BETEJA E BEDRIT, NGJARJE PREJ SË CILËS DUHET MËSUAR

180

taxhedin bislimiBETEJA E BEDRIT, NGJARJE PREJ SË CILËS DUHET MËSUAR

Në këtë betejë bëhet e qartë se sa vlerë ka dituria në fenë islame. Kjo vlerë bëhet e qartë kur Pejgamberi (a. s.) për robërit e varfër të cilët dinin shkrim-lexim, për lirimin e tyre kushtëzoi që secili prej tyre t’i mësojë nga dhjetë fëmijë të myslimanëve shkrim-leximin. Ndërsa të pasurit i shpagoi në kundërvlerë mes një mijë dhe katër mijë dërhemë, secilin sipas pasurisë që kishte.

Nga Mr. Taxhedin Bislimi

Beteja e Bedrit shënon ngjarjen me rëndësi të veçantë jo vetëm për historikun e Islamit dhe të myslimanëve, por edhe për porositë dhe mesazhet që duhet përfituar nga kjo ngjarje. Kjo betejë e zhvilluar mes myslimanëve të udhëhequr personalisht nga Pejgamberi (a. s.), në njërën anë, dhe idhujtarëve të Mekës, në anën tjetër, u zhvillua në një fshat mes Mekës dhe Medinës, të quajtur Bedr dhe atë pikërisht në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit Ramazan, në vitin e dytë sipas Hixhretit. Pra, nëse këtë ngjarje e kundrojmë vetëm nga aspekti historik, sigurisht se mesazhet e kësaj ngjarjeje do të jenë shumë të zbehta, mirëpo nëse kemi parasysh kohën kur u zhvillua kjo betejë, pastaj palët pjesëmarrëse në këtë betejë, situatën dhe rrethanat në të cilën kalonte shoqëria islame atëbotë, atëherë me lehtësi konstatojmë se kjo ngjarje shënon një datë shumë të rëndësishme për myslimanët, sepse kjo betejë përveç tjerash konsiderohet edhe beteja mes kufrit (pabesimit) dhe Imanit (besimit), betejë mes të vërtetës dhe të pavërtetës. Në anën tjetër, nëse kemi parasysh aspektin numerik të myslimanëve dhe idhujtarëve si palë konfroktuese, si dhe përgatitjen ushtarake mes dy palëve si faktorë vendimmarrës në betejë, sigurisht se nuk do të kishim ngurruar të përfundojmë me konkluzionin se fitimtarë i kësaj beteje do të jetë pala më e përgatitur numerikisht dhe ushtarakisht. Megjithatë, kjo betejë ishte një dëshmi që shoqërisë islame të asaj kohe i dha një stimul të fuqishëm se beteja për të vërtetën është një ideal që nuk mund të shuhet asnjëherë.
Kjo ngjarje praktikisht baltos edhe shumë imagjinata të atyre që pretendojnë të nxjerrin në shesh dhe të kultivojnë idenë se që në fillim Islami ishte përhapur me fuqi ushtarake dhe përmes tehut të shpatës. Këtë hipotezë, krahas shumë fakteve tjera historike dhe shkencore, e mposht edhe vetë fakti se myslimanëve vetëm pas pesëmbëdhjetë viteve të torturave që përjetuan nga idhujtarët, iu lejua ballafaqimi i drejtpërdrejte fizik me idhujtarët, edhe atë për të mbrojtur të drejtat esenciale të tyre, siç janë e drejta e jetës, pasurisë, fesë, moralit, dinjitetit etj. Pikërisht këtu fshihet edhe urtësia se myslimanët ishin të motivuar që me idealin e tyre të lartë, të mbështetur në fuqinë absolute, të përgëzojnë edhe asistencën nga Krijuesi absolut, ashtu si e përshkruan edhe Kurani fisnik në suren El enfal dhe suret tjera në Kuran.

Shkaqet e kësaj beteje

S’do mend se kjo ngjarje nuk ishte si rrjedhojë e spontanitetit, por kishte edhe arsyet dhe shkaqet që sollën deri te ky ballafaqim fizik mes dy palëve. Vetë Pejgamberi (a. s.) dhe numri i konsideruar i myslimanëve që tani jetonin në Medinë dhe gëzonin statusin e emigrantit, apo muhaxhirëve, ishin bijë dhe bija që kishin lindur në Mekë. Ata Mekën e kishin vendlindje, atje kishin kaluar ditët më të lumtura të fëmijërisë së tyre, atje kishin punuar dhe vepruar, dhe në fund dikush në mënyrën më çnjerëzore e kishte nëpërkëmbur veprimtarinë dhe jetën e tyre. Ata, duke qenë në Mekë, ishin torturuar në format më barbare, e shumë prej tyre edhe ishin viktimizuar apo, më mirë me thënë, martirizuar, jo për ndonjë faj të tyre, por thjesht vetëm për shkak të idealit dhe besimit të tyre. Duke parë se presionet mbi myslimanët ushtroheshin pandërprerë, këta myslimanë në krye me Pejgamberin (a. s.) u detyruan ta lëshojnë vendlindjen e tyre, atdheun e tyre, Mekën e tyre, të cilën e donin shumë. Këtë e vërteton thënia e Pejgamberit (a. s.) në momentin kur largohet nga Meka: Në një moment ndalet mbi një kodrinë, lëshon shikimin nga Meka dhe thotë: “Meka ime e dashur, sikur të mos më kishin nxjerrë me dhunë, asnjëherë nuk do të dilja prej teje.”
Kjo nënkupton se këta njerëz që ishin larguar nga Meka për në Medinë nuk ishin larguar për të kërkuar standarde të larta jetësore, por për të kërkuar thjesht të drejtën dhe mundësinë e jetesës. Ata pas vetes në Mekë kishin lënë tërë pasurinë e tyre, shtëpitë e tyre, bile-bile edhe familjet e tyre, sepse me vete nuk kishin pasur mundësi të merrnin më shumë se shpirtin dhe trupin e tyre. Ky është një realitet i hidhur i Islamit dhe i myslimanëve, edhe për kundër faktit se dikush edhe më tutje tenton ta shpalosë tezën se Islami u përhap me forcë.
Pra, një numër i myslimanëve kishin migruar për në Medinë, e një numër edhe më tutje vazhdonin të jetonin nën presionin e idhujtarëve në Mekë. Myslimanët, që ishin mikpritës të muhaxhirëve nga Meka, solidarizimin e kishin të papërshkrueshëm, kështu që gjendja e rëndë ekonomike që mbretëronte në Medinë i detyroi të kërkojnë zgjidhje të problemit. Për këtë çështje i shqetësuar ishte edhe vetë Pejgamberi (a. s.), sepse ai asnjëherë nuk ishte i qetë derisa të tjerët rreth tij vuanin.
I dërguari i Allahut kishte kuptuar për karvanin tregtar të Kurejshve, i drejtuar nga Ebu Sufjani, karvan ky i cili kthehej nga Shamit në Mekë. Karvani përbëhej nga një mijë e më shumë deve të ngarkuara me tregtinë dhe pasurinë e mekasve, pasuri kjo e cila, kishte vlerë mbi pesëdhjetë mijë dinarë ari, ndërsa sigurohej me vetëm afër dyzet burra. Pejgamberi (a.s.) filloi të mendojë rreth kësaj çështje dhe e dinte se tani idhujtarët e Mekës në këtë karvan kanë edhe një pjesë të pasurisë të cilën me forcë ua kishin marrë myslimanëve kur ata kishin emigruar. Andaj, i dërguari i Allahut i informoi shokët e Tij për këtë karvan dhe preferoi që në kompensim për pasurinë që kishin lënë në Mekë, të dalin në pritë dhe të vënë dorë mbi atë, derisa ai të kalojë pranë Medinës.
I dërguari i Allahut (xh. sh.) në këtë rast nuk urdhëroi për ndonjë mobilizim të përgjithshëm të myslimanëve që jetonin në Medinë, porse aksionin do ta merrte mbi bazë vullnetare, ngase Sahabeti e kishte lë lirë të vendoste dhe të vepronte sipas dëshirës dhe mundësisë së tyre. Mirëpo, pas konsultimeve që i bëri Pejgamberi (a. s.) me ta, disa nga Ensarët dhe Muhaxhirët në krye me të dërguarin e Allahut (xh. sh.) morën rrugën për të kapur karvanin, kurse të tjerët nuk lëvizën dhe ngelën në Medinë, sepse të gjithë mendonin se aksioni kishte të bënte thjeshtë me kapjen e karvanit. Pra, myslimanët fillimisht me këtë lëvizje të tyre nuk kishin ndonjë plan – ndeshje me idhujtarët, prandaj, disa u kyçën në këtë operacion e të tjerët vazhduan aktivitetet dhe jetën e tyre në mënyrë të rëndomtë.
Këtij operacioni iu bashkëngjitën treqind e katërmbëdhjetë myslimanë, në krye me të dërguarin e Allahut (xh. sh.) në ditët e para të muajit Ramazan, në vitin e dytë sipas Hixhretit. Ata u larguan nga Medina dhe për t’i dalë në pritë karvanit, me vete kishin dy kuaj dhe shtatëdhjetë deve. Gjatë udhëtimit hipjen mbi to e bënin dy-tre veta, me ndërrime – Pejgamberi (a. s.), Aliu dhe Merthed b. Ebi Merthed me ndërrime hipnin mbi një deve.
Mirëpo, Ebu Sufjani dinak, kur kuptoi për situatën, menjëherë e dërgoi Damdam b. Amr Gifariun për të informuar mekasit dhe kërkoi prej tyre të mobilizohen dhe të dalin në mbrojtje të karvanit të tyre. Në anën tjetër, për të shpëtuar karvanin, ai ndërroi rrugën (marshutën), kështu që ia arriti të shpëtojë nga rreziku. Pasi iu shmang rrezikut dhe shpëtoi karvanin, Ebu Sufjani informoi mekasit dhe kërkoi që ata të kthehen prapë në Mekë, mirëpo Ebu Xhehli e refuzoi këtë kërkesë dhe me këmbëngulësi të vazhdojë rrugëtimin për në Bedër, dhe ndër të tjerat kishte thënë: “Për Allahun, nuk do të kthehemi prapë, derisa të shkojmë në Bedër, atje të qëndrojmë tri net, të therim deve, të hamë e të pimë verë, të na këndojnë këngëtaret; kështu, për rrugëtimin dhe tubimin tonë në Bedër të dëgjojnë të gjithë arabët, e kështu do të na frikësohen edhe më tutje.”
Pejgamberi (a. s.) kur mësoi për shpëtimin e karvanit dhe lëvizjen e Kurejshve në drejtim të Bedrit, i tuboi shokët e tij për konsultim. Kërkoi mendimin e tyre, se a pajtohen për të vazhduar rrugën drejt Bedrit dhe ballafaqimin me idhujtarët e Mekës, apo duhet të ktheheshin prapë. Në këtë rast, Muhaxhirët (myslimanët nga Meka) dhe Ensarët (myslimanët që ishin nga Medina) i dhanë mbështetje të parezervë për të lëvizur drejt vendit ku gjendeshin Kurejshët (idhujtarët).
Pastaj Pejgamberi (a. s.) përmes informatorëve filloi të vëzhgonte lëvizjet dhe gjendjen e Kurejshve, kuptoi se numri i tyre sillej mes nëntëqind dhe një mijë idhujtarë dhe se në këtë përbërje gjenden shumica e liderëve të pabesimtarëve.
Me të arritur në Bedër, i dërguari i Allahut (xh. sh.) u pozicionua në vendin prej ku mendonte që të zhvillojë aktivitetet ushtarake. Në këtë rast njëri nga myslimanët, që quhet Habbab b. Mundhir, i cili ishte njohës i çështjeve strategjike luftarake, u ngrit dhe pyeti të dërguarin e Allahut (xh. sh.), se vendimi për t’u pozicionuar në këtë vend a është dëshira dhe vendimi i Allahut (xh. sh.), pra a është me urdhrin e Allahut (xh. sh.), gjë që nuk guxojmë të lëvizim nga ai vend, apo është mendimi juaj, që mbështetet mbi strategjinë luftarake? Ky është mendimi im, iu përgjigj Pejgamberi (a. s.), e nuk është urdhër nga Allahu (xh. sh.). Atëherë, meqë është kështu, unë kisha propozuar që të vendosemi në fund të burimeve të ujit, sepse atje është pozicioni më i përshtatshëm për zhvillimet ushtarake, ia ktheu Habbabi. Muhamedi (a. s.) pa u hamendur e pranoi propozimin e tij dhe në bazë të propozimit, tërhoqi myslimanët nga ai vend dhe u vendosën në pozicionin tjetër, i cili ishte i përshtatshëm për luftë.
Saëd b. Muadhi, njëri që ishte në mesin e myslimanëve, kishte propozuar që në majë të një kodrine afër ushtrisë myslimane të përgatitet një strehë (tendë) për shkaqe sigurie dhe aty të qëndrojë komanda, respektivisht i dërguari i Allahut (xh.sh.) dhe prej aty të zhvillonte dhe të përcillte aktivitetet luftarake. Në atë tendë Pejgamberi (a. s.) i lutej Allahut fuqiplotë dhe kërkonte nga Ai ndihmën e premtuar. Lutje më të gjatë dhe më të sinqertë të gjithë myslimanët, në krye me Pejgamberin (a. s.), bënë të enjten në mbrëmje (natën mes ditës së enjte dhe të premte).
Në mëngjesin e ditës së premte, pikërisht ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit të Ramazanit, filluan përleshjet mes myslimanëve dhe pabesimtarëve Kurejshitë. Për një kohë relativisht të shkurtër myslimanët korrën fitoren dhe ngadhënjyen mbi pabesimtarët. Në këtë betejë Allahu (xh. sh.) për asistencë dërgoi ushtri nga qielli, pra dërgoi melaqe (engjëj), të cilat luftuan në anën e myslimanëve. Kurejshët pas vete lanë shtatëdhjetë të vrarë, po aq të robëruar, kurse në anën e myslimanëve ranë dëshmorë katërmbëdhjetë Sahabi.
Pejgamberi (a. s.) pasi hodhi kufomat e të vrarëve nga Kurejshët në një gropë, u ndal në buzë të gropës dhe me zë iu drejtua kufomave të të vdekurve, duke i thirrur me emër dhe u thoshte: “O filan, i biri i filanit! A do të ishit të kënaqur sikur të kishit respektuar Allahun dhe të dërguarin e tij…!” Omer b. Hatabi (r. a.), kur pa Pejgamberin (a. s.) duke u thirrur Kurejshitëve të vdekur e të hedhur në gropë, i tha: O i dërguar i Allahut, a po u flet trupave pa shpirt ?! Pasha (betohem në) atë i cili shpirti i Muhamedit është në duart e tij, ju nuk dëgjoni më mirë se ata – tha i dërguari i Allahut (xh. sh.).
Pas përfundimit të betejës, Pejgamberi (a. s.) në lidhje me çështjen e robërve konsultoi shokët e tij, kërkoi mendimin e tyre, se si të veprojë me robërit. Ebu Bekri ishte i mendimit që për lirimin e tyre Pejgammberi të merrte pagesë, kurse Omeri ishte i mendimit që të gjithë ata të ekzekutohen. Pejgamberi (a. s.) veproi sipas mendimit të Ebu Bekrit (r. a.).

Dispozitat të cilat detyrimisht duhet mësuar nga Beteja e Bedrit

Theksuam edhe më parë se nëse këtë ngjarje e kundrojmë vetëm nga aspekti historik, pa përfituar dispozita konkrete, atëherë ngjarja do të ngelte e vobektë, mirëpo dijetarët islamë këtë ngjarje e studiuan nga të gjitha këndvështrimet, prej ku dhe nxorën shumë dispozita dhe mësime. Në vazhdim do të përmendim vetëm prej tyre:
Dispozita mbi pasurinë e armikut
Nga zhvillimet e kësaj beteje nënkuptohet se tërë pasuria e palës kundërshtuese të myslimanëve, respektivisht palës me të cilën myslimanët janë në gjendje lufte, pasuria e tyre është e lejuar dhe myslimanët mbi të mund të vënë dorë, derisa mes myslimanëve dhe palës tjetër në fuqi është mobilizimi dhe gjendja e luftës, pra derisa nuk ka marrëveshje paqe. Pasuria e marrë në këtë mënyrë duhet dorëzuar Imamit (udhëheqësit-shtetit), i cili e bën shpërndarjen dhe destinimin sipas rregullave të Sheriatit Islam, që është përcaktuar në suren Enfal. Në këto raste nuk lejohet që vetë personat në mënyrë individuale të bëjnë uzurpimin, pronësimin apo të vendosin mbi fatin e kësaj prone. Muhaxhirët, krahas kësaj që përmendëm, kanë edhe një arsyetim tjetër, i cili u lejon atyre marrjen e pasurisë së këtij karvani. Mekasit kishin uzurpuar tërë pasurinë e Muhaxhirëve që kishin lënë pas vete në Mekë, prandaj kjo konsiderohej si një kompensim i pjesshëm për pasuritë e tyre.

Allahu (xh. sh.) me dëshirën e Tij vendos

Allahu (xh. sh.) zgjedh më të mirën dhe më të dobishmen për besimtarët. Qëllimi i myslimanëve në këtë betejë ishte vënia dorë mbi pasurinë e mekasve, gjë që ishte qëllim legjitim, por Allahu (xh.sh.) për besimtarët deshi diç më të vlefshme dhe më të lartë se sa pasuria. Kurejshët korrën sukses dhe ia dolën të shpëtojnë pasurinë, por dështuan dhe humbën betejën, ndërsa, besimtarët dështuan në kapjen e karvanit, por fituan betejën në mënyrë të mrekullueshme-në te vranë shumicën e krerëve dhe liderëve të Mekës. Pa dyshim se fitorja në këtë betejë për besimtarët ishte më e vlefshme në të gjitha aspektet, sesa të kishin fituar diç nga pasuria e karvanit, që për një kohë të shkurtër do të ishte harruar, kurse fitorja në betejë ndryshoi botëkuptimet dhe baraspeshimin e forcave.

Shura dhe dispozita e saj për Imamin (udhëheqësin)

Pejgamberi (a. s.) çdoherë kur për ndonjë çështje nuk kishte ajet kuranor (Vahj), nuk merrte ndonjë qëndrim para se të konsultohej me shokët e Tij. Kështu veproi edhe në këtë betejë-konsultoi me rastin e shpëtimit të karvanit dhe pas betejës në lidhje me çështjen e robërve. Kjo është argument i cili e obligon Imamin (udhëheqësin-kryetarin) e myslimanëve, që për çështjet të cilat ndërlidhen me dispozitat e udhëheqjes (çështjet politike) dhe të gjitha çështjet tjera që janë të fushës së Ixhtihadit, të cilat nuk vërtetohen drejtpërdrejti me tekst autentik nga Kurani apo Sunneti, për të gjithë këto Imami është i obliguar të konsultohet me parinë dhe dijetarët islamë.
Por, Udhëheqësi i cili i plotëson kushtet për të qenë Udhëheqës i myslimanëve, a e ka për obligim t’i përmbahet dhe të veprojë me vendimin e kuvendit konsultativ (shuranë) ose shumicës së saj. Shumica e juristëve islamë janë të mendimit se, nëse udhëheqësi i myslimanëve i plotëson kushtet për të qenë udhëheqës i myslimanëve, për të është obligim të konsultojë kuvendin konsultativ (Shura), por nuk është i obliguar t’i përmbahet mendimit të shumicës – mund të veprojë edhe sipas mendimit të pakicës, apo sipas mendimit të tij. Por, nëse nuk i plotëson kushtet për të qenë Imam, atëherë duhet t’i përmbahet dhe të veprojë sipas vendimit të kuvendit të Shurasë, apo shumicës së anëtareve të saj.
-Për të mësuar gjendjen, lëvizjet dhe qëllimet e armikut, i lejohet Imamit të myslimanëve të përdorë informatorë dhe mënyra tjera, përmes të cilëve e kupton gjendjen, forcën dhe qëllimet e armikut, sepse kështu Pejgamberi (a. s.) kishte mësuar për gjendjen e pabesimtarëve Kurejsh.
-Të gjitha sjelljet dhe e gjithë veprimtaria e Pejgamberit (a. s.) nuk konsiderohen legjislacion; këtë e vërteton rasti kur Habbab b. Mundhir e pyeti për pozicionin në të cilin Pejgamberi (a. s.) kishte vendosur ushtrinë myslimane – në këtë rast Pejgamberi (a. s.) i tregoi se vendimi i tillë nuk është vendim i Allahut (xh. sh.), por mendim dhe strategji e tij për të udhëhequr betejën. Në shumë raste Pejgamberi (a. s.) është sjellë, ka menduar dhe vepruar në cilësinë e personit të rëndomtë, si të gjithë njerëzit e tjerë. Myslimanët nuk e kanë obligim të ndjekin në rastet e tilla, sepse ato burojnë nga Pejgamberi (a. s.) në cilësi të njeriut të rëndomtë, apo në cilësi të burrë shtetit (Imamit).
-Në këtë betejë, si dhe në çdo vend dhe kohë tjetër, Pejgamberi (a. s.) na mëson praktikisht për rëndësinë dhe vlerën e lutjes (duasë) dhe nënshtrimit para Allahut (xh. sh.). Pejgamberi (a. s.) ishte i sigurt se do të fitonte dhe do të ngadhënjente mbi pabesimtarët, prandaj ai vazhdimisht përgëzonte dhe informonte shokët e tij për këtë fitore të sigurt, bile u tregonte vendin se ku do të vritej secili nga pabesimtarët ditën e betejës dhe kështu me të vërtetë ndodhi. Andaj, shtrohet pyetja: atëherë pse Pejgamberi (a. s.) gjatë tërë natës së enjte (mes ditës së enjte dhe të premtes) në tendën e tij me duar të shtrira kah qielli i lutej Allahut (xh. sh.) dhe kërkonte fitoren e premtuar, derisa disa herë xhubja i binte nga supet e Tij, kështu që Ebu Bekrit nga mëshira që kishte ndaj Pejgamberit (a. s.), i erdhi keq, prandaj i tha: “O i dërguar i Allahut, mjaft janë këto lutje; vërtet Allahu ty do të ta plotësojë atë që ta ka premtuar.” Përgjigjja është se lutjet janë shenjë e nënshtrimit për të cilën është krijuar njeriu, përulëshmëri dhe nënshtrim i cili fundi-fundit është çmimi i fitores. Si rezultat i nënshtrimit, lutjeve të gjata dhe lutjes për ndihmën e premtuar ishte fitorja, çmim i vërtetë dhe shumë i vlefshëm, të cilin ia dhuroi i plotfuqishmi Allah. Në lidhje me këtë Allahu (xh. sh.) në Kuranin fisnik thotë: “Ju kërkuat ndihmë nga Zoti juaj e Ai ju përgjigj: Unë do t’ju ndihmoj me një mijë engjëj, të cilët do të vijnë njëri pas tjetrit.” (El-Enfal: 9)
-Në këtë betejë Allahu (xh. sh.) zbriti engjëjt e Tij, të cilët luftuan në anën e myslimanëve. Mrekulli e rrallë, mes së cilës Allahu ndihmoi, përkrahu dhe ndihmoi robtë e Tij. Pejgamberi (a. s.) derisa ishte në tendë, rrahu duart e Veta dhe tha: “ O Ebu Bekër, gëzohu për lajmin e mirë! Të erdhi ndihma; ja ky është Xhibrili – i kapur për frenat e tij, e drejton atë drejt pluhurit (betejës)”.
-Jeta e berzehut është realitet i pamohueshëm për të vdekurit në varrin e tyre, shpirtrat e tyre sillen dhe qëndrojnë aty afër pranë trupave të tyre dhe kështu ata ndjejnë dhe përjetojnë kënaqësinë ose dhembjet e varrit. Këtë e vërteton rasti kur Pejgamberi (a. s.) qëndroi në buzë të gropës në të cilën ishin hedhur të vdekurit e pabesimtarëve dhe me zë i thirri emër për emër, kurse Omeri pyeti të Dërguarin dhe i tha: a po u flet trupave të pashpirt; “jo, jo, këta dëgjojnë më mirë se ju, por ju nuk mund ta dëgjoni përgjigjen e tyre” – ia ktheu Pejgamberi (a. s.). Nga kjo kuptohet se për të vdekurit ekziston një jetë e veçantë, por ne nuk kemi njohuri për detajet dhe mënyrën e saj.

Ixhtihadi i Pejgamberit (a. s.)

-Pejgamberi (a. s.) për çështjet mbi të cilat nuk ka pasur tekst kuranor ka bërë Ixhtihad. Ixhtihadin e Pejgamberit (a. s.) e vërtetojnë shumë raste gjatë jetës së tij, ndër to edhe rasti në lidhje me çështjen e robërve të Betejës së Bedrit.
Meqë Pejgamberi (a. s.) ka bërë Ixhtihad, atëherë Ai ka mundur të qëllonte të vërtetën, por edhe të gabonte, mirëpo nëse ka gabuar në përpjekjen e Tij për të vendosur për ndonjë çështje, menjëherë ka zbritur ajeti kuranor (Vahj), që e ka mësuar për gabimin e bërë, e ka korrigjuar dhe i ka treguar se si duhet vepruar në atë çështje, kështu që asnjëherë nuk ka vazhduar të ngelë në Ixhtihad dhe vendim të gabuar. Por, nëse për ndonjë Ixhtihad të Pejgamberit (a. s.) nuk ka zbritur tekst kuranor, moszbritja e tillë argumenton se Ixhtihadi i Pejgamberit (a. s.) ka qenë i qëlluar.

Edukimi i Allahut (xh. sh.) në kohë të përshtatshme

Lufta e Bedrit ishte beteja e parë në të cilën myslimanët u ballafaquan drejtpërdrejt me armiqtë e tyre. Pas disfatës që pësuan pabesimtarët dhe tërheqjes së tyre në mënyrë të pakontrolluar, ata pas vetes, për të shpëtuar kokat e tyre, lanë shumë pasuri, kështu që ky ishte rasti i parë kur myslimanët para tyre vërejtën sasi të konsiderueshme të pasurisë. Në këtë gjendje, kur ata për herë të parë korrën fitore, për herë të parë kështu iu mundësohet pasuria në mënyrë të papritur, ndërsa ata ishin të varfër dhe më se nevojtarë për pasuri – në këtë gjendje, ishte krejtësisht normale që kjo surprizë të ndikojë tek ata. Të përmalluar dhe të shastisur, disa Sahabi filluan të polemizojnë se kush e meriton këtë pasuri, derisa për këtë çështje mes Sahabëve filluan të ngrihen zërat. Kështu, disa nga Sahabët pyetën Pejgamberin (a. s.) se si duhet ndarë këtë pasuri dhe kush sa duhet të marrë.
Në këtë gjendje Allahu (xh. sh.) zbriti ajete kuranore në të cilat tregon se kjo pasuri i takon Allahut dhe të Dërguarit të Tij, askujt tjetër. E tërë pasuria le të ngelë aty ku është; detyra e tyre është që ata të pajtohen dhe t’i shtrijnë dorën njëri-tjetrit për mosmarrëveshjet që kishin më parë, le të kujtojnë se ata nuk luftuan për plaçka dhe pasuri, por për hir të Allahut (xh. sh.) dhe se furnizimin e garanton i madhi Zot. Në lidhje me këtë Allahu (xh. sh.) thotë: “Të pyesin ty (o Muhamed) për plaçkën e luftës. Thuaj: Plaçka e luftës i përket Allahut dhe të Dërguarit. Prandaj, frikësojuni Allahut, rregulloni marrëdhëniet midis jush dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse jeni besimtarë të vërtetë. Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve kur përmendet Allahu, fërgëllojnë dhe kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten.” El-Enfal (1-2)
Pasi që myslimanët u vetëdijesuan, u penduan për atë që doli nga ata, i shtrinë dorën njëri-tjetrit dhe u pajtuan, shpirtrat e tyre u qetësuan, pranuan vendimet e Allahut (xh. sh.) dhe mbetën të kënaqur me ato furnizime që Allahu do t’i furnizojë. Atëherë zbritën ajetet kuranore të cilat shpjeguan se kush dhe sa merr nga plaçkat e luftës.
Kjo me të vërtetë ishte një mësim në kohë të duhur. Sepse, myslimanit nuk i lejohet që të veprojë për interesat e kësaj bote, por për qëllim duhet të ketë kënaqësinë e Allahut (xh. sh.) dhe shpërblimet e botës tjetër. Këtë e vërteton edhe rasti tjetër, po në këtë betejë, kur Pejgamberi (a. s.) në lidhje me çështjen e robërve zgjodhi shpagimin dhe nuk i ekzekutoi, prandaj Allahu (xh. sh.) për këtë qëndrim Pejgamberin (a. s.) e qortoi (por, megjithatë, ia fali), që le të kuptosh se pasuria nuk është synim i kësaj feje.

Vlera e diturisë

Në këtë betejë bëhet e qartë se sa vlerë ka dituria në fenë islame. Kjo vlerë bëhet e qartë kur Pejgamberi (a. s.) për robërit e varfër të cilët dinin shkrim-lexim, për lirimin e tyre kushtëzoi që secili prej tyre t’i mësojë nga dhjetë fëmijë të myslimanëve shkrim-leximin. Ndërsa të pasurit i shpagoi në kundërvlerë mes një mijë dhe katër mijë dërhemë, secilin sipas pasurisë që kishte.