adhurohesh pas kësaj dite më kurrë”
Sa u përket mushrikëve ato natën e kaluan duke ngrënë dhe duke pirë verë, këndonin mes tyre këngëtarët, krenoheshin me forcën e tyre dhe me pajisjet që i posedonin.
Në mëngjesin e ditës së betejës myslimanët u falen pas të Dërguarit të Allahut dhe pas namazit Muhamedi a.s u foli duke i inkurajuar për luftë dhe durim. Njerëzit prisnin urdhrin e Muhamedit a.s. për fillimin e betejës.
Edhe kurejshët kishin radhitur rreshtat dhe ishin bërë gati për luftë. Njëri prej kurejshëve u mundua të pinte ujë nga burimi duke depërtuar në rreshtat e myslimanëve, por atij ia preu rrugën Hamza bin Abdul Mutalibi dhe e vrau. Pas kësaj filloi dueli i pare mes palës së idhujtarëve; Utbe bin Rabia, djali i vëllait të tij Shejbe bin Rabia dhe djali i tij Velid bin Utbe, dhe palës myslimane; Hamza bin Abdul Mutalib, Ali bin Ebi Talib dhe Ubejde bin Harith, pra të gjithë ishin pjesëtarë të familjes së Muhamedit a.s. Ky dyluftim mbaroi me vrasjen e idhujtarëve dhe plagosjen e Ubejde bin Harithit, i cili më vonë ra dëshmor.
Dy grupet u përballen me njëri-tjetrin dhe filloi beteja. Muhamedi a.s. mori një grusht me dhe e gjuajti mbi kurejshët, duke thënë: “U nxifshin fytyrat e idhujtarëve.” Për këtë rast zbriti fjala e Allahut të Madhëruar: “Kur gjuaje, nuk ishe ti (Muhamed) që gjuaje, por ishte Allahu Ai që gjuante me qëllim që t`u bënte besimtarëve një dhuratë të bukur. Vërtet, Allahu dëgjon dhe di çdo gjë.” (Kur’an, VIII:17)
Beteja mes të dy palëve u ashpërsua. Muhamedi a.s. qëndronte në rreshtat e parë, saqë edhe sahabët ruheshin pas tij. Shumë sahabë treguan trimëri të rrallë në këtë betejë, prandaj filluan të dukeshin shenjat e triumfit.
Idhujtarët u mundën, gjithashtu dhe krerët e tyre si: Ebu Xhehli, Utbe bin Rabia, Umeje bin Halefi dhe shumë të tjerë u vranë. Numri i tyre arriti deri në shtatëdhjetë të vrarë, ndërsa ata që mbetën gjallë u larguan të shpartalluar pa pare se çfarë linin prapa. Pas betejës myslimanët qëndruan në Bedër tri ditë, ku varrosën dëshmorët, numri i të cilëve kishte arritur në katërmbëdhjetë shehidë.
Pas kësaj Muhamedi a.s dhe shokët e tij u kthyen në Medine shëndosh e mirë, bashkë me prenë e luftës, që kishin marrë. Atje i prinin myslimanët me gëzim të madh për kthimin dhe për triumfin e qartë që korrën myslimanët në këtë betejë.
Beteja e Bedrit ka qenë fitorja e parë e myslimanëve ndaj mushrikëve të Mekes. Arabët filluan menjëherë t’i përhapin lajmet e saj. Kështu njerëzit filluan të kuptojnë se myslimanët ishin bërë të fortë që duhet të merren parasysh.
Mr. Lutfi Nexhipi
Comments are closed.